Kunati është përpara një telashi të ri. Lulit i ka ardhur ftesa nga Partitë Popullore Evropiane për samitin që mbahet në Dublin. Ftesa kishte mbërritur tek Glori, i cili është shef kabineti i Lulit. Glori, instinktivisht, kishte hapur ftesën dhe e kishte parë që ishte nga Partitë Popullore Evropiane dhe ia kishte nisur Doktorit.
Doktori e kish hapur ftesën dhe e kish parë që ajo i drejtohej Lulit, por nuk ishte mërzitur. Mori Lulin në telefon dhe i tha ‘do vish me mua në Dublin se do të kemi këtë mbledhjen e Partive Popullore’.
Luli u vu në siklet dhe pyeti Glorin nëse kishte ftesë edhe për Lulin.
-Për ty ishte shef, i tha Glori, se ata shikojnë listën formalisht, po unë ia çova Doktorit duke menduar se ashtu duhet të bëja.
-Ke bërë gabim, i tha Luli. Të paktën të më njoftoje mua.
-Po me siguri do të njoftojë Doktori, i tha Glori, se ai do ta shikojë emrin tënd aty.
-Nejse, ke bërë gabim, i tha Luli. Herë tjetër jo çdo gjë që vjen në emrin tim, është e Doktorit. Duhet të ma japësh mua një herë.
-Dakord, i tha Glori, por mendova ngaqë këta perëndimorët nuk e dinë tamam si është puna dhe ta dërgojnë ty ftesën.
Pas kësaj, Lulin e kapi sikleti dhe ia qau hallin Kunatit.
-Si do ta shtyj unë dy ditë me atë në Dublin, i tha. Është problem.
-Të pyesim Glorin, tha Kunati, se zakonisht ai shkonte me të.
Kështu e thirrën Glorin sërish të dy bashkë.
-Çfarë bëje ti zakonisht kur shkonit në mbledhjen e Partive Popullore, i tha Luli.
-Shiko shef, se aty s’të lënë aparat fotografik, por po të kesh një iPhone ose Samsung S4, dalin foto shumë të mira. Unë mbaja gati telefonin dhe llogarisja p.sh kur lëvizte doktori mes rreshtave afër kujt do kalonte. Sapo ai kalonte, i bëja një foto dhe e kisha gati. Kur bënte ai deklaratat, shikonte një herë fotot e mia, kujtohej afër kujt kishte kaluar, dhe bënte deklaratën për shtyp, të tipit u takua me zotin…, folën për situatën në Shqipëri…, dënuan bojkotin e opozitës e kështu gjërash.
-Nejse, po ndonjë punë tjetër çfarë bëje, i tha Kunati.
-Kur dilnim nga mbledhja në holl për ndonjë kafe ose drekë, lejohej aparati, tha Glori, por unë prapë i bëja fotot me celular. Aty ke rastin dhe t’i takosh këta kryeministrat, të flasësh me ta dhe të dukesh si mik i tyre. Aty isha i qetë se e kapja në shumë poza, se brenda në sallë ishte siklet sa ta kapje. Bile të dukesh miqësor dhe mund të marrësh ndonjë kafe ose ndonjë pjatë në dorë. Aty është pa lekë ushqimi. Dhe kafet janë pa lekë. I paguajnë të tëra ata shef.
-Dakord, e kuptova, tha Kunati, po kur mbaronin këto takimet, çfarë bënit?
-Po zakonisht Doktori shkonte në dhomë dhe fliste me këta të Shqipërisë. Herë pas here më thërriste mua, më thoshte kemi foton me filanin…, kemi, i thosha unë…, nisja pak Sandrit se i duhet, thoshte…, ia nisja unë. Rrija deri më 2 të natës zgjuar se nuk flinte ai pa u mbyllur gazetat.
-Po kështu dilnit në qytet, në kohë të lirë çfarë bënit?
-Unë kam dalë nja dy herë. Kur ishim herën e fundit, me lekët e dietave bleva ca gjëra shumë të mirë aty afër hotelit ku ishim. Ishte lirë dhe nuk janë gjëra të këqija…
-Nejse, nuk të pyeta për këto gjëra, tha Kunati, por ty si të prezantonte kur takonit të tjerët?
-Mua nuk më prezantonte se unë bëja fotot, tha Glori. Ishte në rregull me mua. Po pse pyet, çfarë halli ke, i tha Glori.
-Po ja, do jetë dhe Luli me atë, tha Kunati.
-Po s’ka problem, ia mësoj unë telefonin Lulit, si bëhen foto, i tha Glori. Dy minuta punë është.