Ish zëvendës-Presidentja e Parlamentit gjerman, Petra Blass i është bashkuar sot ekipit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në pozicionin e këshilltares. Lajmin e ka bërë të ditur edhe Ministri Veliaj në një postim të tijin në Twitter: “Jam i lumtur që ish zv.Presidentja e Bundestagut gjerman, znj. Petra Blass, iu bashkua skuadrës tonë si këshilltare speciale. Mirë se erdhe në ekip!”, ka shkruar ai.
Petra Blass është diplomuar në Universitetin e Berlinit, në Departamentin e Studimeve Gjermane, për Histori dhe Pedagogji. Nga viti 1998-2002 ka qenë anëtare dhe zv. Presidente e Bundestagut gjerman. Më pas është angazhuar në shumë projekte në fushën e bashkëpunimit parlamentar në vende të ndryshme të Ballkanit, duke veçuar këtu edhe Kosovën.
Në Shqipëri, Petra Blass është angazhuar me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Fondacionin Friedrich Ebert dhe Agjencinë Austriake të Zhvillimit.