Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha apelon për një hapje të re në strukturat e kësaj partie, duke vënë theksin në ofrimin e brezit të ri. Basha vijoi turin e takimeve me strukturat e bazës së PD-së në qytetin e Elbasanit ku 23 vite më parë u themelua dega e kësaj partie. “Nderojmë kontributin e themeluesve, por tashmë ka ardhur koha që brezit të ri t’i besohet stafeta”, ishte mesazhi që përcolli kreu demokrat përpara mbështetësve dhe simpatizantëve të PD-së. Ndërsa e vlerësoi Elbasanin si qytetin ku edhe do të nisë reflektimi i thellë drejt një proçesi hapjeje, duke përqafuar vlerat dhe konceptet e demokracisë, Basha vijoi akuzat ndaj Qeverisë Rama-Meta, e cila sipas tij ka mashtruar shqiptarët dhe nuk po mban asnjë nga premtimet elektorale të bëra në fushatën për zgjedhjet e 23 Qershorit. Vecanërisht Basha u ndal në situatën ekonomike në vend, për të cilën tha se Qeveria me veprimet e saj po rëndon xhepat e shqiptarëve. “Nga Elbasani ju them se PD nuk do të jetë e nënshtruar ndaj presionit politik, se demokratët janë dhe do të jenë për demokraci dhe shtet ligjor”, tha Basha.
↧
Basha: Hapja e PD nis nga Elbasani, stafetën ta marrë brezi i ri
↧