Kur Galilei tha këto fjalë, para të pushtetshmëve të asaj kohe, më tepër se jeta, iu dhimbs vepra e tij dhe e vërteta. Plaku i mençur pati kurajon të mbronte atë që ai besonte.
Historia, edhe ajo shqiptare, ka raste të shumta, kur njerëz qoftë edhe të thjeshtë, mbrojnë me jetë të vërtetën dhe veprën e tyre. Gjithashtu ka shembuj të pafundmë ku njerëz të thjeshtë apo të shquar lodhen nga mënyra e dyzuar dhe e përulur e të punuarit dhe të jetuarit dhe parapëlqejnë të shfaqen të vërtetë, me çdo kusht që mund t’u vihet.
Po bëhen disa breza tek ne, në të cilët vlera të tilla, te njerëz gjithnjë e më të rralluar, kanë ardhur duke u zbehur. Mbase ka ardhur koha, që më tepër se te gjithçka tjetër, njerëzit të mbështeten te e vërteta dhe te aftësitë e tyre, duke e konsideruar si sfidë personale dhe shoqërore.
Dikush mund të ketë fatin, që me arritjen e një sfide të tillë, t’i shkruhet emri në histori. Por ka qindra e mijëra të tjerë që, ashtu anonimë, duan të jetojnë të qetë, t’i zërë gjumi rehat, pa frikën e përballjes me drejtësinë. Gjithkush e kupton se pandëshkueshmëria, edhe nëse nuk eliminohet plotësisht, nuk do të vijojë të mbetet në këtë farë derexheje, kurrsesi.
Tashmë, ai që mbron të vërtetën nuk shkon në turrën e druve dhe as në burg, shumë-shumë mund të mbetet pa punë e pa biznes. Kjo nuk është e lehtë, por është shumë më e mirë se ulja tej mase e shpinës dhe makthi i së ardhmes.
Ka qindra e mijëra njerëz sot në Shqipëri që dëshirojnë të punojnë me djersën e ballit, pa dashur asnjë lloj përfitimi tjetër. Problemi është se këta njerëz kanë nevojë të ndihmohen me standarde korrekte dhe jo të tundohen apo detyrohen të bëjnë të trimoshin e shkathët, qoftë edhe duke përfituar diçka padrejtësisht.
Sikur “eppur si muove” të thërrmohet e të shumëfishohet në gjithë tavolinat, zyrat dhe dyert e shtetit, vendi ynë do të ishte me të vërtetë nga më të mirët.
Me gjasa, nuk kishte për të ndodhur “Gërdeci”, nëse ata që merrnin rrogën nga taksapaguesit shqiptarë, në të gjitha hallkat e shtetit, duke filluar nga roja i thjeshtë e deri te Presidenti i Republikës, të bënin detyrën e tyre dhe të kishin kurajon të mbronin të vërtetën.
Mbase nuk kishte për të ndodhur “21 Janari”, nëse ata që përgjigjeshin për zbatimin e ligjit, në mbrojtje të institucioneve shtetërore, kishin aftësi profesionale dhe kurajo për t’i ushtruar drejt këto aftësi.
Nëse integriteti individual do të ishte në lartësinë e duhur nuk do të shfaqen, nëpër kronika televizive, monologje në mbledhje grupe parlamentarësh, duke qeshur me shakatë e kripura të shefit.
Nuk mund të ndodhin gjithë këto aksidente rrugore, nëse një pjesë e atyre që përgjigjen për ruajtjen e sigurisë në rrugë, të mos sillen si hajdutë, duke u fshehur cepave të padukshme të rrugëve, me qëllim mbledhjen e ndonjë leku, por të shërbejnë vërtet me qëllimin e mbrojtjes së jetëve njerëzore.
Nuk ka pse njerëz të ndryshëm të kenë ndjenjën e kënaqësisë së hakmarrjes, duke fantazuar apo praktikuar lloj-lloj sajimesh spektakolare, nëse u jepet mundësia të shfaqen ballazi.
Katrahura urbane dhe zallamahia e ndërtimeve nuk do të kishte ndodhur, nëse do të respektohej mendimi i arkitektëve dhe urbanistëve.
Nuk do të bëheshin gjithë ato probleme, skandale dhe debate për hapësirën detare, nëse respektohej fjala e profesionistëve dhe jo shfrytëzimi i interesaxhinjve.
Nuk ka pse vendi ynë të identifikohet me gjethen e kanabisit, nëse ata që paguhen, në pushtet qendror dhe vendor, arrijnë të kuptojnë se vendet e përparuara janë bërë të tilla me punë të mbara dhe jo me drogë e pislliqe të tjera.
Nuk ka si të tjetërsohen dhe të dalin nga Plani i Përhapjes i Forcave të Armatosura pronat e ushtrisë, nëse ushtarakët titullarë i qëndrojnë korrekt zbatimit të ligjit dhe kanë kurajon të argumentojnë ruajtjen e këtyre pronave në interes të ushtrisë.
Nga analiza e këtyre shembujve dhe shumë e shumë të tjerëve, mund të dilet në përfundimin se marrja e kompetencave specialistëve dhe profesionistëve është shkak i shumë dështimeve të kohës së tranzicionit.
Udhëheqës dhe personalitete të shquar të vendeve më të zhvilluara e kanë përqendruar vëmendjen e tyre pikërisht te shtresa e mesme. Vendet me mirëqenie më të lartë sot në botë, janë të tilla pikërisht sepse kanë ditur të trajtojnë shtresën e mesme.
Normalisht, së pari lipset vullneti nga lart, për të respektuar ashtu si duhet profesionistët. Ministri, kryetari, shefi, bosi, sado i suksesshëm të jetë, nuk ka si t’i dijë të gjitha. I suksesshëm është ai drejtues që di të menaxhojë dhe respektojë profesionistin, në zbatim të ligjit e rregullit e jo në detyrimin për gjetjen e mënyrave si të manovrohet me ligjin.
Për arsye të shumta, historike, ekonomike etj, në vendin tonë ekziston një hendek i madh në raportin midis njerëzve të veshur me pushtet dhe njerëzve të thjeshtë. Shkëputja prej mentalitetit anadollak qenka shumë e vështirë. Shumë nga pushtetarët tanë për nga talenti për role diktatorësh do të bënin të dukeshin amatoreskë Robert Duvall që luan Stalinin, apo Bruno Ganz që luan Hitlerin. Më tepër se e habitshme, është mungesë inteligjence, mënyra si u mbushet mendja njerëzve që marrin sadopak pushtet, se janë më të mençëm se të tjerët. Arroganca e pushtetarëve është një nga shkaqet kryesore në ndërrimin e pushtetit politik.
Nga ana tjetër, e rëndësishme është kurajoja qytetare e atyre që në fakt mbajnë shtetin, e shtresës së mesme, e nëpunësve dhe specialistëve. Janë specialistët ata që hartojnë dhe zbatojnë projekte e plane, që kanë përgjegjësinë ligjore për çdo aktivitet dhe që lenë gjurmë në dokumentet e shtetit.
Me shfaqjen e shefave të rinj, normal që rriten dhe shpresat e pasuesve të tyre për punë të reja apo vende më të mira pune. Përmbushja e këtyre shpresave nuk do të thotë bërjen borxhli i përhershëm. Në fund të fundit, jeta nuk duhet shtyrë me brekë nëpër këmbë. Një “eppur si muove” në mbrojtje të punës, vlerave dhe dinjitetit personal duhet thënë gjithsesi.