Duke komentuar deklaratat e zyrtarit te lartë SHBA, z. Jonathan Moore, i cili kërkoi që qeveria të bashkëpunojë më tepër me opozitën për çështjen e reformave, nenkryetari i LSI Petrit Vasili tha ne nje interviste ne Tv Klan se ”është shumë e rëndësishme që vëmendja e SHBA-ve vazhdon të jetë maksimale, e vazhdueshme dhe njëkohësisht edhe dashamirëse për Shqipërinë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për t’u konsideruar, sepse do të thotë që marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatin dhe partnerin strategjik vazhdojnë të jenë të një rëndësie prioritare dhe të një vëmendjeje prioritare. Nga SHBA-të në njërën anë dhe nga Shqipëria në anën tjetër. Thënë e gjithë kjo i tërë mesazhi, i cili si çdo mesazh tjetër që vjen nga SHBA-të është shumë i rëndësishëm, besoj që duhet të përcillet me mendjehapje dhe në të tërë gjerësinë që ky mesazh ngërthen, jo vetëm për çështje të gjetjes së një mirëkuptimi për një çështje të caktuar, në rastin konkret një nga çështjet që ne kemi është reforma administrative-territoriale, por edhe për të tërë problematikën që ai gjykoi të trajtonte në deklaratën e tij më të fundit në Universitetin “John Hopkins”.Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet që është një mesazh që shkon për të tërë politikën shqiptare, sepse sigurisht ndërtimi i një kompromisi kërkon gjithmonë dy palë. Kërkon gjithmonë dashamirësi të dy palëve, kërkon gjithmonë edhe gatishmëri të plotë për të arritur në kompromis. Besoj dhe jam i bindur që në mazhorancë ka një përkujdesje të jashtëzakonshme për të përcjellë dhe për të reflektuar ndaj çdo mesazhi që vjen, në mënyrë të veçantë nga SHBA-të, jo vetëm si aleat strategjik e mik i madh, por njëkohësisht edhe si udhëheqës i mendimit gjakftohtë për zgjidhjet politike. Njëkohësisht mendoj se duhet të ketë një gatishmëri maksimale për mirëkuptim dhe kompromis edhe nga opozita shqiptare. Kjo do të thotë që përkundrejt formulës së kompromisit për shembull të propozuar për reformën administrative-territoriale dhe opozita të kontribuojë për ta perfeksionuar këtë formulë, duke ndarë çështjen e kompromiseve për një çështje të caktuar dhe qëndrimet për çështje të tjera.
Kjo na ndihmon që të kemi një qëndrim të qartë për secilën çështje më vete. Pra, pa përzier as të kaluarat negative, por njëkohësisht pa i bërë të kaluarat negative kusht për të mos ecur përpara. Ndaj në tërë këtë kuptim besoj që në mesazhin e z. Moore ka mjaft linja udhëheqëse që orientojnë sot politikën shqiptare në mazhorancë dhe opozitë, për të eksploruar çdo hapësirë dhe çdo mundësi kompromisi, sepse mesazhi thotë qartë që ky kompromis nuk ndihmon partitë politike, por ndihmon të ardhmen e shqiptarëve. I perceptuar si i tillë ky duhet të jetë një kompromis i arritshëm dhe i lehtë, i perceptuar ndryshe si një kalkulim taktik politik i njërës apo tjetrës parti do të ishte një gabim.
Mendoj që duhet të ketë një gatishmëri reciproke, nuk ka kompromis as të njëanshëm dhe as të imponuar. Asnjëra palë nuk duhet të vërë kushte, por kur ka një propozim me elemente të forta kompromisi, sikurse ishte propozimi për reformën administrative-territoriale, opozita duhet të jetë shumë e qartë që për këtë çështje konkrete, cilat janë ato që ajo pretendon të ketë më shumë dhe të ndajë këtë çështje nga çështje të tjera, të cilat secila më vete duhen diskutuar më vete duke eksploruar hapësira të tjera mirëkuptimi.
Pra, çështjet nuk duhet të kushtëzojnë njëra-tjetrën, por secila çështje duhet të eci dhe të vijojë rrugën e saj. Ky besoj ishte mesazh i qartë edhe për shumë çështje të tjera që diskutohen në Shqipëri. Pra kompromise, mirëkuptim dhe zgjidhje të çdo çështjeje që vihet në tavolinë me një frymë pa krijuar një do të thosha kooperativizim të çështjeve, pra një çështje që kushtëzohet nga katër të tjera, ndërkohë që pengohen problematika të mëdha, të cilat me çdo kusht duhet të ecin përpara, ku reforma administrative-territoriale duhet të ishte një nga argumentet themelorë, ku duhet të mbizotëronte ajo çka kemi qëllim të zgjidhim ne nëpërmjet saj dhe jo ajo çka mund të na shërbente si një motiv beteje politike.