Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Shënime nga ditari i Doktorit: Po përpiqem të kuptoj pse humba vallë?

$
0
0

Sot është e shtunë dhe mendimet e mia m’i trazon ideja që nuk kam ndonjë punë. Kujtova të shtunën e një viti më parë, të dy vjetëve më parë e kështu me radhë dhe më rezulton që nuk kisha nge as të merrja frymë. Sot nuk kam thuajse asnjë punë. Zeni ka dalë se e thirri një Mihal, Mihal në telefon se kish sherr me ca romë për një tokë. Gitën e thirrën me urgjencë këta të Bashkisë si të bëjnë letrat e SHQUP-it për PD-në. Unë kam mbetur vetëm dhe po përpiqem të bëj një bilanc.
Bilanci i parë natyrisht është pozitiv. Unë mbetem politikani më i pëlqyer në Facbook. Kam mbi 600 mijë njerëz që më adhurojnë, nga të cilët vetëm 400 mijë më kanë votuar. Po mendoj cili është shkaku dhe kam arritur disa përfundime.
I zura me radhë ato që quhen skandale të mëdha.
E fillova me Gërdecin. Im bir u përpoq të ndihmonte aty dy shokë të tij biznesmenë, Rafin dhe Mihalin, që do punësonin rreth 200 njerëz. I ndihmoi dhe u vuri gjithçka në dispozicion. U dha me vete dhe baxhanakun tim. Ndodhi ajo që ndodhi. Ne ju përgjigjëm situatës. Kemi kryer varrimin në mënyrën më shembullore dhe më të shpejtë. Afërsisht për 24 orë të gjithë kanë qenë të varrosur, përveç njërit që vdiq me vonesë. U ndamë lekë për çdo të vdekur. Kemi toleru korrupsionin, pasi kishte njerëz që kishin katër të vdekur në shtëpi, morën lek për katër ceremoni mortore dhe e bënë të përbashkët. Ne e toleruam, nuk e quajtëm korrupsion dhe i paguam si për katër ceremoni.
Kemi pagu kokë më kokë një dëmshpërblim të majmë. Kemi pastru zonën dhe kemi leju të ndërtojnë të gjithë pa leje. Për të forcu miqësinë e komunitetit me ministrin Mediu, kemi bë dhe krushqi të Mediut aty. Nuk besoj se i ka ngelë hatri dikujt aty nga qeveria. Të gjithë duhet të jenë të kënaqur.
Erdhi çështja e Fazlliçit. Ajo na ka dhënë shumë pikë si qeveri. Përfytyroni një biznesmen të huaj, që vjen të investojë në Shqipëri, nuk ka asnjë lek në vitin 2005, por ka guxim dhe besim tek qeveria ime. Regjistron menjëherë pesë kompani, ia nis punës, bën disa transaksione dhe bëhet milioner. Pastaj blen tokë në bregdet, lidhet me rusë, blen energji nga kompani serbe dhe na e shet ne, ndihmon qeverinë në tregun e armëve… pra bëhet një yll i biznesit shqiptar. E kam pasë kënaqësi të veçantë ta pres çdo herë që vinte në Tiranë në shtëpinë time. Ishte një model suksesi i qeverisjes sime. E sulmuan ca ziliqarë, por në sytë e popullit ai u lartësua. Ai ishte një njeri që kishte besim të plotë tek shqiptarët. I dha time bije, d.m.th studios se saj, prokurë për çdo gjë. Të shiste, të blinte pronat e tij, t’i transferonte tek të tretë, t’i menaxhonte llogaritë bankare në Qipro dhe këtu, pra çdo gjë, sikur t’i kishte biznese të sajat. Më gjeni të dashur miq një biznesmen që mund t’i besojë dikujt kaq shumë. Jo dhe jo. Vetëm nën qeverinë time njerëzit i besojnë Familjes sime, se është një familje e njohur për besë. Fazlliçi na e lartësoi emrin, na bëri të ndihemi krenar. Ndaj dhe shqiptarët e panë atë si histori suksesi të qeverisë sime se si një biznesmen e nis nga zero dhe arrin në maja vetëm duke i besuar gjithçka Sali Berishës. Bile dhe numrat e llogarive bankare. Pra, as nga kjo çështje s’kemi humbur vota. Vetëm na janë shtuar.
Po mendoja ç’ndodhi me rrugën Durrës- Kukës. Ishte një mrekulli që Kukësi nuk na e harron edhe sot. Ndryshe nga Elbasani që u tregua mosmirënjohës, kuksianët akoma besojnë tek unë dhe Partia Demokratike. Ne kemi thy rekord. Ne kemi ndërtu një rrugë 56 km me 1 miliard euro. Po, po. Kemi thy një rekord botëror. Shqipërisë i ka dalë zëri në çdo vend të globit për këtë investim rekord. Më thoshte kryeministri grek se ka ndërtu rrugën Egnatia, shumë e vështirë, 250 km për 570 milion euro. Shifra qesharake. Njerëz diletantë. Kur i tregova që unë kam ndërtue 56 km me 1 miliard euro, u mahnit. Unë mendoja se ne grekët ishim të parët për marifete, më tha, por kjo juaja na e fut të gjithëve.
Pra, ajo shifër na dha emër në botë. Deshën të akuzojnë Lulin për hajdut. Një skandal i vërtetë. Po kush e linte Lulin të merrte një cent. I lashë të merrej vetëm me nënkontraktorët dhe të kapte ndonjë lek aty. Me çdo gjë tjetër jam marr vetë. I thashë mos u tremb, shko në gjyq dhe pastrohu. Por është pak frikacak. Nuk shkoj, tha, kam emocione dhe qaj në sallë të gjyqit. E mirë, thashë, si të duash, dhe ia mbylla gjyqin.
As nga kjo nuk besoj se kemi humbë pikë. Njësoj si ky, dhe Mediu më qante në zyrë, thoshte nuk duroj dot gjyqe. Ia mbylla dhe atij me procedurë. S’kam lënë njeri pa ndihmuar në gjykata. Besoj se kjo më ka dhënë pikë.
Pastaj po mendoja për pronat. Im bir m’u bë haram në shtëpi. Merret tetë vite natë e ditë me pronat e bregdetit nga Velipoja në Stillo, se kërkon të ndihmojë njerëzit. Kushdo që i ka kërkuar tokë, i ka dhënë. Ndonjërit dhe më shumë se sa ka kërkuar, por njerëzit janë tregu korrekt, tepricën ia kanë falë. Vajza po ashtu nuk ka lënë njeri pa ndihmuar. Kush ka dashtë koncesione, hidrocentrale, prona publike, u është gjend pranë. Njerëzit i janë shumë mirënjohës dhe secili i ka falë nga tre përqind të pasurisë e lart. Gruaja po ashtu ka punu natë e ditë me fondacionin e saj. Ka mbledhë lek ku ka mundë. Nuk ka lënë njeri pa kontaktuar dhe pa i kërkuar para. Ka hapë dhe vetë qendra vizitash dhe konsulencash ku njerëzit falin vetë 600 euro për një muaj këshilla. Besoj se na ka shtuar vota dhe ajo.
Po vras mendje pse të kemi humbur. Po vras mendjen vetëm se ishte humbje e thellë, se humbje si ajo e Lul Bashës rregullohen. Po vras mendjen e s’po e gjej. Fansat e mi në Facebook po ashtu më kanë tradhëtu, nuk ma kanë dhënë të gjithë votën. Nuk di cili është shkaku. Sali Lusha më ka çu fjalë dhe thotë ke pasë tradhti nga brenda, nga çifti Olldashi- Patozi. Po e mendoj dhe më duket ky është shkaku. Duhet të spastrojmë me fshesë të hekurt mbeturinat e kësaj veprimtarie armiqësore. Përpara!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>