Sulmi i paprecedent i Sali Berishës ndaj Fatos Lubonjës nuk vlen për të vlerësuar kush është Lubonja. Ai ka virtytet dhe veset e veta, që nuk kanë lidhje fare me sulmin e Berishës. Sulmi vlen për të kuptuar nëse opozita e sotme do të jetë ajo e Berishës apo e Bashës. Në momentin që Basha miraton në heshtje çdo akt publik të Berishës, në emër të Partisë Demokratike, atëherë të gjithë kanë të drejt të pranojnë si version zyrtar të qëndrimit, qëndrimet e Berishës.
Në rastin konkret, sulmi i Berishës nuk ka të bëjë me ndonjë gjë personale të Berishës dhe as me PD, por me një sulm tërësisht personal nga lideri historik i PD-së kundër një publicisti. Në mentalitetin e Partisë Demokratike, “armiqtë” që diskrediton kryetari, janë dhe armiq të saj. Ky duket një rast banal, por është rasti kur Basha ka shansin të rrëzojë stekën më të ulët të distancës nga Berisha, stekën e distancës etike.
Ne e dimë që Lulzim Basha nuk ka fuqi të ndahet nga trashëgimia politike e Sali Berishës. Ai e ka të vështirë të ngrejë një opozitë të re, që të dënojë korrupsionin e tetë viteve në pushtet, pasi ka qenë pjesë e tij.
Ne e dimë se Lulzim Basha e ka të pamundur të distancohet nga krimet elektorale të Berishës. Ai është vetë kryeshembulli i krimit elektoral të Berishës, pasi ka përvetësuar mandatin e Tiranës me një proces zgjedhor tërësisht të falsifikuar.
Ne e dimë që Lulzim Basha nuk ndahet dot as nga krimet njerëzore të Berishës. Ai bashkë me Berishën ishin pas xhamit të blinduar kur urdhëruan vrasjen e demonstruesve më 21 Janar dhe e pasuan atë në një proces të turpshëm të frikësimit të drejtësisë për t’u mbyllur çështja.
Ne e dimë që Lulzim Basha nuk distancohet dot as nga Familja e Berishës. Ai është një raport, që ka nisur me buzëqeshjen e shtirur të tij ndaj vajzës dhe djalit, dhe ashtu do të mbesë.
Por Lulzim Basha ka një shans minimal, të papërfillshëm, të parrezikshëm dhe të dobishëm vetëm për t’u konsideruar njeri në hall. Ai ka shansin të paktën të bëjë një distancë etike me Sali Berishën, duke thënë gjysmë fjale se nuk është dakord me gjuhën e Sali Berishës ndaj një publicisti, i cili i ka shërbyer jo pak regjimit të tyre tetëvjeçar me pozicionin e tij tradicional kundër establishmentit politik nga të dy krahët.
Nuk pres ta bëjë se i dhimbset Lubonja. Shumë pak njerëz njoh me mëshirë të tillë në këtë qytet.
Nuk pres ta bëjë as pse i dhimbset Berisha, që u ekspozua si një njeri krejt i rrjedhur para opinionit publik.
Nuk pres ta bëj as se i dhimbset PD, pasi nuk është parti e tij, por imuniteti i tij.
Pres me shpresë se i dhimbset vetja, që as guxon të mbajë larg ujin e ndotur, me të cilin shpëlan gojën e qelbur Sali Berisha. Por duket që s’ka shanse të ndodhë as kjo.