Ermal Petushi
E pranoj paturpësisht që një hotllik si Grida Duma duhet shikuar e jo dëgjuar. E kam ndjekur me vëmendje metamorfozën e saj se si në dy vitet e fundit u transformua nga zyshja simpatike që dilte ne Top Show të fliste për tema sociale, në gestapon e Pëdë-së, në një Henri Çil version femër që s’ka burrë nëne ta mundë në një debat televiziv. S’ka gjë, s’prish punë, për aq kohe sa Tv mund të vihet në modalitet “Mute”…..
Por dje , ah dje natën vonë më zuri syri një shkrim te sajin tek Mapo që fliste për ….te them te drejtën nuk e kuptova. Nuk isha i bindur për çfarë kisha lexuar, por si një fëmijë, kurioziteti më gërryente nga brenda aq sa për të shmangur situata të sikletshme, durova gjer në mëngjes. Në orën 8 të mëngjesit, me shkrimin e Gridës në sqetull si të ishte trakt i partizanëve , ia futa vrapit për në universitet. Direkt tek zyra e profesorit të Anglishtes, pastaj të Italishtes e në fund të Latinishtes. Pas 3 orësh përkthim,redaktim, analizë gramatikore, profesorët e mi u dorëzuan. Ngela i zhgënjyer nga ata por të paktën munda të kisha një ide konfuze se për çfare flitej. Ishte një thirrje për protestën e 20 shkurtit të Pëdë-së. Në atë çast një ndjenjë përgjegjshmërie, ndërgjegjësimi dhe detyre qytetarie më përcolli gjithë trupin e thashë me vete :”Grida po më thërret, dreqi ta hajë, duhet të dal dhe unë në protestë”. E si një qytetar europian jashtë BE-së, u ula në një kafe të reflektoja për çfarë duhet të protestoj nesër. Përfundimet :
Ka 5 muaj që janë ndërruar pushtetet e për faj të Ilirit që e lë te flasë si e ëma e zeqos në majë të thanës, akoma s’guxoj të hap një gazetë, ndez TV apo qoftë edhe të hyj në fejsbuk se do më dalë Saliu gjithandej. Ka 5 muaj që PS është në qeveri dhe kemi akoma 68% të administratës së trashëguar nga Saliu. Do ngre zerin tim si qytetar për të burgosurit politikë që Edi i la të vetëdigjeshin në një mënyrë që edhe murgjit tibetianë do i kishin zili. Do dal në rresht të parë me ish-ministrat që ndërtojnë shtëpitë me kredi me 0 interes, në rresht të parë me taksixhinjtë pa patente, me ish gardistet njisha të 21 janarit, me barkdërrat e ish -policisë së Flamur Nokës, aty ballë për ballë me armikun. Do dal se kam kunjë personale me Saimirin që ma hodhi ne erë apartamentin në ishullin artificial që komshiu im Luli, kishte ndërtuar në bregdetin e Vlorës. Do dal se kemi një borxh të trashëguar në kufijtë e greminës, një CEZ të falimentuar, një polici sakate dhe një krizë të thelluar ekonomike. Do dal dreqi ta hajë, do dal edhe ti tregoj qeverisë që në shqipëri ekziston një opozitë që më përfaqeson, e cila sot është më e fortë se kurrë ,falë dy kryetareve të saj. Do dal me shpresën se do vijë edhe Ben Imami dora vetë, t’i marr një xhiro tankun, që e kam pas ëndërr gjithmone ta ngas ,eh, kush nuk e ka ëndërr. Kam 1000 arsye për të dalë në shesh, e nesër do kem rastin t’ia përplas në fytyrë të gjitha Edit. Do bëj detyrën time si qytetar, ndryshe kam frikë se Grida do më quaje “fshatar”….por s’besoj, ajo do përdorte fjalën “provincial”. Do dal jo vetëm per Gridën, por edhe për Saliun,Nishanin, Lulin dhe…
Oh Luli ,i vocrri Lul. Nesër mbase bie shi, por unë do dal krah per krah me Lulin , e do bërrtas e do ti çirrem Ramës për tramvajin që ka 3 vjet e akoma s’ka nis punimet. Për kartën e studentit. Për rritjen e taksës së pastrimit ndaj biznesit, për trasportin publik falas që më kishte premtuar, bibliotekën, parqet publike ,unazën e madhe….Do çirrem që t’i vëjë vath në vesh Rama, se ka akoma 1 vit kohe, ndryshe vitin tjetër 120 mijë votat pro do t’i kthehen në shuplaka, kësaj herë pa plus-minus 10 vota.
Por, të tregohem i sinqertë deri në fund. Do dal se ma kërkoi Grida, kjo muza ime e vyer që shfaqet kudo sa here që i kam nervat tel, dhe mi përkeqëson, i këput fare. Dua t’i qëndroj pranë në një moment kaq të veshtire e delikat që gjendet PëDë-ja. Nesër në orën 14:00 takohemi në shesh zemër. Unë do jem tek kali i Skënderbeut me shkrimin tënd nën sqetull,duke të pritur…..si një qytetar i vërtetë.
http://www.ermalpetushi.com/