Më në fund delegacioni u kthye dhe Kunati kishte mundësi të mësonte nga afër çfarë ndodhi në Dublin. Thirri Glorin në zyrë dhe i kërkoi t’i tregonte gjithë detajet.
-Kaluam shumë mirë, i tha Glori. Udhëtim si ky nuk kam bërë kurrë me Doktorin. Është udhëtimi më i mirë i gjithë jetës sime pas atij.
-Po çfarë ndodhi, i tha Kunati, patët shumë mbresa nga takimi?
-Çfarë thua mo, i tha Glori. Unë të them, kemi bërë qejf ta mbajmë mend.
-Po çfarë bëtë, më trego, i tha Kunati. U pritën mirë?
-Hoteli ishte i paparë, i tha Glori. Me pesë yje, kishte dhe mëngjesin brenda. Po mund të merrje sa të doje ushqim. Kafe sa të doje, dy herë e mbusha unë.
-Tjetër, tjetër, i tha Kunati.
-Kushtet ishin të papara. Dhoma kishte dhe dush, dhe vaskë. Ishte qetësi e madhe. Ia kam futur gjumit në drekë dhe më gjashtë mbasdite u çova. Kur zbrita në holl, gjeta dhe Doktorin. Herë e parë që nuk e kam parë të stresuar. Ishte i qetë, po lexonte gazetën.
-Po tjetër, tjetër, i tha Kunati. Ça bëtë që je kaq i kënaqur?
-Shkuam dhe paradite dhe mbasdite në takim, i tha Glori. Aty qejf i madh. Herë e parë që unë nuk kisha asnjë punë. Dhe Doktori ishte shumë i qetë. Mora aparatin tim, që kisha me vete, ia dhashë një kamarieri aty dhe i thashë na bëj një foto të treve. Dhe na ka bë një foto yll, unë, Doktori dhe Luli.
-Po me ndonjë tjetër nuk dolët në foto, i tha Kunati.
-Jo vallai, s’na kaloi ndonjë afër. Dhe nja dy që kisha frikë unë mos na takonin, ndërronin rrugë.
-Po Luli nuk takoi ndonjë?
-Jo, s’kish kë të takonte se ishte me Doktorin, nuk e linte dot vetëm.
-Po për furgonat kur foli Doktori?
-Foli kur ishim të tre bashkë. Në fakt është problem i madh, tha. Na e shpjegoi tamam pse duheshin lejuar dhe pse i ndalojnë këta.
-Po kemi ndonjë dokument që janë informuar këta të PPE për furgonat, tha Kunati.
-S’besoj, i tha Kunati. Vetëm po na kanë përgjuar kur flisnim ne. Duhen zbardhur regjistrimet.
-Po tjetër çfarë bëtë, i tha Kunati.
-Në darkë dolëm të tre. Morëm një taksi dhe dolëm. Qytet i bukur shumë Dublini. Shkuam në një alamet restoranti. Tha Doktori do t’u qeras unë. Po nuk e la Luli. Ishte fanatstik. Kishte dhe birra.
-Po tjetër, tjetër ça u bë ndonjë gjë?
-Po hiç o, ja këto që të thashë, i tha Glori.
-Po ti më the që është udhëtimi më i mirë i jetës sime me Doktorin. Ça kishte të veçantë?
-Po herë e parë që u kënaqa, tha Glori, se nuk takuam asnjeri dhe nuk ishte nevoja të bëja foto. Ta mbaj mend ça qejfi kam bërë. Ti s’e ke idenë ça hiqja unë në këto takime. Duhet të llogarisja kur kalonte Merkeli në korridor, i bëja shenjë Doktorit të ngrihej sikur takoheshin rastësisht dhe t’i bëja dhe foto me celular. Po kështu me Berluskonin, Sarkozinë, etj. Këtë radhë ishim rehat. Unë, Doktori dhe Luli. Gjithë kohën bashkë. U kënaqëm në muhabet. Asnjë stres, asnjë gjë. Këtij i them udhëtim unë. Ku paskam qenë. Më është nxirë jeta më parë.