Kunati u çudit shumë kur Imami tha në parlament se ushtria po përdoret për trafik droge. I pasigurtë në vërtetësinë e informacionit, ai kërkoi një takim privat me Imamin, që ta siguronte në ato që po thoshte.
Imami nuk pranoi të shkonte në takim.
-Më keni anashkaluar nga partia, tha. Po deshët, bisedoni me Kullurin, se unë jam rang i Lulit, nuk jam rangu yt.
Kunati nuk u mërzit, po thirri Kullurin.
-Si është puna, a ka fakte Beni për trafik droge, tha.
-Ka dhe janë të pakundërshtueshme, i tha Kulluri.
-Më thuaj ndonjë, i tha Kunati.
-Të them disa, i tha Kulluri. E para, trafiku i drogës në Afganistan. Komandot tona atje merren me trafik droge. U blejnë vendasve, se janë paqësorë me ta ngaqë janë myslimanë dhe ua shesin amerikanëve në bazë. Fitimet janë përrallore. 40 përqind të tyre i shkojnë Mimi Kodhelit.
-Kemi fakte, tha Kunati.
-Kemi patjetër, i tha Kulluri. Pastaj uli pak zërin dhe iu afrua Kunatit.
-Janë njerëzit tanë atje akoma.
Kunati e pranoi me hezitim si provë.
-Po tjetër, i tha.
-Kemi Lazaratin, i tha. Ngjitur me fshatin është reparti i Ashilengos. Aty kemi pasur repartin ushtarak. Kemi prova që hashashi magazinohet aty.
-I kemi të dokumentuara, i tha Kunati.
-I kemi të gjitha duke hyrë dhe duke dalë hashashi, i tha Kulluri.
-Kjo qenka fantastike, tha Kunati. Po tjetër?
-Kemi bazën në Portopalermo, i tha Kulluri. Dhe aty kemi fakte që fshehin anije ushtarake me drogë dhe nisen pastaj për Itali ose Greqi.
-I kemi me prova, tha Kunati.
-Të gjitha me foto, i tha Kulluri.
-Po tjetër?
-Kemi fakte nga reparti i Bishtpallës. Droga vjen aty dhe përcillet përmes anijeve ushtarake në ujërat ndërkombëtare.
-I kemi me prova?
-Me fakte të vërteta, i tha Kulluri.
-Më duhen patjetër faktet, i tha Kunati, se do dalë Luli tek Opinioni.
-I thuaj t’i thotë pa frikë se i kemi provat, i tha Kulluri.
Kunati ia raportoi Lulit si të sigurt dhe Luli e tha.
Sot Kunati thirri prapë Kullurin.
-Luli do provat, i tha.
-I kemi të gjitha me foto dhe kamera, tha Kulluri. Janë bërë të gjitha në kohën tonë, kur ishim në ministri. I kemi të faktuara dhe të filmuara. Tani ata kanë 6 muaj që nuk na paguajnë asgjë. Është shumë e qartë. Derisa nuk na paguajnë ne, paguajnë Mimin. Provat i kemi, fotot i kemi, videot i kemi, paret s’i kemi. E qartë e bën Mimi tani. S’ka ku luan, e kemi kapë.
Kunati ngeli paksa i tronditur.
-Po unë mendova se keni fakte të reja, i tha.
-E reja është që ata nuk po na paguajnë më, d.m.th kanë gjetur padron tjetër, i tha Kulluri. S’ka si të jetë ndryshe. Fakt më të fortë se ky nuk ka.