Gjykata e Krimeve të Rënda u është rikthyer sërish emrave të avokatëve kryesisht, të dorëzuara nga Dhoma e Avokatisë, por sërish gjykimi i të pandehurit Dritan Dajti vijon të dështojë, duke shënuar 264 seanca të bllokuara.
Por, duke qenë se edhe me rifreskimin e listës së avokatëve nuk u gjet nje zgjidhje, mësohet se e vetmja mundësi shikohet ndryshimi i ligjit, ku do të tentohet të forcohet roli i avokatit në Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike.
Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, thotë për Top Channel se gjyqtarët nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveçse t’i referohen kësaj liste të re me avokatë, të dërguar nga Dhoma e Avokatise.
“Shumica prej tyre, siç jam informuar nga gjykata, nuk pranojnë që të bëjnë mbrojtjen e të pandehurit, duke nxjerrë si argument pamjaftueshmërinë e eksperiencës profesionale në trajtimin e një çështjeje të tillë delikate”, tha Simoni.
Po përse asnjë avokat nga lista nuk pranon të mbrojë Dritan Dajtin?
“Mendimet tona i kemi hedhur dhe do t’i kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë analizën e rastit në fjalë, në mënyrë që të bëhen ndërhyrje të efektshme për të gjetur një zgjidhje juridike, e cila siç duket nuk mjaftohet vetëm me fortësimin e procedimit disiplinor apo me rritjen e autoritetit të gjykatës. Duhet sjellë një zgjidhje institucionale dhe juridike, një zgjidhje tjetër ligjore dhe për mendimin tonë është një fortësim i kompetencave të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike nëpërmjet kategorisë së avokatëve, të cilët të jenë të angazhuar në kohë të plotë pranë këtij Komisioni”, thotë Simoni.
Nga ana tjetër, në rrugë jo zyrtare mësohet se mes avokatëve që kanë dalë para Komisionit të Disiplinës të Dhomës Kombëtare të Avokatise, njëri prej avokateve ka deklaruar se kishte refuzuar të mbronte Dajtin, pasi ishte kërcënuar, por për këtë dëshmi të avokatit nuk ka kanë nisur ende hetimet.
Një tjetër çështje që po mban peng drejtësinë është ajo ndaj ish-komandantit të Gardës së Republikës, Xhahit Xhaferri dhe vartësit të tij, të cilët po gjykohen në mungese prej vitesh për ngjarjet e vitit 1997. Ky proces gjyqësor për vitin e kaluar ka shënuar 105 seanca të bllokuara, që të gjtha të zvarritura për shkak të mosgjetjes së adresave të dëshmitarëve.