Lulzim Basha po përpiqet të krijojë një atmosferë justifikuese për të shmangur ballafaqimin elektoral vitin e ardhshëm për shkak të problemeve që ka me autoritetin në parti dhe pafuqinë elektorale që mund të shkurtojë ëndrrën e tij për kryetar të Partisë Demokratike. I gjendur para një sërë problemesh të forta brenda partisë, ku ende nuk po mund të zgjedhë dot asnjë kryetar partie apo degë rrethesh, për shkak të hezitimit që ka për t’u përballur me kandidaturat e ofruara nga Berisha, dhe pakënaqësinë e atyre që po spostohen, ai po përpiqet t’i ikë detyrës së tij si kryetar partie, duke tentuar të shmangë ballafaqimin me çdo gjë.
Ai po përpiqet të shmangë ballafaqimin brenda PD. Ai ende nuk ka autoritet mbi grupin e ish- ministrave dhe deputetët e vjetër të PD, që duket se po dalin nga loja. Ai i shikon ata si kërcënim, por nuk bën asnjë hap përpara drejt ballafaqimit me ta.
Ai po shmang ballafaqimin me Berishën. Heshtja e këtij të fundit, sipas parimit që Luli duhet ta dijë vetë se kë do të vendosë ai në krye të partisë, ka bërë që Basha të ngrijë praktikisht në rolin e kryetarit dhe të sillet si një i emëruar, që nuk ka përgjegjësi për partinë e tij.
Por për shkak të kësaj mungese ballafaqimi brenda partisë, ai po përpiqet të shmangë ballafaqimin e madh me kundërshtarin në zgjedhjet lokale pas një viti. Për këtë ka gjetur si shkak reformën administrative, të cilën e konsideron të nevojshme, por jo të domosdoshme.
Në intervistën e tij në TV Klan ditën e premte, ai e shprehu qartë vendimin për të mos marrë pjesë në reformën administrative, dhe paralajmëroi protesta dhe bojkot në rast se ajo miratohet pa pëlqimin e opozitës. Kjo është në të vërtetë skema që të çon tek bojkoti i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm dhe shpëtimin e nderit të Lulzim Bashës si kryetar, që nuk çon dot në fitore Partinë Demorkatike.
Duke e gjykuar si një vendim që lidhet ngushtësisht me karrierën e tij brenda PD, nuk është se e ka menduar keq. Duke humbur thellë zgjedhjet në 70 njësitë bashkiake që do të krijohen nga jugu në veri, për shkak të sistemit mazhoritar që kanë zgjedhjet lokale, ai mund të rrezikojë të dalë jashtëzakonisht keq dhe të vërë në pikëpyetje të ardhmen e tij si kryetar i PD. Për këtë arsye, e vetmja mënyrë për mbijetesë është që të shmangë ballafaqimin me kundërshtarin dhe të gjejë për këtë një shkak që nuk ka lidhje me votën e qytetarëve.
Veprimet e tij të kohëve të fundit, ideja se ai është dakord të negociojë për reformën, ka të bëjë me vendimin e tij të qartë, që ai nuk do të bëhet kjo reformë, dhe se mospjesëmarrja e tij në reformë do të jetë njëkohësisht mospjesëmarrje në zgjedhje vendore.
Naturisht që ky vendim nuk do të kalojë pa pasoja brenda PD. Kundërshtarët e tij, të cilët presin ta “provojnë” kryetarin në betejën e parë elektorale, nuk do ta kenë të lehtë të pranojnë një kryetar që u ikën betejave. Basha duhet të llogarisë që jo vetëm ata, por dhe shumë liderë vendorë të PD-së, që ndjehen të aftë dhe të fortë për të konkurruar, mund të hyjnë në garë duke relativizuar kështu peshën e partisë zyrtare dhe partinë e “vulës”, siç thoshte dikur Pollo për Berishën, dhe t’ia humbasin “vulën” Bashës, edhe pse e mban në xhep si të vetmin aset personal nga PD-ja.
Strategjia e tij për të shmangur ballafaqimin në zgjedhjet vendore të vitit të ardshëm është e qartë, por kjo nuk është një arsye për të frenuar në reformën administrative dhe aq më tepër për të futur Shqipërinë në spiralen e krizës politike për shkak të krizës së personalitetit të një lideri të emëruar.