Këshilltari i ish kryeministrit Sali Berisha për infrastrukturën, Flamur Kuçi ka sulmuar ashpër Lulëzim Bashën, lidhur më mënyrën se si ai po përpiqet të drejtoj Partinë Demokratike. Kuçi në një koment të tij botuar ne gazeten Shqip, thekson se ka një shqetësim legjitim të mbështetësve të Partisë Demokratike, lidhur me modelin me të cilin Basha po drejton PD.
Ai i kujton Bashës se në fushatën për kryetar bashkie i premtoi Tiranës ruajtjen e interesit publik, por sapo shkoi në bashki e zëvendësoi atë me “zaptimin dhe rizaptimin e hapësirave publike kundrejt “ryshfetit” të zakonshëm, kioskëzimin e pedonales publike në këmbim të përfitimeve të tarafit apo së fundmi të marrëveshjes së dyshimtë me operatorët e transportit publik qytetas për rritjen e çmimit të biletës me gjithë përkeqësimin e shërbimit të transportit në dëm të konsumatorit publik.”
Po ashtu Kuçi e akuzon Bashën për ta tërheq PD në betejat e tij personaleduke theksuar qëndrimet e gabuara në raport me aleatët, qëndrimin refrektar ndaj reformës administrative, dhe vendosjen e saj në funksion të kalkulimeve të vogla në perspektivën e zgjedhjeve vendore të ardhshme?
Ai thekson se “PD-ja aspiratat e gjysmës së elektoratit shqiptar apo po tërhiqet zvarrë prej gjysmëambicies dhe gjysmërastësisë”.
Akuza të ashpra ka dhe lidhur me planin urbanistik të Tiranës ku ai thekson se Basha “ofroi një nivel të ri klientelizmi të lejeve të ndërtimit, denjësisht të krahasueshëm me epokën Rama, klientelizëm që po e tret çdo ditë e më tepër këtë qytet.”
Në fund Kuçi thekson se Basha nuk po ofron rregulla loje PD. Ai e akuzon atë për klientelizëm dhe klane të reja, duke imituar mënyrën se si u soll me Bashkinë e Tiranës.
“Menjëherë pa zgjedhjes si kryetar i Bashkisë Tiranë, ai e pa këtë mundësi si një ushtrim të pushtetit të tij personal dhe jo si një shpalosje të vlerave qeverisëse të PD-së. E reflektoi këtë gjë nga politika e punësimit të tarafit personal deri në flirtimin që ishte më i zellshëm dhe vasalues sesa akordi politik që kishte PD-ja me LSI-në. Ka qenë evident zhgënjimi deri në irritim i militantëve të PD-së me politikën e tij të punësimit”.
Në fund Kuçi akuzon Bashën se ka “i ka kthyer kurrizin qytetit dhe angazhimit të tij si qytetar i parë për t’iu dedikuar angazhimit si kryetar partie”.
Kjo sipas Kuçit është dy herë zhgënjyese si zgjedhje po të kihet parasysh që kopjoi kundërshtarin e tij politik, që me të njëjtën papërgjegjshmëri politike theu një kontratë me publikun.