Sa më shumë afrohet dita që do të dorëzoj zyrën, aq më shumë shtohen punët. Zeni erdhi i shqetësuar dje në mëngjes për tokën e Nartës. Është histori e gjatë. U torturua sa i gjeti pronarët, sa ia ktheu pronarit më shumë se sa i takonte për ta respektuar. Pastaj ai në shenjë mirënjohje i ka falur gjysmën. Zeni nuk e ka pranu, por ka gjetur një kompani që i duhej tokë dhe ia ka falur. Tani kur mendonte se puna kish shku mirë, kompania i kërkon dhe leje ndërtimi. U detyruam me urgjencë t’ia japim.
Po shikoj që ka reaguar opozita. Çdo vendim që unë marr, ata reagojnë. Çudi e madhe, u duket sikur po ua marr atyre. Unë thjesht kam pjesën time deri më 9 shtator. U duket vetja sikur e komandojnë ata KKRTSH. Koço mendon veten në vendim tim dhe merr vendime. Vetëm atë karrige ëndërron. Karrigen e KKRTSH.
Dje më mori njeriu im në Policinë e Shtetit. Më tha do të raportoj diçka shumë interesante. Koço na ka kërkuar të arrestojmë ca njerëz të Stefan Çipës që kanë lejuar një ndërtim të vazhdojë se ka fitu në gjykatë. A ta bëjmë a jo, më thanë.
-Shikoni ligjin, u thashë se nuk e kuptova problemin.
-Ligji nuk na lejon të marrim urdhrin nga Koço, por meqë është problem i brendshëm, thashë të të njoftojmë.
-Ju përgëzoj, i thashë. Bjerini urgjent. Arrestojini dhe merruni deklarata kundër Koços. Është gjë e mirë shumë.
U vu në lëvizje policia, shkuan tek pallati, e matën, u doli tamam. I thanë Koços është tamam pallati.
-Se sa është pallati, atë e di unë, tha Koço. Shtojeni 60 metra dhe m’i fusni në burg pisat.
Më mori prapë njeriu im në polici. Ma shpjegoi situatën. I thashë bëni si t’u thotë Koço. Ai ka fitue, u thashë.
Ashtu vepruan. I shpallën në kërkim ata që kishin leju ndërtimin.
U dhashë polici policëve në Sarandë dhe Vlorë. U thashë fjala e Koços është ligj. Dua t’i shikoj si përleshen.
Tani të dashur miq, mos u mërzisni se për këta keni votu. Akuzuan dhëndrin tim se mblidhte lekë për tetë vjet për planet në bregdet. Koço aq sekserë i ka mbledhë në tetë javë duke i kërcënu me prishje. Ai ëndërron karrigen time në KKRTSH. Ai nuk do as atë të Ramës, as të parlamentit. Ai do KKRTSH-në. E di unë. Ndaj bëjnë si të tërbuar. Dhe me plehrat prej atij e kam. Ka dashë të sjellë plehra me kohë. Tani do t’i bëjë realitet dhe shqetësohet pse kam futur unë ca kontejnerë. Çudi e madhe si mund të zhvillohet industria e skrapit pa sjellë plehra këtu? Janë njerëz shumë diletantë. Shumë të paduruar. Po fëmijët e mi deshën të paktën dy vjet të mësojnë ku bëhet ndonjë lek, këta dashkan dy muaj para se të vijnë në pushtet. Kjo është qeveria e krimit, drogës dhe makutërisë. Përpara drejt bregdetit!
↧
Shënime nga ditari i Doktorit: Përse shqetësohen nga lejet e mia të ndërtimit?
↧