Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg ish-shefin e antidrogës në Fier, Dritan Zagani.
Bashkë me të, në masën arrest me burg u lanë edhe të arrestuarit e tjerë gjatë operacionit “Merry Christmas 2”, Jorgo Naçi (Emiljano Brahimi), vëllai i tij Niko Brahimi, Agur Malaj, Saimir Shosha, si edhe kushërinjtë Edison dhe Vasil Latifaj.
Ata akuzohen se kanë trafikuar nga Lazarati drejt Italisë të paktën 1.4 ton drogë, hashash.
Ndërsa ish- shefi i antidrogës akuzohet për shpërdorim detyre. Ai është i implikuar në një rrjet kriminal, që shfrytëzonte informacionin e klasifikuar për të nxjerrë përfitime në mënyrë abuzive.
Burime policore i thanë TemA-s se Zagani është njohur në vitin 2010, kur ishte emigrant në Itali me disa persona, të identifikuar tashmë nga agjensitë ligjzbatuese.
Me rikthimin në strukturat policore, Zagani ka shfrytëzuar gjithë mundësitë që i jepte detyra dhe posti, si shef antitrafiqesh, për të dekonspiruar operacionet e kolegëve të tij në këmbim të parave.
SHKB-ja dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur dyshime të forta, se oficeri i policisë dërgonte informata operative tek lidhjet e tij jashtë Shqipërisë.
Këta të fundit, duke pasur dijeni të sakta, telefononin trafikantët shqiptarë dhe merrnin prej tyre shuma të mëdha parash, për të “lejuar” vazhdimin e aktivitetit kriminal dhe “mosgoditjen” e rrjetit.
Organet hetimore kanë bllokuar disa transferta bankare që shkonin deri në disa mijë euro, që adresoheshin në llogari të Dritan Zaganit, me burim lidhjet e tij të errëta jashtë Shqipërisë.