Ka disa muaj që po përfliten dy kërkesa, njëra e palës greke dhe tjetra e palës maqedonase për devijimin e dy lumenjve që kanë zanafillën në këto dy shtete, në favor të projekteve të tyre rajonale. Lajmi ka ngjallur një lloj shqetësimi në opinionin publik, sidomos ai që ka të bëjë me lumin e Radikës në Maqedoni, i cili ka një rëndësi jetike për Dibrën, por dhe për regjimin e ujërave të Drinit të Zi i cili përfundon në Shqipëri.
Dje, disa aktivistë të shoqërisë civile protestuan në Tiranë rreth kësaj situate dhe kërkojnë anulimin e projekteve. Disa prej tyre nën shkëlqimin e protestave për armët kimike, dukeshin edhe më të vendosur.
Por, çfarë është në të vërtetë kjo histori?
Sa i përket Vjosës, nuk ka ndonjë hap konkret për ndonjë projekt nga pala greke, por nuk përjashtohet mundësia që të ekzistojë ndonjë projekt ide. Duke e njohur mirë regjimin e ujërave të atij lumi, dhe sasinë e ujit që hyn nga Greqia në Shqipëri, mund të thuhet pa frikë se ka shumë pak shanse që ujërat e Vjosës që nis nga Greqia, të shërbejnë për ndonjë projekt serioz. Në raport me ujërat që merr Vjosa nga Tri Urat deri në Vlorë, sasia e ujit që kalon nga Konica në Tre Urat, është më pak se një e dhjeta dhe nuk më duket se do t’ia vlente ndonjë projekt me atë përrua që hyn nga Greqia në Shqipëri.
Sidoqoftë, kjo është çështje teknike. Çështja politike që detyron Greqinë dhe Shqipërinë të merren vesh në këtë rast, ka të bëj me legjislacionin ndërkombëtar për përdorimin e ujërave të cilën të dy shtetet e njohin dhe e zbatojnë.
Me lumin e Radikës ka hapa konkret. Maqedonia ka një projekt ide konkrete për të devijuar atë në favor të ndërtimit të një hidrocentrali dhe për t’i ndryshuar derdhjen duke e çuar në Vardar. Edhe pse është projekt ide dhe jo në formën e ndonjë vendimi qeverie, ai është shqetësues, pasi bie ndesh me marrëveshjen dy paleshe Shqipëri- Jugosllavi të vitit 1966 mbi përdorimin e ujërave të përbashkët, marrëveshje që Maqedonia e njeh, pasi ka marrë përsipër detyrimet e ish -Jugosllavisë për pjesën e saj kur është shpallur shtet i pavarur. Ajo është po ashtu e kushtëzuar nga legjislacioni evropian dhe ai ndërkombëtar për këtë çështje, si dhe nga marrëveshjet shumëpalëshe që janë lidhur mes shteteve të rajonit për liqenet e Prespës dhe Ohrit.
Pra, në një farë mënyre në të dy rastet kemi një zhurmë për projekt ide të cilat bien ndesh me ligje ndërkombëtare dhe dypalëshe dhe e drejta është në anën tonë.
Por, të kthehemi dhe një herë tek protesta e djeshme.
Duke qenë se të gjitha palët në vend bien dakord që legjislacioni kombëtar, marrëveshjet dypalëshe, si dhe legjislacioni ndërkombëtar e ndalon këto projekt ide, e vetmja arsye për të protestuar është nëse kemi një marrëveshje të fshehtë mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke dhe maqedone për t’i toleruar këto projektime. Në një farë mënyre, do t’ia vlente të protestohej, nëse do ishim në pozitat e mungesës së thellë të transparencës që ka shoqëruar marrëveshjen për ujërat detare me Greqinë, të cilën Basha dhe Berisha e firmosën një ditë pra nisjes së fushatës elektorale më 2009 për të siguruar ndikimin e Athinës mbi pakicën greke në Shqipëri në favor të tyre dhe mbështetje për të dorëzur kërkesën për marrjen e statusit që nuk e kemi marrë ende.
Situata nuk është e ngjashme, biles është e kundërt. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Energjetikes, Damian Gjiknuri, kane koordinuar qëndrimet e tyre për ketë çeshtje dhe janë qartazi kundër. Bushati ka takuar edhe faktorin shqiptar në Maqedoni, duke u shprehur se Shqipëria nuk do të jap pëlqimin e saj për këtë çështje dhe do mbrohet përmes të drejtës ndërkombëtare. Për Greqinë nuk ka ndonjë kërkesë konkrete, por qëndrimi vlen njësoj.
Në këto kushte protestat janë paksa të nxituara dhe duket se i mban gjallë vlaga e protestave të disa muajve më parë, kundër një çështje vërtet të ndjeshme. Në kushtet kur qeveria shqiptare, dhe politika shqiptare në Maqedoni, nuk i pranon këto projekt ide, protesta në Tiranë nuk ka shumë sens, biles dhe sikur të jetë në mbështetje të vendimeve të qeverisë shqiptare. Është tjetër gjë protesta në Maqedoni, pasi ata e kanë problem me qeverinë e tyre. Ata janë në punë të vet. Protesta në Tiranë mund të bëhet në mbështetje të tyre kundër qeverisë maqedonase, por jo si një protestë që i kërkon llogari Tiranës. Duke nxituar të vënë shishen në radhën e qumështit për çdo protestë, disa aktivistë duket se bëjnë nxemje për një protestë për një zhvillim ku qeveria e tyre është në anën e protestuesve. Ky është paradoks dhe një shpërdorim i madh i të drejtës për protestë, të cilën mezi e rifituam nga liria që solli 23 qershori. Tre vjet më parë më 21 janar, Lulzim Basha dhe Sali Berisha vranë jo vetëm katër qytetarë, por dhe guximin për të protestuar. Meqë 23 qershori e riktheu guximin, është mirë mos ta shpërdorojnë.