Presidenti Bujar Nishani fton Kryetarët e Grupeve Parlamentare në këshillime për përcaktimin e kritereve konkrete për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë. Sipas një njoftimi zyrtar të Presidencës, Kreu i Shtetit në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese si dhe bazuar në ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë’” në vijim të procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës së Lartë për të siguruar një përbërje cilësore, ditën e martë, më datë 4 mars 2014, do të organizojë takime këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë si pasojë e vakancës së krijuar si rrjedhojë e përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani.
Në këto takime, duke filluar nga ora 10.00 deri në 13.15 janë ftuar të marrin pjesë krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe të Partisë Republikane.