
Kallzimi i Albavia per Xhelal Mziun
Gazeta zbulon një padi të re ndaj tij. Kryetari nën arrest i Bashkisë së Kamzës hakmerret ndaj kompanisë “Albavia”, duke i bllokuar llogaritë për gjoba të shpikura ndaj saj, edhe pse kjo e fundit ka fituar katër vendime gjyaktash në favor.
Nga Albertina Jaçe
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është i paditur edhe nga kompania “Albavia” për veprime të qëllimshme hakmarrëse ndaj kompanisë.
Administrata e Bashkisë së Kamzës ka nisur një fushatë shantazhi dhe penalizimi ndaj kompanisë “Albavia”, ndërkohë që kryetari i kësaj Bashkie, Xhelal Mziu është në një proces gjyqësor si i paditur penalishtë për dëme të shkatuara ndaj kompanive që kanë punuar me Bashkinë e Kamzës.
Kompania “Albavia” është e detyruar të përballet me një procedurë shantazhuese prej vitit 2008, duke i ngarkuar asaj dy taksa të paligjshme, për të cilat ajo ka fituar të drejtën dhe me vendime gjykatash. Pavarësisht kësaj, administrata e Bashkisë së Kamzës i bllokon asaj rregullisht llogaritë bankare duke i shkatërruar aktivitetin e saj normal dhe duke futur në disa raste në krizë funksionimi kompaninë.
Bëhet fjalë për dy lloj taksash, taksës për shfrytëzim hapësire jashtë ndërtesës (në pronë private të shoqërisë) si dhe taksa ndërtese mbi nivelin e parashikuar nga ligji.
Kompania “Albavia” i ka kundërshtuar kët dy taksa si të paligjshme dhe ka fituar katër procese gjyqësore në favor të saj.
Proceset gjyësore të fituara nga Albavia
Por pavarësisht proceseve gjyqësore të fituara nga Albavia, administrata tatimore e Bashkisë së Kamzës ka vazhduar persekutimin dhe hakmarrjen ndaj kompanisë, duke urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të saj.
Kjo ka ndodhur rregullisht çdo vit, edhe pse kompania ka paraqitur vendimin e gjykatës dhe të drejtën e saj për të mos u ngarkuar me taksa të shpikura nga administrata kundër saj.
Kompania i ka bërë padi penale Bashkisë së Kamzës dhe kryetarit të saj, por kjo e ka përkeqësuar dhe më tej situatën.
Kompania është vendosur në pozitë të vështirë financiare nga bllokimi arbitrar i llogarive të saj. Edhe pse një shoqëri përmbarimi ka urdhëruar Bashkinë të zbatojë menjëherë vendimin për sigurimin e padisë, Bashkia ka vazhduar bllokimin e llogarive për një periudhë katërmujore me pasoja të rënda financiare.
Padia ndaj Xhelal Mziut është e arsyetuar me mosveprimin e tij për të zbatuar urdhrin e përmbaruesit gjyqësor, në katër vendime gjykatash si dhe në disa vendime të tjera gjykatash për sigurim padie. Mziu akuzohet po ashtu se me veprimet e tij tendecioze ka tentuar falimentimin e shoqërisë duke bllokuar arbitrarisht llogaritë e saj bankare duke shkelur dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese për këtë procedurë shlyerjeje.
Akuza ndaj Mziut përmblidhet në shpërdorim detyre me veprime e mosveprime të kundërligjshme dhe mospërmbushje të detyrës në ushtrimin e funksionit publik.
Kompania ndërkohë vazhdon ankimimet e saj ndaj administratës së Bashkisë dhe kryetarit në gjykim Mziu, por pavarësisht kësaj, qëndrimi i tyre ndaj kompanisë është ashpërsuar.
Në komunikimin e fundit të datës 7 prill 2014, kompania kërkon kalimin e detyrimeve të paguara më tepër nga shoqëria “Albavia” në llogari të saj, por sërish ndesh me një arbitraritet të pashembullt nga Mziu.
Një “cub” që hakmerret politikisht?
Xhelal Mziu tashmë është i njohur jo vetëm për shkak se është në një proces penal që mund t’i kushtojë disa vite burg, për abuzime ndaj kompanive private, por dhe për historitë e tij të panumërta arrogante dhe banditeske deri dhe erotike. Në një rast ai është denoncuar si shantazhues i femrave në Bashkinë e Kamzës, një prej të cilave e ka dencouar publikisht dhe tek gazeta Tema, lidhur me dhunimin që ai i ka bërë kundrejt mbajtjes në punë.
Ai po ashtu është denoncuar nga kompani ndërtimi, denoncime që e çuan me pranga në qeli lidhur me arbitraritetin në dhënien e tenderave.
Rasti i Albavia është po ashtu shumë i rëndë. Prej vitit 2008, kompania persekutohet dhe çohet drejt falimentimit duke shpikur ndaj saj taksa që nuk ekzistojnë dhe për të cilat kompania ka fituar vendime gjykatash.
Duke mos i përfillur ato, ai bën çdo vit shtim fiktiv të kësaj takse duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe duke rrezikuar ekzistencën e saj.
Kjo sjellje prej cubi, e shoqëruar e gjitha me një administratë të paaftë dhe militante, ka krijuar në të vërtetë një situatë të padurueshme mes biznesit dhe një cubi provincial, i cili ditën ka punë me prokurorët dhe natën hakmerret ndaj atyre që e denoncojnë.
Është mirë që shembuj të tillë arrogance në qeverisje, të ndëshkohen, dhe cuba të tillë të mos e kenë vendin në zyrë.