Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Si mund t’i fyesh gratë më 8 Mars

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Është mirë të protestohet më 8 Mars nga gratë. Në jetën e tyre ka aq shumë probleme, dhunë dhe pabarazi, sa beteja për të drejtat e tyre ka gjithnjë kuptim. Në këtë kuptim është lajm i mirë që dhe sot disa gra dolën para qeverisë për të protestuar.

Problemi është se në një protestë, njeriu është i lirë dhe del aty të thojë atë që ndjen. 8 Marsi është një traditë e lirisë së tyre. Por për ironi të fatit, ato që dolën para kryeministrisë sot, në vend që të protestonin për të drejtat e grave, protestonin për të drejtat e partisë së tyre. Në një farë mënyre protestonin, pse shqiptarët i kanë hequr nga pushteti më 23 Qershor, dhe për këtë shkak ky 8 Mars u dukej 8 Marsi më i keq i historisë së tyre si gra.

Kjo është një nga mënyrat se si mund t’i fyesh gratë më 8 Mars. T’i nxjerrësh në rrugë për interes të burrave, që drejtojnë një parti. Nuk mjafton një vit nën urdhrat e tyre, një vit të papërfaqësuara, një vit pa personalitet publik dhe dëshmi emancipimi nga partia e tyre, por dhe më 8 Mars ato duhet të dalin në rrugë për hallet e një burri që ka ikur nga pushteti.

Të organizosh një protestë për 8 Marsin nga Lidhja Demorkatike e Gruas, dhe të shpallësh si problem kryesor që ky 8 Mars është i keq se ato nuk janë në pushtet, është një poshëtrim.

Kjo është një ditë kur gratë duhet të luftojnë për kauzat e tyre, qoftë dhe kauzën e tyre si gra të PD. Ato ishin para një godine qeverie, e cila është qeveria me më shumë gra në historinë e këtyre 100 viteve shtet, dhe po vajtonin një qeveri ku grua quhej Jozefina.

Ato kanë të drejtë të ankohen për qeverisjen, për standardet e lirisë së gruas në shoqëri, por jo për qeverinë dhe pjesëmarrjen e gruas në këtë adminisratë, pasi duket sikur protestojnë ndaj grave të tjera, që kanë zëvendësuar jo vetëm ato, por dhe shumë burra të tyre në pushtet.

Për këtë arsye, protesta më 8 Mars para qeverisë së sotme ka kuptim të bëhet nga gra që duan të drejtat e grave, dhe jo nga gra që kanë humbur poste politike, pasi ndërkohë kanë marrë pesë herë më shumë gra poste se sa kanë ikur.

Më 8 Mars është një ditë kur gratë duhet të ndjehen së paku formalisht të lira. Partia Demokratike, e cila ka nxjerrë sot gratë në rrugë, ka të drejtë të mbrojë të drejtat e grave dhe të japë shembull si mbrohen ato. Duke i nxjerrë gratë në rresht me parrula që vajtojnë pushtetin e humbur, ata dëshmojnë se nuk kanë ndërmend t’i lënë të lira gratë dhe më 8 Mars.

Është normale të protestohet para qeverisë shqiptare më 8 Mars. Është normale t’i kërkosh asaj kuota më të larta politike për barazinë gjinore, për vendet në Kuvend, për pjesëmarrjen në administratë, për sigurinë dhe rendin në vend, por kjo duhet bërë në emër të gjithë grave dhe jo në emër të disa grave që nuk janë më në pushtet. Para qeverisë vlente të protestonin gratë që u shfrytëzuan në Gërdec, pasi atyre u shkaktoi një fatkeqësi qeveria dhe një biznes i familjes së kryeministrit. Meritojnë të protestojnë vejushat e 21 Janarit, por dhe gratë e dhunuara nga krimi i rrugës apo trafikantët shqiptarë. Kauzat e tyre në këtë vend janë të pafundme.

Por është një trishtim i madh që në vend të tyre të shikosh disa gra të skllavëruara, që kanë lenë ditën e festës jo për të protestuar për veten e tyre, por për t’i bërë qejfin një burri që ka ikur nga pushteti. Ato rrezatojnë kështu pafuqinë e tyre. Njësoj si ato gratë që nuk i kthejnë dot dorën burrit që i rreh, që nuk kanë fuqi të denoncojnë përdhunuesin, që nuk kanë mundësi të bëjnë divorcin, ato nuk kanë mundësi të jenë të lira më 8 mars. Ato janë të detyruara të urdhërohen dhe më 8 mars. Ato janë dëshmi e një skllavërie të re të grave në këtë vend, lidhja me zinxhir pas interesit politik, për t’i përdorur jo si personalitete grash, por si manekine. Dhe këtë e bën një burrë i ikur nga pushteti, që i vetmi respekt që kishte për gratë reflektohej tek fakti se në Partinë Demokratike i bëri burrat gra dhe gratë burra, vetëm që t’i kishte nën këmbët e tij. Është ai që ka gjetur një mënyrë të fyejë gratë e tij dhe më 8 Mars, duke u imponuar hallin e tij si hallin e tyre.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>