Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kunati analizon efektin e lajmit për pushimet e Zenit në ishujt Maldive

$
0
0

Lajmi që eklipsoi protestën e PD kundër varfërisë, kundër ndalimit të furgonave pa licencë dhe kundër heqjes nga puna të çunit të Mejdanit, ishte lajmi që Zeni ishte me pushime në ishujt Maldive me të dashurën e tij të re.

Kunati u tmerrua nga lajmi, pasi eklipsoi gjithë protestën dhe zhgënjeu shumë demokratët.

Edhe Doktori e kishte ndjerë thellë këtë gjë. Kishte marrë Lulin në telefon dhe i kishte thënë se këtë lajm e ka prodhuar dikush nga brenda PD-së për të shkatërruar protestën.

-Duhet t’i gjejmë patjetër.

Luli, pas kësaj, thirri Kunatin dhe i tha të merrej me një hetim të brendshëm kush mund ta kishte nxjerrë lajmin që Zeni është me pushime në Maldive me të dashurën e re.

Kjo ishte një nga detyrat më të sikletshme të Kunatit. Problemi më i madh ishte se hetimi nuk mund të bëhej aq hapur.

Në rrethin e të dyshuarve ishin grupi që nuk duan Doktorin, ku hyjnë mbështetësit e Olldashit. Grupi i dytë i të dyshuarve janë femrat e PD-së, që bëhen xheloze. Grupi i tretë duhet parë jashtë PD, ndoshta dhe ish- gruaja.

Pasi i mori të gjitha në shqyrtim brenda ditës, kishte një pasqyrë më të qartë të pistave nga ku mund të kishte rrjedhur lajmi. U ul dhe i bëri një raport të hollësishëm Lulit.

Në raport thuhej:

 

“Nga hetimet e mia brenda PD, identifikova disa kundërshtarë tanët, të cilët kanë qenë neglizhentë në përgatitjet për mitingun e PD-së dhe i kanë justifikuar neglizhencat e tyre me faktin që Zeni me të dashurën bënin pushime përrallore në ishujt Maldive. Ja disa nga fjalitë që kanë thënë: “Nuk kam nge të merrem me mitingje. Doktori po të dojë të marrë Zenin, që e ka me pushime me dashnoren”. Ky është një person i afërt me Genc Rulin. Një tjetër i afërt me Boden paska thënë: “Ne na kërkoni të paguajmë 10 mijë leka për miting, Zeni bën pushime 100 mijë euro”.

Këta janë përgjithësisht tipa inatçinj, që janë mundur nga fushata jonë e shkëlqyer e muajit korrik.

Një grup tjetër thashethemesh kanë dalë nga grupi i grave të PD-së. Sekretarja ime kishte dëgjuar tek parukierja, se e dashura e Zenit ka një javë që nuk vjen se është në ishujt Maldive me Zenin. “Ja kishte premtuar për Shën Valentinin atë udhëtim dhe nuk janë kthyer ende.”

Një tjetër informacion vjen nga një palestër në kryeqytet, ku një deputete e PD-së, duke bërë stërvitje, bënte muhabet me një grua tjetër dhe ajo i ka treguar se si ai i kishte blerë të dashurës një kostum banjo 3 mijë dollarë.

Më e rrezikshme mbetet pista e një tjetër deputeteje të PD-së, që tani është e pakënaqur me ne, që paska thënë se “kur rrëzuam bustin më 20 shkurt, akuzuam fëmijët e Enverit që udhëtonin me Benz, sivjet më 20 shkurt djali i kryeministrit tonë harxhon miliona në Maldive”.

Kjo duhet përjashtuar nga partia se e ka mbushur kupën.

Pista e tretë mbetet që medies ia ka dhënë foton dhe ish- gruaja, e cila mund të ketë ndjekur jo pa xhelozi këtë udhëtim të muajit të mjaltit. Sidoqoftë kjo është çështje private dhe nuk komentojmë”.

 

Pasi ia nisi Lulit raportin, Kunati i dëshpëruar u hodhi dhe një sy komenteve online për protestën dhe të dashurën e Zenit në Maldive. Raporti ishte 3 me 1 në favor të çiftit të ri.

-Epo të paktën ne bëjmë përsëri lajm, tha Kunati. Vërtet na injoruan protestën e Doktorit, po të paktën mendjen tek Zeni e kanë prapë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>