Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Grigja komandohet për nënkryetare dhe fillon punë

$
0
0

Grigja më në fund u komandua për nënkryetare e PD. Kunati e thirri dhe ia komunikoi vendimin përfundimtar.

-Nuk është suprizë për mua, tha Grigja, se ma ka dhënë fjalën Doktori para katër muajsh.

-E di, e di, tha Kunati, por tani nuk ka më dilema. Sot do dalësh të flasësh për herë të parë si nënkryetare. Zgjidh vetë një temë dhe bëj një deklaratë. Vetëm ma nis pak më parë me email ta shikojmë.

Pas një ore, Grigja i nisi një version të deklaratës që kishte përgatitur.

“Ajo që ka ndodhur dje në qytetin e Korçës është një akt që tejkalon pritshmërinë kriminale të qeverisë dhe e fut në një rreth vicioz perceptimin adekuat të qytetarëve ndaj asaj se çfarë duhet të presin nga qeveria.

Ngjarja, e cila në thelb është një akt që buron nga një mendësi kriminale e pushtetit, e interferuar në mënyrë djallëzore përmes akteve administrative në vetëdijen individuale të kundërshtarëve të vet, të cilët absorbojnë në mënyrë të pavetëdijshme një asosacion të papërgjegjshëm mbi limitet e mbijetesës dhe asaj që në fakt është rikthim i djallëzuar i një diabolizmi shtazarak që kapitalizohet në mendësinë e pushtetit në çdo cep të vendit…”.

Kunati e humbi durimin dhe e mori në telefon.

-Grigja, përse e ke këtë deklaratën se lexova gjysmën dhe nuk po kuptoj gjë?

-E them në fund, tha Grigja. Lexoje deri në fund se e ke. Jam tek parukierja. Sa të mbaroj, ta shpjegoj unë.

Kunati, i dëshpëruar, vazhdoi përpjekjen për ta lexuar.

“… E parë në këtë prizëm, akti sublim i përcjellë si një detyrim fatal për jetën nga rrethana të prodhuara nga një kontur adekuat politik, i cili reflekton një mendësi të caktuar anormale, që gjen alibi shpesh në disa akte të shkëputura dhe nga kundërshtarët.

Siç ndodh rëndom me pushtetet despotike, të cilat mbartin në vetvete një trashëgimi makabër të idolatrisë, e cila ushqehet me dhimbje njerëzore, në aspektin social kjo është një paradigmë që përbën pikën e 13-të të krizës së vitit 2013, dhe që duhet t’i kushtoj në të ardhmen një studim serioz…”.

Kunati e humbi përsëri durimin.

-Të lutem, i tha, se s’po kuptoj përse e ke deklaratën.

-Ja se dhe pak, qerpikët kam dhe mbarova, i tha Grigja. Jam e veshur gati, dal menjëherë.

-Po përse e ke deklaratën, tha Kunati, se s’po e marr vesh.

-E ke në fund, tha Grigja, lexoje se e ke në fund. Ja, mbarova, dhe qerpikët kam.

Kunati vazhdoi i dëshpëruar leximin.

Shkoi drejt e tek paragrafi i fundit.

“… Për këtë arsye Partia Demokratike e shikon si një përgjegjësi të saj sublime denoncimin e këtij akti sublim të shkaktuar nga qeveria Rama- Meta, të cilët i imponuan kësaj zonje një fat të hidhur…”.

-Paska vdekur një njeri, tha Kunati. E kuptova më në fund.

Kunati mori prapë Grigjën në telefon.

-Ja se mbarova, tha Grigja. Po më vë pak dhe buzëkuqin dhe erdha.

-Po çfarë buzëkuqi, ti e paske për një vdekje gruaje, i tha Kunati.

-E kam shkruar bukur, si t’u duk, i tha Grigja.

-Mos pyet, tha Kunati. E ke ngritur lart stekën. Duhet të vdesë një njeri që të dalësh ti në televizor. Përpiqu të gjesh ndonjë arsye më të butë se do dukesh si zëdhënëse funerali. Ne të kemi dyshin e PD-së.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852