Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Të rilindim së bashku

$
0
0

xibri

Nga Fiqiri Xibri

 

Ashtu siç edhe vetë fjala rilindje, programi  elektoral i PS ishte shumëplanësh. Ishte një program inkurajues në përmbajtje, shpresëdhënës në moralin që përcjell dhe frymëzues në objektiva.  Dallohet sidomos në qasjen realiste ndaj problemeve akute, në qasjen  sociale të munguar prej kohësh dhe në guximin për të parë larg, shpresuar dhe besuar shumë.

Është një program që mori edhe më shumë vlerë e peshë në publik ngaqë u hartua në një konsultim hap pas hapi me përfaqësues sinjifikativë të grupeve të interesit dhe që ju prezantua publikut të gjerë në një rrugëtim të përbashkët me këto grupe interesi.

Sigurisht nuk duhet harruar që si program bart me vete të metën e madhe të gjithë programeve elektorale, të metën e të qenit program elektoral, i cili në varësi sa të vullneteve, aq edhe konjukturave politike mund të përbëjë një plan pune të përditësuar qeverisjeje, por mund të hidhet në kosh duke i etiketuar me shprehjen e Berishës si “fjalë elektorale”.

Pavarësisht se rezultati plebishitar i zgjedhjeve më shumë reflektoi vendosmërinë për t’u ndarë nga paloqeverisja e PD, sesa vizionin programor të PS, tani që po përfundojmë fazën euforike të shijimit rezultatit dhe po i kthehemi stresit të përditshëm, ndjejmë gjithmonë e më tepër nevojën e pasqyrimit të rezultatit zgjedhor në cilësinë e jetesës shpirtërore dhe materiale, çka na bën të kthejmë sytë nga veprimet e qeverisë dhe derivateve të saj për të parë zbatimin në praktikë të programit dhe premtimeve elektorale.

Përtej logjikës së kohës së nevojshme për të rimëkëmbur ekonominë në rënie të lirë që trashëguam, shfaqen nevojat tona të paplotësuara materiale, që në kushtet e pamundësisë për një transparencë të përditësuar të veprimtarisë qeverisëse, na shtyjnë të mendojmë se në qeverisje ka diçka që nuk përshtatet, që nuk funksionon, që nuk qëllimohet drejt dhe që mund ose duhej bërë ndryshe. Fillojnë e shfaqen hijet e para të mosbesimit ndaj qeverisjes, ku siç kemi vërejtur nga praktika e të gjitha qeverive pararendëse, urojmë që të mos na ndodhë edhe këtë radhë, qeveria ose nuk i sheh plasaritjet, ose i shpërfill me dashje me forcën e arbitraritetit, duke menduar se edhe nëse plasaritjet shtohen e zgjerohen, mandati nuk i cenohet.

Qeveria e kësaj mazhorance ndonëse imponuese në vlerë numerike, nuk e ka luksin për të neglizhuar me faktorin kohë për  transformimin e programit elektoral në program pune të zbatueshëm dhe që jep kokrra shpejt. As e ka luksin për ti marrë punët njëra pas tjetrës. Reformat rrënjësore janë akute në çdo drejtim. Paritete nuk duhet të mbizotërojnë. Kërkohet paralelizëm jo vetëm për reformat në shëndetësi, drejtësi,  arsim apo rend, por po aq ngutshëm në tatime e dogana, në sistemin e pensioneve dhe skemat e punësimit, menaxhimin e pasurive kombëtare, sistemin ekologjik, funksionimin e jetës kulturore e sportive etj.

Por ka edhe një reformë tjetër, të cilën nuk para kanë qejf ta përmendin qeveritë, reformimi i mentalitetit  të qeverisjes me dyer të mbyllura në favor të bashkëqeverisjes. Ashtu siç u hartua programi elektoral në konsultim me grupet e interesit dhe opinionin publik, ashtu qeverisja duhet të mundësojë tani  jo vetëm konsultimin, por edhe partneritetin me ta në qeverisje. Grupet e interesit dhe njëkohësisht e gjithë shoqëria, nëpërmjet mekanizmave tanimë të provuar, por pse jo edhe mekanizmave të reja, duhet ta gjejnë veten edhe bashkëpunues, edhe bashkëpërgjegjës, edhe bashkëpërfitues në suksesin dhe mossuksesin e ndërmarrjes qeverisëse.

Bilbili i gjyqtarëve zgjedhorë ka fërshëllyer përfundimin e lodrës elektorale. Lojtarë dhe spektatorë të zgjedhjeve, arbitra, policë, kameramanë e gazetarë jemi tani që të gjithë pjesëtarë në betejën e përbashkët për demokraci më funksionale dhe ekonomi më frutdhënëse, pavarësisht se çfarë roli i dëshirojmë vetes, ose çfarë roli na bie radha për të luajtur. Ka syresh prej nesh që kërkojnë të lenë gjurmë në histori, nga ata që duan të bëjnë prokopi, plot janë për sedër, më pak për ideal, por edhe plot të tjerë që rreken tu mbushin fëmijëve barkun me bukë. Ndryshimin dhe trenin në shina e duam të gjithë. Edhe maxhoranca me qeverinë, edhe grupet e interesit, edhe opozita që duket kaq destruktive për momentin. Nuk kemi as kohë dhe as energji për të humbur duke përjashtuar dikë ose duke u vetëpërjashtuar, apo aq më pak të përjashtojmë njëri tjetrin, bashkëluftëtarët. Partira, sindikata e shoqata, politokratë, meritokratë, teknokratë, diplomokratë, biznesokratë, punëmarrësokratë.

1 milion vota nuk u dhanë për një grusht njerëzish që përbëjnë qeverinë, që ata të mendojnë se qënkan Mesia, por që ai grusht njerëzish të vënë gishtin mbi plagë dhe të kërkojnë melhem. I sëmuri nuk kurohet me ilaçe të mira e përdhunë, por me dashuri,  respekt, përkujdesje dhe terapi.

Të rilindim së bashku !

Ndryshe nuk kemi rilindje, por repart eksperimental, arbitraritet, megallomani, ndërrim kastash.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852