Ka pasur dy mite nga Shqipëria për Kosovën. Miti i parë ka qenë fakti që Sali Berisha ka qenë popullor në Kosovë, dhe në emër të këtij popullariteti përpiqej të diktonte përmes paternalizmit, klasën politike në Kosovë. Miti i dytë ka qenë ai që Edi Rama si socialist jonacionalist, nuk është popullor në Kosovë dhe nuk ndikon dot atje.
Mbledhja e Prizrenit, e cila në fakt nis një histori të re komunikimi mes dy qeverive, është produkt i shembjes së këtyre dy miteve.
Së pari, ajo arriti të mbahet për shkak të komunikimit real politik mes Hashim Thaçit dhe Edi Ramës si dy aleatë politikë, që i besojnë njëri- tjetrit. Edhe pse Thaçi si kryeministër ka qenë i kujdesshëm dhe shumë etik në raport me Berishën, shihej qartë se ata nuk i besonin njëri- tjetrit. Në rastin më të parë, që të dy palët, po të ishin të bindur se nuk i shiftë kush, punonin kundër njëri- tjetrit. Afërsia reale politike e Thaçit me Ramën krijoi klimën e besimit për një takim real mes dy qeverive, pa krijuar ndonjë shqetësim real ndërkombëtar.
Përse Berisha nuk mund ta bënte këtë mbledhje?
Ajo që dihet nga shumë njohës të mirë të raporteve të Berishës me Kosovën, por duket e pabesueshme në publik, është se Berisha nuk është një lider që ka raporte të sinqerta dhe të besueshme me ndonjë lider në Kosovë. Bile ai është i vetmi lider i Shqipërisë, që nuk ka asnjë lider në Kosovë që ta ketë mik personal. Dhe nuk ka pasur as në të shkuarën. Prishja e tij fatale me Rugovën erdhi nga dëshira e tij e çmendur për ta kontrolluar dhe përdorur si marionetë të vetën, gjë që Rugova e refuzoi me personalitetin e tij dhe aktet politike. Më pas nuk ka pasur raporte të sinqerta me askënd. Ai ka mundur të krijojë vetëm raporte etike me Thaçin, Haradinajn dhe është njohur me Mustafën kur ky i fundit u bë kryetar i LDK. Ai nuk ka raporte me Dacin dhe ka armiqësi me Pacollin.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe me personalitet e shoqërisë civile në Kosovë apo botës akademike. Ai nuk u afrua kurrë me Veton Surroin dhe ruajti ndaj tij një armiqësi që nuk e fshihte. Ai hyri në një konflikt të egër patetik me Rexhep Qosen qysh në vitin 1992, dhe kurrë nuk pati kontakte reale me median apo gazetarët e rinj në Kosovë. Lidhjet e tij ishin rastësore ose të diktuara më pas nga shoqëritë aksidentale të së bijës në Kosovë, e cila për dreq dy të dërguarit e parë që i nisi nga Prishtina, ishin Damir Fazlliçi dhe Lulzim Basha.
Por Berisha ishte dhe vazhdon të jetë popullor tek pjesët rurale të Kosovës, tek mentaliteti folklorik i patriotizmit dhe kompleksi që kanë njerëzit në Kosovë për liderët e fortë të Shqipërisë si Zogu, Hoxha apo Berisha. Këtë popullaritet fiktiv Berisha e ka përdorur për të ushtruar presion mbi lidershipin shqiptar në Kosovë t’i binden atij dhe jo për të forcuar raportet Shqipëri- Kosovë.
Ndryshimi real politik mes Ramës dhe Berishës në raport me Kosovën ka të bëjë pikërisht me këtë gjë. Berisha ka pasur një tendencë të paternalizmit mbi Kosovën. Ai e ka pasur Kosovën një aset politik, që e përdorte sidomos si linjë presioni në raportet ndërkombëtare, dhe autoritetin e tij folklorik e përdorte si mjet presioni ndaj liderëve të Kosovës. Shumë udhëheqës politikë në Kosovë nuk kanë raporte të mira personale me Berishën, por e respektojnë atë si një figurë që u prish punë nëse e kanë kundërshtar tek elektorati i vet. Me këtë potencial politik, Berisha është përpjekur të jetë paternalist mbi liderët në Kosovë, t’i diktojë ata dhe t’i ketë nën dispozicion të tij në Shqipëri.
Rama vjen nga një histori e kundërt. Ai nuk është popullor në Kosovë dhe nuk ka me këtë rast asnjë tendencë paternalizmi mbi lidershipin politik atje. Ai kërkon thjesht partnerë dhe miqësi politike, dhe në këtë aspekt lidershipi politik i Kosovës është më i çliruar në raportet me Ramën se sa me Berishën.
Është kjo arsyeja që dhe takimi Thaçi- Rama nuk ngjall dyshime ndërkombëtare, por merret si një takim pune, pasi profili i Ramës në Kosovë është i tillë që nuk ngjall probleme.
Nëse kjo do kishte ndodhur me Berishën, problemet dhe dyshimet do ishin të forta, por dhe gatishmëria nga pala kosovare do ishte më e ulët. Prej vitit 1996, kur Berisha ka tentuar pa sukses të diktojë politikat e LDK-së në përpjekje për të zëvendësuar Rugovën me liderë të tjerë, Berisha është parë gjithmonë si një lider i fortë problematik, me të cilin duhet me pasë sa më pak telashe. Vetë Thaçi është ankuar për të tek amerikanët në vitin 2009 për ndërhyrje të tij në politikën e ditës në Kosovë, sipas Wikileaks.
Me këtë rast politika e Tiranës është çmilitarizuar në Kosovë, është bërë reale dhe kryeministri i Shqipërisë nuk shikohet si një njeri që do t’i diktojë, por si një njeri me të cilin duhet të punojnë. Dhe kjo ka shkrirë realisht akujt mes Shqipërisë dhe Kosovës. Tani ne mund të kemi dy kryeministra të aftë, që mund të forcojnë bashkëpunimin, apo në rastin më fatkeq dy qeveri të pafta, por nuk do të kemi dy kryeministra që kur takohen, dyshojnë tek njëri- tjetri. Këtu është thelbi i arsyes përse mund të funksionojë Mbledhja e Prizrenit dhe përse Sali Berisha nuk mund ta bënte dot këtë. Nuk është se e pengonte vetëm fakti që kishte Fazlliçin nëpër këmbë. Ai e donte Kosovën nën këmbët e tij.