Isak Njutoni kishte futur njëherë një gjilpërë gjigante nën qepallë për të parë se çfarë fshihej përtej. Van Gogu, maniaku kreativ, ishte ai që preu veshin e vet me brisk. Gjeniu thuhet se vuante nga sëmundje të rënda mentale. Mikelangjelo refuzonte të zbathte këpucët. Ato i jepnin siguri, ndonëse kundërmonin. Edvard Munch, Tycho Brahe, Samuele Morse, Richard Dadd, Paul Gaugin, Francisko Goya, janë vetëm disa prej “bastardëve” gjenialë që kanë ndryshuar kursin e botës. Secili prej tyre ka pasur një dozë marrëzie në vete, kush më pak e kush më shumë.
Chesterton, shkrimtari anglez që u thirr “princ i paradoksit”, thotë se imagjinata nuk ngjall marrëzinë, por arsyeja e bën këtë. Ai argumenton se është e rrallë që artistët dhe poetët të çmenden. Por, kundër tij janë të gjithë shkencëtarët, kursi i studimit të të cilëve shkon përtej, dhe në shumë raste vërteton të kundërtën. Një haraç për lunatikët?
Arroganca e disa prej figurave kaq të vogla të ambientit po kaq të vogël shqiptar, të ngjan si një shpallje në shtratin e vdekjes të atyre që duan të ngjallen patjetër e të lënë shenjë, qoftë kjo edhe krejt pafytyrshëm.
Dikur ka pasur heronj të vërtetë, kështu të paktën na e mëson historia dhe legjendat, sot janë artistët e çmendur ose vagabondët modernë. Sa shumë gjeni të paditur e sa shumë lëvdata retorike dhe sharje retorike.
Disa prej tyre ka kohë që na e kanë bërë mendjen tërkuzë me veprimet “e çmendura”, kjo ose në emër të një diskursi kulturor, ose në emër të një vlere të munguar, që pretendohet të jetë universale artistike. Fatos Lubonja, p.sh. pak ditë më parë paskësh thënë “Më shumë emocionohem kur e dëgjoj Bethovenin se sa himnin kombëtar”.
A është fjala për një filozof të çmendur apo për një globalist provincial? – Mbase është një ‘doctor universalis’ që padashur pohon molisjen dhe barbarinë e vet. Të mendosh, të analizosh e të thuash, janë akte të natyrshme të inteligjencës. Por jo edhe atëherë kur thuren lavde e rrënohen piramida të qëllimshme e të rastësishme mbi mendimet e thesarin e tjetërkujt.
Paqartësia dhe molisja nuk janë një zbulim.
Një aktor që shkruan keq, dhe që ndoshta nuk ia vlen t’i përmendet as emri, paskësh shkruar se “Hashim Thaçit i vjen era”! A është kjo një mungesë e njerzillëkut të një aktori që pretendon të bëhet artist, apo një ekzibicionizëm i tij, për ta bërë “popullor” veten, qoftë edhe duke u treguar budalla, i çmendur, i pafytyrë, apo të gjitha bashkë.
Të shtirët i çmendur duhet të jetë variant i ‘prodhimit kinez’ të marrëzisë… Në variantin e tyre, gjurmët janë të dukshme, të dobëta dhe lehtë të deshifrueshme.
Artistët e estradës dhe rrëfimi për zogun, janë bërë kryefjala e popullaritetit të munguar dhe eksperimenti shqiptar për “seksin e munguar”, ose “yzerhanja publike” ku të gjithë ngërdheshen pa ditur se kjo nuk mund të jetë formë e një komunikimi as artistik e as kulturor. Është për të qarë, kur dikush provon t’i kapë majat e suksesit edhe me” zogun” si vlerë. Zogu megjithatë është shpend i bukur. Rrahja e tij në publik është tërësisht shpifëse dhe për më shumë ‘jonjerëzore’.
Vali korleone shqiptar fatkeqësisht nuk ka pasur një ‘zog’ që ta rrahë, por pati mundësinë të tregojë se si media vihet në shërbim të provincializmit kulturor. Një përpjekje për pompozitet apo një haraç për lunatikët?
“Abnormaliteti artistik” i një grupi të ashtuquajtur artistësh, këngëtarësh, filozofësh e gazetarësh, veç sa per t’u bërë të ndryshëm nga të tjerët, apo të “famshëm” pa pasur asgjë të veçantë, japin provincializmin kulturor dhe ilustrojnë tendencën dhe marrinë e ‘gjeniut’ të paditur.
Përfundimisht të gjitha këto, janë imitime të zbehta të të gjithë artistëve të mëdhenj, emrat e të cilëve edhe rastësisht kanë mundur të renditën në këtë shkrim.
Kjo ma kujton atë storjen e vlonjatit me të birin, kur ai i rrëfehet të atit se është “gay”…Dhe kur i tregon i biri se çka do të thotë “Gay”, i ati ia kthen: “Jo mor babë, gay janë Michael Jackson, George Michael…po ti qenke byth q…”
*ZERI