Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Distancë, por dhe përgjegjësi

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Disa dhjetëra qytetarë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, duket janë rekrutuar nga celulat e luftës në Siri në përpjekje për të themeluar një shtet mysliman mes Sirisë dhe Irakut, siç deklarojnë në objektivat e tyre. Disa raporte gazetareske rreth mënyrës së rekrutimit të tyre janë shqetësuese pasi flasin për vatra rekrutimi dhe xhami konkrete në Shqipëri dhe Kosovë si dhe adresa të njohura në rrjetet sociale dhe ueb.

Në Kosovë ka një iniciativë të ndërmarrë nga Ministri i Jashtëm i Kosovës që këtyre qytetarëve t’u hiqet shtetësia e Kosovës. Iniciativa ka rëndësi për të distancuar shtetin e Kosovës nga këta elementë, por nuk zgjidh çështjen e përgjegjësisë së shtetit ndaj këtij zhvillimi.

Për këtë do të ishte më e udhës që Shqipëria dhe Kosova të ndërmerrnin iniciativa të përbashkëta ligjore për të ndëshkuar këtë fenomen, por dhe për të rritur përgjegjësinë shtetërore në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Duhen amenduar kodet penale dhe duhet parashikuar në to, që persona të tillë të hetohen dhe gjykohen në Shqipëri dhe Kosovë për vepra penale në ndihmë të terrorizimit ndërkombëtar. Heqja e shtetësisë nuk është zgjidhje, pasi ajo forcon agresivitetin e tyre dhe distancon shtetet tona nga përgjegjësia në luftën kundër terrorizmit. Hetimi dhe gjykimi i tyre në vendet përkatëse, është një masë më e përgjegjshme dhe më serioze në luftën kundër terrorizmit.

Institucionet e inteligjencës në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të hetojnë dhe çojnë para drejtësisë vatrat frymëzuese të tyre. Edhe pse dy shtetet tona janë laike, veprimtaria e institucioneve fetare duhet t’u nënshtrohet detyrimeve ndërkombëtare që ne kemi për të qenë një vend që nxisim paqen dhe marrëdhëniet e mira ndërkombëtare. Çdo xhami apo fondacion, që është burim i këtij frymëzimi, duhet të konsiderohen të paligjshëm dhe duhet të ndalohet veprimtaria e tyre duke u konsideruar si një vepër që cenon sigurinë tonë kombëtare dhe fut vendet tona në konflikt me ligjet ndërkombëtare.

Para se të merren me veprimtari politike dhe t’u shërbejnë klaneve të ndryshme politike, shërbimet informative është mirë të merren me një objekt pune, që rrezikon seriozisht imazhin dhe detyrimet e vendeve tona ndaj paqes në botë. Për këtë arsye duhen ndërmarrë ndryshime të nevojshme ligjore që të parashikojnë penalitete për institucione apo organizata që nxisin rekrutime për konflikte ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria apo Kosova nuk janë të përfshira në rrugë institucionale.

Shqipëria është vend i NATO-s dhe në platformën e sigurimit të saj kombëtar, ajo e ka të përcaktuar kontributin e saj në botë përmes institucioneve të sigurisë ndërkombëtare. Përfshirja e elementëve të tillë në konflikte ndërkombëtare në emër të një frymëzimi fetar ekstremist, u heq atyre identitetin si qytetarë shqiptarë, por nga ana tjetër i detyron vendet tona t’i hetojnë dhe gjykojnë për veprimet e tyre këta qytetarë.

Në Shqipëri deri më sot nuk ka asnjë iniciativë juridike apo politike kundër këtij fenomeni, edhe pse disa xhami në periferi të Tiranës dhe shoqata bamirëse myslimane, po bëhen frymëzim i kësaj fushate rekrutuese në emër të një luftë të shenjtë fetare, e cila nuk ka lidhje as me sigurinë tonë kombëtare, as me Shqipërinë dhe as lidhet me të drejtat dhe detyrimet e shtetasve shqiptarë.

Beteja me terrorizmin ndërkombëtar dhe luftërat fetare është një sprovë e re jo vetëm për shqiptarët. Ajo është sot një sfidë botërore. Por ne, më shumë se çdo komb tjetër, duhet të jemi qartazi kundër këtij fenomeni, pasi bashkëjetesa me ta na dëmton më shumë se një ndarje e qartë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>