Disa javë më parë, në një takim me një ambasador të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në Tiranë, po diskutonim për Qarkun e Lezhës dhe i thashë se është e çuditshme si Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk reagoi për mandatin e Vasil Bicit, i cili u detyrua në heshtje t’i hapte rrugën një deputeti të PD-së, i cili më 23 Qershor u përfol zyrtarisht si i përfshirë në përleshje me armë, ku mbeti i vrarë një person. Zëvendësimi u bë në heshtje, pa bujë, dhe Vasil Bici, një trajner i njohur i futbollit, kushëri i parë i Aleksandër Frangajt, nuk arriti dot të mbronte vendin e tij në Kuvend. Nuk foli askush, bile i tregova diplomatit se është turp dhe për median, përfshi dhe mua, që nuk u morëm me këtë çështje.
Por sot historia po përsëritet. Disa gra kandidate të së majtës po i hapin udhë hyrjes në Kuvend të një kandidati, që ka qenë i treti në listën e Partisë Socialiste në Lezhë, por ka humbur për pak vota. Detyrimi për të ruajtur kuotat gjinore u jep shansin disa grave të hyjnë para tij, edhe pse ai është i pari në listën e pritjes. Por ndryshe nga heshtja e PS dhe LSI, PD nuk heshti dhe me thënë të drejtën u gëzova kur folën. Mendova se do thoshin diçka për kandidatin. Por as këta nuk thanë. Të gjithë që folën, bënin sikur kishin hallin e kuotave gjinore, ndërkohë që Lezha i ka dy gra në Kuvend dhe qeveri nga e majta, Kryemadhin dhe Kodhelin. Prisja ta thoshte Paloka si kryetar i Grupit Parlamentar, por nuk e tha. Arsyeja është se është një nga njohësit e afërt të kandidatit socialist për deputet, që futet në Kuvend. Prisja të thoshte akuza konkrete Basha, por për çudi nuk tha. Dhe ai vazhdonte të qante hallin e grave. Topalli dhe Bregu po ashtu e kanë më të lehtë t’u qajnë hallin grave se sa të flasin për burrin që hyn në Kuvend. Dhe ngurrimi i tyre e ka një shpjegim. Ata para dy muajsh kanë detyruar të heqë dorë një deputet burrë i tyre, një njeri i klanit më të afërt mediatik të Berishës, për t’i hapur rrugë një deputeti, i cili mund të ketë dhe punë me drejtësinë nëse del përgjegjës në ngjarjen e 23 Qershorit, ku ngeli i vdekur nga shkëmbim i zjarrit një mbështetës i LSI.
Unë nuk di të them sa përgjegjës është për ngjarjen deputeti në fjalë, por Policia e Shtetit ia përmendi emrin ditën e ngjarjes dhe LSI bëri akuza konkrete për të. Më pas ai ishte i pesti në listë dhe hyri në vend të deputetit të katërt të Lezhës, që u detyrua të ikte me bisht në shalë nga vendi në parlament.
Tani gjendemi para një situate identike për të dy blloqet kryesore. Të dyja blloqet, si shumica dhe opozita, kanë detyruar deputetë të dorëzojnë mandatet për t’i hapur rrugën dy personave të caktuar, të dy të përfolur. Deputetit të PD i ka dalë emri në një konflikt të armatosur me pasojë vdekjen, deputetit të PS i ka dalë emri në Kuvend nga Berisha si “përfaqësues i mafies”, edhe pse Berisha e ka pasur zyrtar të lartë në administratën e tij.
Sidoqoftë, në raport me Partinë Socialiste, demokratët janë për t’u lavdëruar që nuk kanë pengesë të denoncojnë kundërshtarin në raste të tilla. Socialistët dhe LSI heshtën për Vasil Bicin e gjorë, jo se kanë respekt apo frikë për Fufin, por se thjesht me sa duket kanë pasur plan të ngjashëm për vete. Simetria në këtë rast, edhe pse nuk është simetri, vlen të përdoret, por më shumë vlen të përdoret asimetria e reagimit të PS– LSI dhe PD ndaj fenomenit. PD reagoi ashpër a thua se vetë nuk kishte bërë këtë gjë dy muaj më parë, ndërsa PS- LSI heshtën atëherë dhe sot. Kjo është një asimetri shqetësuese, që tregon se ka pak instinkte dhe veprime politike në të majtën shqiptare. Shumica e deputetëve dhe politikanëve të majtë kanë filluar të mendojnë si menaxherë dhe jo si politikanë. Ata nuk llogarisin faktin se opinioni publik kërkon qëndrim politik ndaj fenomenit dhe nuk i interesojnë raportet private të tyre me deputetët në gjithë krahët.
PD dhe Berisha dëshmoi se është një forcë shumë më politike se e majta, pasi një gjë që e ka bërë vetë dy muaj më parë, sot e përdor si akuzë kriminale ndaj kundërshtarit. Dhe nuk ke çfarë t’u thuash. Thjesht u ka mbetur t’i kërkojnë ndjesë Vasil Bicit dhe t’i shprehin me vonesë keqardhjen që nuk ngritën zërin ditën që e zbuan me bisht në shalë nga parlamenti. Më mirë vonë se kurrë.