Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Terrorizmi dhe një problem mes policisë dhe SHISH

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Një nga elementët më rrezikshëm, që i është shtuar kronikës së zezë kohët e fundit, janë atentatet e komanduara me bomba celulare. Ky fenomen, i cili është shfaqur në mënyrë sporadike vite më parë, tanimë po bëhet popullor sidomos në Vlorë, por dhe zona të tjera të Shqipërisë. Rrezikshmëria e këtij fenomeni nuk ka të bëjë me sasinë dhe as më cilësinë e personave të vënë në shënjestër, por me faktin se deri më sot nuk është kapur asnjë njeri që ka vënë një bombë të tillë. Disa vite më parë, bomba të tilla silleshin nga tregu i Malit të Zi dhe Serbisë me porosi të veçanta, ndërsa tani duket se po instalohen me celularë shqiptarë nga “profesionistë” shqiptarë. Kjo tregon se jemi para një situate të re, ku krimi i organizuar ka perfeksionuar metodat kriminale dhe zbulueshmëria e tyre është zero.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri propozimin e parë që ka të bëjë me ndalimin e shitjeve të paautorizuara të kartave celulare dhe mbledhjen e atyre që janë në treg, një masë e cila kufizon këtë veprimtari. Por ky është një krim i sofistikuar, të cilin nuk e përballon dot vetëm policia. Ky është një krim ku terrorizmi dhe krimi i organizuar kanë ndërtuar një projekt të përbashkët pune dhe këtu kemi për të pasur probleme serioze.

Deri më sot në shënjestër kanë qenë drejtues lokalë, kryesisht në Vlorë, ku kërcënimi për prishje ndërtesash nga qeveria është shtuar dhe ku drejtuesit lokalë përballen direkt me këto pasoja. Prefekti i Vlorës dhe kryetari i Komunës Qendër ishin viktima të qarta të kësaj situate. Edhe pse Berisha, kur tritoli u vihet njerëzve të qeverisë thotë ua vuri Rama, dhe kur i vihet të vetëve thotë ua vuri Tahiri, problem është që krimi ekziston dhe duhet zbuluar dhe luftuar, pavarësisht një plaku të çmendur.

Për këtë është urgjente që të ketë një koalicion të institucioneve të sigurisë kundër këtij fenomeni që buron nga terrorizmi. Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili duhet të ishte në krye të kësaj pune, jo vetëm që është jashtë loje, por duket se më shumë është i interesuar t’i raportojë Berishës se ç’bën qeveria, se sa të merret me detyrat e veta. Ai nuk ka deri më sot asnjë raport serioz as për luftën kundër terrorizmit dhe as për situatën kriminale në vend.

Dhjetëra shqiptarë po rekrutohen nga Al Kaeda në rrethinat e Tiranës dhe po nisen si mish për top në Siri dhe ne nuk kemi asnjë përpjekje serioze nga shërbimi sekret për të evidentuar vatrat e këtij rekrutimi dhe për t’i eliminuar ato qoftë dhe ligjërisht. SHISH po ashtu ka krijuar një hendek në raportet me policinë dhe nuk funksionon bashkëpunimi në terren për krimet me natyrë terroriste siç janë hedhjet në erë me telekomanda.

Për këtë Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të bashkëpunimit polici- SHISH dhe agjencitë e tjera në luftën kundër akteve të tilla terroriste. Shërbimi Informativ më shumë po harxhon kohë duke punësuar ish- zyrtarë të vjetër, që falen në xhami, se sa të merret seriozisht me luftën kundër terrorizmit. Është urgjente që Shqipëria të ndryshojë tërësisht kontributet e saj në luftën kundër terrorizmit, duke reformuar së pari Shërbimin Informativ, qoftë dhe duke ndryshuar ligjin për SHISH, duke i dhënë prioritet bashkëpunimit me SHBA në luftën kundër terrorizmit dhe vënien në dispozicion të policisë të gjithë informacionit mbi këto akte terroriste.

Shqipëria ka nevojë urgjente të trembë terrorizmin duke i treguar atij se shteti ka në dorë informacionin mbi ta dhe rrjetin e organizuar të atentatorëve me telekomandë. Deri më sot ata janë grupi më triumfalist i krimit në historinë e këtij vendi, pasi kanë vetëm viktima dhe asnjë autor. Ky është një krim i ri i sofistikuar, i cili kërkon doemos angazhimin e shërbimeve inteligjente në bashkëpunim të fortë me policinë për t’i zbuluar. Dhe për këtë duhet të mos kemi këtë distancë të frikshme mes një shërbimi sekret, që punëson vetëm ish- zyrtarë myslimanë dhe raporton në PD, dhe një policie të kapur në befasi nga sofistikimi i krimit dhe pasojat traumatike të tij.

Pas 11 Shtatorit, SHBA u detyrua të prodhonte një super- shërbim sekret për të pasur në një dorë gjithë informacionin për terrorizmin. Shqipëria po përballet me një valë terrorizmi, e cila ka nevojë në mos për një super- agjenci, për një bashkëpunim perfekt mes agjencive të sigurisë. Kështu nuk mund t’ia dalë, pasi krimi është më inteligjent se një shtet i përçarë nga kontrolli i ndryshëm i pushtetit politik.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>