Ministria e Financave ka reaguar ndaj pretendimeve të opozitës duke i bërë thirrje asaj t’i japë fund sulmit të pandershëm që po i bëhet çdo ditë administratës tatimore. “Pas 8 vite rrënimi të vazhdueshëm në Tatime dhe Dogana, qeveria e re ka vendosur në krye të administratës staf të kualifikuar, që po punon në mënyrë profesionale.”
Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat nga Tatimet e Doganat jo vetëm që janë rritur me 150 milionë dollarë më shumë se një vit më parë (në 6 muajt e qeverisjes), por kanë tejkaluar edhe vetë planin e vendosur nga qeveria.
“Opozita duhet ta kuptojë se organet tatimore janë të shtetit, jo të politikës. Ato duhen inkurajuar, jo sulmuar. Vetëm duke pasur një staf të kualifikuar në Tatime dhe Dogana mund të rriten të ardhurat e shtetit dhe mund t’i shërbehet në mënyrë profesionale biznesit, duke garantuar konkurrencë të ndershme dhe barazi përpara ligjit.”
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se ka bërë çmos që të dhënat e ruajtura në serverat e Tatimeve të jenë të sigurta, edhe pse sistemi u gjet në një gjendje jofunksionale.