Saimir Tahiri bëri mirë që nuk u tundua nga beteja politike me Bujar Nishanin, por vazhdoi arsyet për çfarë e nisi betejën për të denoncuar lidhjen e drejtësisë me krimin. Ai i çoi sot një letër të dytë Bujar Nishanit, ku rendiste 65 raste haptazi të padrejta të gjykimit në favor të krimit.
Ka gati një muaj që zhvillohet një luftë nervash mes Bujar Nishanit, që bën punën e Presidentit dhe kryetarit të Këshillit të Drejtësisë, dhe shumicës në vend, të cilën Nishani po përpiqet ta fusë në debat politik dhe të shfaqet si mbrojtës i opozitës.
Përplasjet filluan pas akuzave se SHISH nuk kishte informuar qeverinë për sitautën e kriminalitetit në vend lidhur me shpërthimet me tritol dhe vazhduan me disa vendime flagrante të gjyqtarëve në Tiranë, që kishin liruar një kriminel, i cili disa ditë më vonë u vra duke marrë pas dhe një tjetër jetë.
Bujar Nishani nuk pati asnjë drojë të dilte në krah të gjyqtarëve, qartazi të korruptuar në atë rast.
Më pas, për ta bërë politike betejën, Nishani pranoi të takohej me Edi Ramën dhe disa ditë më pas botoi një editorial në shtypin shqiptar, i cili përveçse ishte një kapsllëk intelektual, i prodhuar nga këshilltarët e tij mediokër, pasqyronte në vetvete vendimin e tij për t’i dalë zot publikisht çdo gjyqtari që do të prekej nga akuzat për korrupsion dhe për ta tërhequr shumicën në një betejë politike me të për këtë çështje.
Sot Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i ka dërguar një letër të re, ku ka përshkruar 65 vendime haptazi kundër drejtësisë, që gjyqtarë të sistemit kanë dhënë gjatë vitit të fundit.
Akti i ministrit ka rëndësi jo për shkak të statistikave që ai paraqet, por për shkak se nuk e ka ushqyer debatin politikisht, por ka vazhduar betejën e tij, duke iu shmangur provokimit të Nishanit.
Të gjitha energjitë e Bujar Nishanit (aq sa ka) u kanalizuan që ai të bënte betejë politike dhe të shfaqej në opinion si gardian i çdo gjyqtari që vihej në shenjestër nga shumica, duke i transferuar akzuat nga penale, në politike.
Saimir Tahiri bëri mirë që nuk ra në atë kurth. Bëri mirë që nuk u ul të shkruante ndonjë artikull mediokër plot kapsllëqe si ai ku kishte vënë emrin Bujar Nishani, por mbi të gjitha bëri mirë që nuk hyri në spiralen e luftës politike në këtë rast. Mënyra më e mirë për ta vazhduar betejën është të ndjekësh arsyen përse e ke nisur.
Lista me 65 vendime gjyqësore, haptazi të padrejta, është një arsye bindëse se beteja për ta ndryshuar sistemin e drejtësisë duhet bërë me çdo kusht.
Bujar Nishani mund të porosisë një editorial tjetër, dhe mund të mbrojë përsëri 65 gjyqtarët, por ai duhet lënë i vetëm në lojën e tij politike. Ai ka hallet e tij dhe kërkon që në çdo çast t’i tregojë Berishës dhe të vetëve se do të jetë garanti i tyre në pushtet deri në pikën e fundit. Kjo është punë e tij. Detyra e qeverisë është t’i përmbahet betejës së saj kundër këtij sistemi të drejtësisë.
Opinioni publik po shikon se si po degradojnë betejat kundër drejtësisë në sytë e të gjithëve. Shikon se një kryetar gjykate akuzon një gjyqtar të tij për fshehje krimi, për gjyqe klienteliste kundër investitorëve gjermanë në Shqipëri, për lirim trafikantësh droge në kërkim ndërkombëtar, dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që e ka anëtar, i del në krah të akuzuarit. Opinioni publik shikon se janë dhënë vendime në favor të grupeve kriminale dhe kriminelëve të rrezikshëm dhe Presidenti është në anën e tyre, duke u përpjekur në mënyrë tinzare ta përfshijë shumicën në një debat politik rreth kësaj çështje.
Saimir Tahiri bëri mirë që nuk hyri në këtë spirale. Ai duhet t’u qëndrojë arsyeve përse një nga arsyet që kriminelët janë të lirë, ka të bëjë me gjyqtarët që mbron Bujar Nishani, dhe duhet të vazhdojë t’i denoncojë ata. Pavarësisht se çfarëdo të thotë Bujar Nishani, ai bën mirë të fillojë të përgatisë letrën e tretë dhe kështu me radhë.
Dikur, dikush këtu duhet t’i thotë ndal kësaj situate dhe ta fillojë reformën pikërisht nga “tempulli i krimit”, atje ku mbrohen gjyqtarët që mbrojnë kriminelët, dhe që sot ka një emër më të gjatë se ç’duhet, duke u quajtur Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Bujar Nishani kërkon të devijojë goditjen ndaj krimit si goditje ndaj opozitës dhe drejtësisë. Por duket se në vend të mbrojë opozitën dhe veten, po e njehëson atë me krimin.