Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

INTERVISTA/ Meta: Ka ardhur koha për ndryshime Kushtetuese. Ja pse e toleroj Berishën në Kuvend

$
0
0

metaKryetari i Kuvendit Ilir Meta shpreht pro ndryshimeve në Kushtetutën e vendit, ndërsa thekson se pas 15 vitesh të miratimit të saj, ka ardhur momenti për një qasje serioze ndaj dokumentit themeltar të shtetit. Meta në një intervistë për ‘Java’ komenton ecurinë e koalicionit qeveritar dhe raportet mes LSI dhe PS-së, sikundër nuk ndan të njëjtin mendim me kryeministrin Rama, sipas të cilit në këto 100 ditë të qeverisjes nuk është gabuar asnjëherë.

Qoftë ju, qoftë zoti Rama keni kaluar Rubikonin dhe jeni bashkë në qeverisjen e majtë duke lënë pas një histori të gjatë miqësie dhe kundërshtimesh. Sa duket se po funksionon aleanca e re?

Konstatimi juaj dhe më shumë se konstatimi, pyetja, duket se ngjallin habi. Në fakt, historia është më e thjeshtë dhe nuk ka vend për dilema. LSI dhe jo unë personalisht, që nga prilli i vitit të kaluar erdhëm në pozicionin tonë normal politik. Dhe kjo nuk ishte një lëvizje e një kahshme. Edhe PS bëri të njëjtën lëvizje gjithashtu të natyrshme për të majtën dhe siç dëshmuan zhvillimet politike në vend, kjo ishte lëvizja e duhur. Nuk ishte një akt politik që synonte vetëm dhe thjesht rotacionin politik. Nuk ishte vetëm mekanizmi i nevojshëm për rikthimin e të majtës në pushtet. Për mendimin tim ishte shumë më shumë se kaq. Ishte nevoja për t’i dhënë vendit një qeverisje ndryshe, një qeverisje që do të mund t’i jepte vendit më shumë shpresë dhe një vizion të ri. Vota e 23 qershorit ishte noterizimi publik i kësaj domosdoshmërie që askush prej nesh nuk mund t’i shmangej. Më shumë se vendim i strukturave të partive që ne drejtojmë, ai ishte vendim i qytetarëve. Sa për Rubikonin – ai lumë ka pasur ngjyrë të purpurt si e majta evropiane – po t’i referohemi historisë sërish, mund t’ju them gjithashtu se as Rama dhe as unë nuk jemi Cezari. Në rastin më të mirë dhe fatlum, unë së paku, do të doja të isha shërbëtor i qytetarit. Në politikë miqësia dhe armiqësia personale është një faktor i nevojshëm për mbarësinë e punëve, por jo i domosdoshëm. Në politikë ka rregulla të tjera dhe ajo funksionon sipas kodesh të shkruara e të pashkruara morale dhe etike. Këto rregulla, por sidomos programi i përbashkët qeverisës bëjnë që aleanca jonë të jetë solide dhe të funksionojë normalisht. LSI do të vazhdojë të japë prova se respektimi i kontratave politike nuk varet as nga humori i çastit dhe as nuk zgjat vetëm për një çast. Ka dëshmuar se di të identifikojë dhe ndjekë si prioritete të saj, ato që janë realisht prioritete kombëtare, si për shembull integrimi i vendit, dhe të sakrifikojë për to. Po t’i lejoja vetes vetëm një grimë nostalgjie, për ata që kanë njohur të shkuarën dhe të sotmen e LSI-së, mund të jetë i vërtetë pohimi se askush tjetër nuk ka sakrifikuar aq shumë sa LSI në skenën politike sa kjo parti. Edhe përballë zhgënjimeve, edhe atëherë kur dukej se kishim edhe fatin kundër, edhe atëherë kur basti i skeptikëve kundër saj ngjante bast i fituar. Nga ana tjetër, në Tiranën politike shpesh ngrihen mure moskuptimi edhe për shkak të keqkuptimeve që vijnë nga mungesa e komunikimit. Për të qenë sintetik në përgjigje për pyetjen tuaj, po ju them se jemi në komunikim të vazhdueshëm me PS-në dhe kryeministrin Rama dhe vazhdimi i komunikimit është i garantuar. E them këtë sepse më shumë se për të shkuarën, do të doja të flisja për historinë e të ardhmes në marrëdhëniet mes dy partive tona.

Keni pranuar dhe vetë se shkelni rregulloren e Kuvendit me mundësinë e pa kufizuar që i jepni ish-kryeministrit për të folur. E konsideroni normale një gjë të tillë?

Kam folur për një fakt të tillë pothuaj çdo seancë plenare të Kuvendit. Duke u dhënë përgjigje të majtëve që e kritikojnë një gjë të tillë dhe të djathtëve që deri dje nuk para i kishin fort mirë punët me lirinë e fjalës në Kuvend. E vërteta ime ndodhet në mes dhe i kam dhënë shpjegimet e mia jo duke mbrojtur vendimin tim, por duke menduar shpesh se pse ende në kulturën tonë politike ne merremi pafund me detajin dhe formën dhe jo përmbajtjen. Çfarë ndodh në Kuvend? Ish-kryeministri i vendit dhe ish-kryetari i opozitës, por ende kryetari real e shpirtëror i opozitës flet pothuaj sa herë kërkon fjalën. Çfarë të keqe ka këtu? Vetëm nëse pranojmë si të drejtë traditën e keqe të së shkuarës kur opozitës i mbyllej goja deri dhe me përdhunë. Fjala e pathënë të ve në presion. Edhe atë që nuk arrin ta thotë, edhe ata që nuk arrijnë ta dëgjojnë. Në filozofinë time presioni i tillë është i dëmshëm. Përjashtimi për zotin Berisha vjen dhe vlen për Kuvendin: sot ka hapësira të pafundme për fjalën, edhe atëherë kur ajo nuk është ajo që do të duhej. Po të konsiderohet mëkat një gjë e tillë, unë jam i gatshëm të gjykohem për këtë mëkat, por jo të heq dorë prej tij. Dhe e fundit, është zgjedhja ime e pandryshueshme: pranoj më mirë të më akuzojnë për tolerancë sesa të shfaq arrogancë!

Ndryshime të mundshme kushtetute, nëse po, ku konkretisht?

Gjashtë vjet më parë LSI ka kundërshtuar fort ndryshimet kushtetuese, por atëherë ishte në pakicë. Kundërshtimi ynë i dikurshëm nuk kishte të bënte vetëm me pjesët e prekura të saj, kryesisht ato që kishin të bënin me ndryshimin e sistemit zgjedhor apo dhe zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit të Republikës. Ato kishin të bënin dhe me procesin sesi u kryen këto ndryshime. Por kjo është përsëri histori e të shkuarës dhe parapëlqej të flas për të ardhmen. Kushtetuta është si një vend i shenjtë në të cilën nuk hyhet as me arrogancë, as me zhurmë dhe as natën. Por nga ana tjetër Kushtetuta nuk është tabu. Ajo është një trup i gjallë, dinamik që duhet të përshtatet me dinamizmin e vetë shoqërisë shqiptare. Klasa politike vendase besoj se ka pjekurinë e nevojshme tashmë, që 15 vjet pas miratimit të Kushtetutës të ketë një qasje serioze ndaj saj. Ajo ka gjithashtu “luksin” e ekspertizës më të mirë të partnerëve ndërkombëtare, por dhe eksperiencën dhe traditën e saj. Kushti i vetëm dhe i panegociueshëm është që procesi duhet të jetë i besueshëm, transparent e publik. i ngjashëm me procesin që është bërë 15 vjet më parë me hartimin e dokumentit themelor të shtetit. Më lejo të përsëris diçka që e kam thënë dhe më parë: në politikë shpesh procesi është po aq i rëndësishëm sa dhe rezultati përfundimtar.

Rama tha se nuk ka gabuar askund në 100 ditët e para, ju si aleat strategjik i PS-së, shihni ndonjë gjë që mund të ishte bërë më mirë?

Nuk mbaj mend të ketë qenë kaq kategorik zoti Rama në këtë konstatim që ju citoni. Të përkryera janë vetëm idetë, realiteti nuk është gjithmonë kështu. E rëndësishme është që qeverisja e re e vendit ka ide të qarta për të ndryshuar realitetin e përditshëm dhe jetësor të shoqërisë shqiptare. Ka gjithashtu edhe vullnetin, edhe vizionin. Kundërshtari real i saj në këtë sipërmarrje shumë të madhe është pritshmëria e qytetarëve, e votuesve të majtë e të djathtë dhe atyre që nuk kanë preferuar të shprehin vullnetin e tyre me votë. Në këtë drejtim, në krahasim me pritshmëritë besoj se ka ende shumë hapësirë për përmirësim, në krahasim me realitetin, besoj se qeverisja ka hedhur hapat e parë të duhur e të nevojshëm. E rëndësishme është që ka progres dhe që progresi nxit dhe vetveten.

Si ndjeheni kur Rama dhe ministrat e tij sulmojnë ashpër dikastere që i ka drejtuar partia juaj përpara 23 qershorit?

Mungesa e insistimit tonë për të drejtuar përsëri ministritë që u drejtuan nga përfaqësues të LSI-së gjatë katër viteve të shkuara ishte një veprim etik, i përgjegjshëm dhe në kontribut të transparencës. Megjithatë, parapëlqej të flas më shumë për të nesërmen dhe ardhmen; ato kërkojnë përqëndrim maksimal tek reformat ekonomike të cilat duhet të përshpejtohen e sidomos, tek përmirësimi i klimës ndaj biznesit. Një vend pune më shumë që hapet është jo vetëm burim të ardhurash për një individ dhe familjen e tij, por është dhe një gëzim më shumë, një frymëzim më shumë për një shoqëri solidare dhe me të ardhme.

Intervistoi Ben Andoni per Revisten JAVA.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>