Të shohim a do t’i dalë për zot kësaj zgjidhjeje ministri aktual i Shëndetësisë Ilir Beqja, apo edhe me të do të ndodhë ashtu si me premtimet e para gati dy viteteve të paraardhësit të tij Vangjel Tavo?
Shëndetësia jonë ka shumë probleme, të cilat nuk mund të zgjidhen menjëherë dhe me buxhetin modest, që ka mundësi të verë në shërbim të saj shteti ynë i varfër. Por disa nga problemet më te mprehta të Shendetësisë sonë janë të mundëshme për t’u zgjidhur, mjafton të ekzistojë vullneti politik i qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë.
Kështu, psh, të marrim konkurset e ditëve të fundit për specializimet e mjekëve në të gjithë Shqipërinë. Vetë Ministri, Ilir Beqja, pohoi, para pak kohe, se në qytetet e Shqipërisë mungojnë rreth 300 mjekë specialistë. Vetëm në qarkun e Beratit punojnë sot 40 mjekë që kanë tejkaluar moshën e pensionit, mbi 65 vjeç për meshkujt dhe 60 vjeç për femrat. Dhe të punosh në provincë tej kësaj moshe në kushte të vështira me urgjenca në orar dhe pa orar ditën, natën dhe gjatë të dielave e festive, – kjo është një sakrificë me rrezik për vetë shëndetin e këtyre mjekëve të moshuar.
Por, pa dyshim që motivimi për të vazhduar punën ndër të tjera është edhe pagesa 25 mijë lekë e pensionit të pleqërisë. Që të mos dalim nga tema, si duhet regulluar kjo mangësi në specialitetet mjekësore në rrethet e Shqipërisë?
Zgjidhja është shumë e thjeshtë dhe këtë e ka shprehur edhe ish- ministri Vangjel Tavo, i vetmi ndër shtatë ministrat e shëndetësisë të pas viteve 2000. Të hiqet lista kombëtare dhe të rivendoset lista rajonale për mjekët specializantë. Por ministri Tavo qendroi pak muaj në karrike dhe nuk pati mundësi ta realizojë këtë projekt. Ç’është lista kombëtare dhe ajo rajonale? Po e shpjegojmë më poshtë:
Lista kombëtare përcakton mjekë për specializim pa marrë parasysh vendbanimin e tyre. Kështu, gjatë 15 vjeteve të fundit specializimet i fituan kryesisht mjekët më banim në kryeqytet, por askush prej tyre nuk shkoi në qytetet për ku ishte destinuar specialiteti, sepse gjetën qoshe për të punuar në spitalet publike dhe private të Tiranës.
Po lista rajonale ç’është?
Kjo listë e zbatuar në vitet e monizmit dhe të tranzicionit deri në vitin 2000 përcaktonte se përparësi në specializimin ka mjeku me vendbanimin në qytetin në nevojë. Kështu, specializimin për Beratin e kishte përparësi mjeku me vendbanim në Berat, për Tropojën mjeku nga Tropoja, për Gjirokastrën mjeku nga Gjirokastra, për Shkodrën mjeku nga Shkodra e kështu me radhë për gjithë qytetet e Shqipërisë. Moszbatimi i listës rajonale dhe venia në përdorim e listës kombëtare është edhe arsyeja kryesore pse sot ka pak specialistë nëpër rrethe.
Po përse u zëvendësua në vitin 2000 lista rajonale me atë kombëtare?
Përgjigja është e kuptueshme: për t’iu dhënë mundësia mjekëve me banim në kryeqytet. Meqenëse Tirana është ndër të parat kryeqytete në botë me më shumë mjekë për frymë popullsie, si edhe fytas e mbingopur me mjekë specialistë, lista rajonale nuk do t’u jepte mundësi për t’u specializuar bijëve dhe bijave- mjekë të qeveritarëve, drejtuesve të institucioneve, ndër to edhe të Shëndetësisë dhe të Arsimit të kryeqytetit.
Atëkohë u gjet zgjidhja, gjoja me cënimin e të drejtave të njeriut, u hoq lista rajonale dhe u vendos lista e sipërpërmëndur kombëtare. Nëse pas konkursit të tanishëm do të fitojnë specialitet mjekët me vendbanimin pranë spitaleve të qyteteve në nevojë,-atëhere mund të shpresojmë që pas katër viteve do të zbutet mangësia e specialistëve në qytetet e Shqipërisë. Të shohim a do t’i dalë për zot kësaj zgjidhjeje ministri aktual i Shëndetësisë Ilir Beqja, apo edhe me të do të ndodhë ashtu si me premtimet e para gati dy viteteve të paraardhësit të tij Vangjel Tavo.
Një problem tjetër që kërkon zgjidhje është shërbimi në fshat i mjekëve të familjes. Aq më tepër që tani po rekomandohet kontrolli mjekësor i njerëzve të moshave 40-65 vjeç, ashtuquajturi çekap nga anglishtja ose si quhej në monizëm depistimi pasiv i sëmundjeve.
Gjatë 23 viteve të fundit ka ndodhur paradoksi: Mjekët e familjes që punojnë në fshat paguhen nga ISKSH në qytet, atje ku ata banojnë. Kjo mënyrë pagese ka patur për rrjedhojë shërbimin e mangët, jo të përditshëm në fshatra të mjekëve të familjes. Kështu, ndonëse jo të gjithë, janë jo të pakët mjekët e familjes që shkojnë 8-9 ditë në muaj në qendrën shëndetësore të fshatit dhe marrin pagesën e plotë mujore. Edhe këtu zgjidhja nuk është e vështirë.
Me krijimin e Bashkive, sipas reformës së re territoriale, pagesa e mjekëve i duhet deleguar njësisë bashkiake që administron fshatrat në qendrën përkatëse shëndetësore. Pra, pagesa duhet të bëhet në fshat, atje ku administrate monitoron ditët e paraqitjes në punë të mjekut të familjes.
Një problem tjetër është mjaft evident për t’u zgjidhur. Janë të shumtë sot shqiptarët që kanë provuar shërbimin në kabinetet mjekësore të spitaleve dhe poliklinikave të huaja. Pacienti, i vetëm ose i shoqëruar nga familjari paraqitet në sallonin e kabinetit mjekësor, merr numurin e vizitës, ulet në ndenjëse, merr për të lexuar një revistë mjekësore dhe prêt me qetësi radhën për t’u vizituar. Po te ne, në Shqipëri? Sikurse edhe gjysëm shekulli më parë, i sëmuri vazhdon të qendroj në këmbë në radhë, shtyhet kush të hyj i pari te mjeku, jo rallë grindet me të sëmurët e tjerë gjithashtu në këmbë në radhë, nganjeherë edhe mund të goditen dhe zakonisht më i forti hyn pa respektuar radhën për t’u vizituar.
Edhe këtu Ministria e Shëndetësisë duhet të verë dorë. Zgjidhja është jo më me shpenzime për të ndërtuar godina të reja, por duke zgjeruar hapësirat, korridoret, sallat e pritjes, dhe duke ngushtuar dhomat e vizitave të mjekëve në ndërtesat mjekësore ekzistuese. Në këto salla pritjeje duhet të vendosen stola, frona etj, revista mjekësore dhe sidomos numuratori që i jep çdo pacienti numurin për t’u vizituar te mjeku. Kështu, edhe të sëmurët e Shqipërisë, si kudo në Europë do të jenë në pritje për t’u vizituar si njerëz, pa vuajtje, pa zenka, pra jo si dikur në radhët e qumështit të viteve 80’ të shekullit të kaluar. Zgjidhja e këtyre tre problemeve është pa kosto të lartë dhe më e prekshme për të sëmurët, sesa reklamimi i aparaturave të reja të sofistikuara apo çekapet, të cilat, ndonëse janë të nevojshme, nuk janë më të rëndësishme sesa problemet e siperpërmëndura
* Autori mban gradën Doktor i Shkencave Mjekësore dhe, përveç profesionit të mjekut, shërben edhe si kryetar i Urdhërit të Mjekëve të Qarkut të Beratit.