Skandali i vendimit të orëve të fundit të qeverisë, për të kthyer Qendrën Kulturore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike, ka në qendër të tij presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Ai është i implikuar në këtë vendim në dy mënyra. E para si Komandant i Përgjithshëm, që dorëzon një pronë të ushtrisë për llogari financiare të një grupi biznesmenësh të Familjes Berisha, që mbajnë peng PD, dhe e dyta në përfitimin që ai ka personalisht si familje nga largimi i Partisë Demokratike nga ajo seli. Vendimi është një operacion i mirëmenduar financiar, në të cilën përfshihet dhe familja e presidentit Nishani dhe gërshetohen interesa me kryetarin e ri të PD, që do të japë aty një leje ndërtimi duke kombinuar disa interesa.
Po e fillojmë nga e dyta, e cila është dhe arsyeja kryesore pse ka ndodhur ky skandal.
Godina aktuale e Partisë Demokratike, konkretisht një pjesë e katit të dytë të saj, është pronë e familjes së gruas së Bujar Nishanit, të cilëve u është njohur dhe kthyer. Nga një kombinim interesash që është bërë me truallin ku është PD, parkingun pas saj dhe pronën e familjes së gruas së Bujar Nishanit, do të realizohet një ndërtim, i parashikuar nga plani rregullues i Tiranës, në të cilën kanë interesa konkrete familja Nishani, familja Berisha, familja Basha (pa harruar Kunatin) dhe disa biznesmenë rrotull Berishës.
E vetmja pengesë për këtë operacion financiar ku lëvizin mbi 100 milion euro është Partia Demokratike, e cila nuk mund të lëvizë prej andej. Treshja Berisha- Nishani- Basha, pasi humbën zgjedhjet dhe pasi janë të qartë se perspektiva e kthimit të tyre në pushtet është shumë e largët, kanë vendosur të eliminojnë dhe pengesën e fundit që u ishte bërë për t’u kthyer nga sekretarë partie në biznesmenë, selinë e PD-së. Vendimi për ta larguar atë andej i hap rrugën një plani biznesi prej miliona euro të Berishës, Bashës dhe Nishanit.
Problemi i dytë që implikon presidentin e Republikës është çuarja e PD tek Qendra Kulturore e Ushtrisë. Edhe këtu flitet sërish për një biznes. Lulëzim Basha synon të mbajë një opozitë miliarderësh përmes zaptimit të vendeve publike me ndërtime dhe ta kthejë Bashkinë në një lloj “Shqiponje” të vitit 1992- 1996, që prodhonte miliona për një grusht drejtuesish të PD. Presidenti i Republikës, i përfshirë në këtë skandal financiaro- politiko- shtetëror, sërish ka toleruar për llogari tërësisht personale këtë vendim, me shpresë që t’i hapë rrugë planit të tij të biznesit dhe të konsolidojë lidhjen e tij me Berishën dhe Bashën përmes këtij korruptimi financiar.
Ndaj në këtë rast nuk mjafton vetëm anulimi i vendimit të Berishës, por një impeachment për presidentin e Republikës, i cili për interesa tërësisht të ngushtë financiare të familjes së tij, i ka hapur rrugën në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, një operacioni financiar që dëmton ushtrinë për hir të interesave të tij personale. Hetimi dhe seanca kundër tij bazohet në konfliktin e thellë të interesit dhe mos ushtrimin e detyrës së tij kushtetuese si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, të cilën po e shpronëson në kuadrin e një projekti financiar, ku është e përfshirë familja e tij.
Në fund desha të shtoj dhe dy fjalë për ata që i besojnë “vizionit” të ri të Lulëzim Bashës në PD. Siç e shikoni, i vetmi vizioni i tij është vizioni i një biznesmeni që të pasurohet me vulën e Bashkisë dhe truallin e Partisë. Deri tani e vetmja meritë e tij është zgjerimi i koalicionit të hajdutëve nga rrethi i Familjes Berisha, tek Familja Nishani duke u kthyer në garant të këtyre lidhjeve të inkriminuara. Problemi i tij nuk është as ringjallja e PD, as forcimi i saj, dhe as zërat brenda, jashtë apo rrotull saj. Problemi i tij i fundit me PD, siç shihet, është trualli i godinës dhe ai po nxiton të bëjë ca lekë me të. Ishte pengesë e madhe që aty ishte PD, që ishte gjaku i Azem Hajdarit para godinës, që ishin emocionet e 20 viteve histori fitoresh dhe humbjesh. Ai e hoqi dhe atë pengesë. Tani mbi historinë e PD do të ndërtojë Kunati, ndërsa fitimet do ndahen mes tij, Berishëve dhe Nishanëve.