Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Rrugicat që kërkonin rrugorë

$
0
0

20130709055147alqiNga Alqi Koçiko

 

Është tema më e rrahur e këtyre javëve të fundit, më e përfolura dhe e komentuara nëpër biseda. Arsyet për këtë, janë të kuptueshme: Çdo kush ka një makinë ose të afërm me makinë, që një moment a një tjetër ka pasur të bëjë me policinë rrugore, me ndonjë ndalim për verifikim dokumentesh, gjobë për parkim të gabuar a shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit. Në fillim, pas ndryshimit të strukturës në Policinë e Shtetit, ndonjë skeptik mund të fliste edhe për fushatë kalimtare siç ndodh sa herë ndërrojnë drejtuesit e policisë, e aq më shumë kur ndërrojnë qeveritë. Por kanë kaluar tre muaj dhe duket se nuk është një fushatë çfarëdo, por një përpjekje e vazhdueshme për të zhbërë më në fund, kaosin e qarkullimit në rrugët shqiptare, sundimin e shoferit të fortë që s’pyet për limite shpejtësie, semaforë, kalimtarë, mjet me dokumentacion, kontrolle alkooli, parkim të rregullt etj.

Në shumicë, njerëzit reaguan pozitivisht ndaj kësaj pranie të ndjeshme “të shtetit” nëpër rrugët shqiptare. E vura në thonjëza, sepse shteti nuk është thjesht aparati policor, ama ky i fundit jep impaktin më të shpejtë e konkret me praninë e tij. Nuk kam dëgjuar njeri të jetë shprehur as kundër rritjes së ndjeshme të rrogave për këta punonjës. Qytetarët vlerësuan (dhe vazhdojnë ta bëjnë) shtimin e elementit femëror në policinë rrugore, pa nënvlerësuar anën tjetër: Ideja se shkelja ndëshkohet me ftohtësinë dhe paanshmërinë e ligjit, instiktivisht e shtyn shoferin të matet mirë para se të nisë makinën. Dreqi ta hajë, dikur duhet që edhe ne “të bëhemi njerëz” këtu, në vendin tonë, njësoj siç sillemi me korrektesë jashtë vendit. dhe sa më e vazhdueshme dhe profesionale të jetë kjo kërkesë llogarie e shtetit, konkretisht rrugorëve, aq më kollaj respekti ndaj ligjit dhe rregullave do na kthehet në shprehi dhe jo në reagim frike.

Rrugorët duken të vendosur që kjo çfarë po ndodh të mos jetë një “operacion” me afat skadence, por një pjesë e zakonshme e rutinës së punës së tyre. Dhe nëse ndokush mund të kishte rezerva lidhur me ndëshkime selektive a më keq, “partiake” në këtë drejtim, ngjan se rrugorët nuk e japin shansin e dyshimit: Fjala vjen, gjoba për parkim të gabuar kanë marrë deputetë e ministra, të majtë e të djathtë, drejtues emisionesh e funksionarë. Nga ana tjetër, nëse gjitha kjo situatë ndikon për atë që kryeministri Rama e tha disi me shpoti, që njerëzit të përdorin më shumë transportin urban, biçikletën dhe aq më shumë këmbët sepse janë ngjallur, atëherë ashtu u bëftë.

Megjithatë, rezervat nuk mungojnë. Gjatë këtyre javëve, dolën në pah shumë teprime që pak rëndësi ka nën rrugorët e cilës qeveri kanë ndodhur, kësaj të tanishme apo të shkuarës. Sado ta kenë sensin e ekzagjerimit qytetarët, është e vërtetë që figurojnë me shumicë gjoba fiktive ndaj makinave, në data dhe vende që nuk përputhen me vendndodhjen reale të tyre. Për shembull, një automjet që ka qenë në Itali një muaj të caktuar, ka marrë gjobë për tejkalim shpejtësie në Tiranë. Ka ndodhur edhe tjetra: Gjobat e paguara figurojnë të papaguara në sistemin kompjuterik, e po ashtu me taksën e qarkullimit. Është hetuar dhe në ndonjë rast janë paditur punonjësit respektivë, por ndërkaq dëmi dhe kokëçarja për qytetarin nuk kanë të paguar. Nga ana tjetër, nuk mund të mos ketë rënë në sy tepria e patrullimeve policore në ndonjë rast, ku makinat janë ndaluar tre herë në një segment prej dyqind metrash, duke sjellë në mos gjë tjetër, ngecje të trafikut nga ata që duhet ta zhbllokojnë atë. Nëse një moment të caktuar të ditës kjo mirëkuptohet, një rresht makinash në pritje për kontroll patentash gjatë mbrëmjes, nëpër rrugica lagjesh, padyshim është acarues me gjithë mirëkuptimin për punën e policisë.

Tjetra që po komentohet shumë këto ditë, është njëfarë entuziazmi që duket sikur është kthyer qëllim në vetvete, në raportimin e numrit rekord të gjobave të vendosura brenda një dite. Opozita e sotme nuk ka ngurruar ta quajë këtë një fushatë për mbushjen e arkës së shtetit; natyrisht, opozita e djeshme ka bërë të njëjtat akuza në vaktin e saj. Ndërsa ajo që duhet menduar seriozisht pastaj, është çështja e radhëve të gjata për kontrollin teknik të automjeteve. Aq sa është e vërtetë se shoferët e lënë për orën e fundit këtë proces, por aq e vërtetë është se në zona të ngjeshura me popullsi si Tirana e gjetiu, duhet menduar për pika të tjera kontrolli nga kompania konçesionare, apo siç sugjeronin disa, një liberalizim i këtij tregu. Tek e fundit, shtet do të thotë jo vetëm prani e mirëpritur policore, por edhe lehtësim maksimal për ata që bëjnë radhë e humbasin ditë pune për të qenë në rregull pikërisht me shtetin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>