Komunistët reaguan pasi Garda e Republikës nuk i lejoi në Ditën e Dëshmorëve që të mbanin portretin e Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve.
Në një deklaratë, ata thonë se u ndjenë sikur në pushtet ishte Sali Berisha me ballistët dhe zogistët.
“Qeveria e majtë ka harruar se varret dhe monumentet në përkujtim të asaj lufte të lavdishme janë ende të rrënuara, se monumenti i pesë heronjve të Vigut është ende në plehrat ku e dërgoi tradhtari i Partisë së Punës, Sali Berisha dhe koalicioni i tij me bashkëpunëtorë të fashizmit. Kanë harruar gjithashtu se kush e udhëhoqi dhe drejtoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që kur forcat e majta kanë ardhur në pushtet, por ky nuk është ende pushtet i së majtës. Ngjarja e 5 Majit tregoi se Shqipëria po qeveriset as më shumë e as më pak se sa kur në pushtet ishin Berisha dhe koalicioni i tij i tradhtisë. Megjithëse kryeministri aktual thotë se po bëhet “Kurban” për Shqipërinë, duket se i ka ngelur ende ora te “Refleksionet”.
Fronti i Majtë i bën të ditur edhe një herë qeverisë aktuale se duhet të zgjedhë përfundimisht nëse është në anën tonë apo të berishianëve,” thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërkohë Legaliteti dhe Balli refuzuan të ishin pjesë e përkujtimit të 5 Majit.
Madje, legalistët hedhin edhe propozimin e ndryshimit të Ditës së Dëshmorëve, pasi kreu i tyre, Adriatik Alimadhi thotë se 5 maji është dita kur ka vrarë, sipas tij, një komunist që ai ngre edhe pikëpyetjen nëse e vranë apo është vrarë, dhe si e tillë thotë ai nuk është përfaqësuese.
“Madje të hiqet edhe titulli “dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare”, por të jetë vetëm “dëshmor i kombit”. Ne bashkohemi me të gjithë dëshmorët që kanë bërë luftë me pushtuesin, por asgjë të përzierë me gjak shqiptari, 4 mijë deri në 6 mijë shqiptarë vranë komunistët”, deklaroi Alimadhi.
Të njëjtin raport ka edhe Legaliteti me Luftën Nacional Çlirimtare.
“Sigurisht që duhen përkujtuar dëshmorët. Por cilët dëshmorë? Ata që nderohen sot zëvendësuan heronjtë e vërtetë, ata që luftuan për vendin dhe bashkimin kombëtar, dhe ne nuk kemi pse të bashkohemi me ta”, deklaroi Sulejman Gjana, kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit.
Pavarësisht se cili është qëndrimi për luftën, të gjithë ata që pretendojnë se trashëgojnë ideologjinë e forcave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, thonë se nevojitet rishikimi dhe rishkrimi i historisë.