Mediat e quajtën ditë apokaliptike në Tiranë.
Ata që e vuajtën, e dinë tmerrin e trafikut që kaluan atë ditë me shi në kryeqytet.
Policët u zhdukën nga qarkullimi rrugor dhe krejt papritur Tirana u zhyt në një kaos që nuk ishte parë ndonjëherë.
Ishte pak përpara se Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Brendshëm, të kandidonte për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Gazeta TemA akuzoi atë kohë Bashën se e bëri gjithçka qëllimisht.
Një rast thuajse i ngjashëm po trondit këto momente politikën amerikane.
Në qendër të skandalit, Chris Christie, guvernator i Nju Xhersit, dhe një nga emrat më të përfolur për kandidat të republikanëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Çfarë ka ndodhur?
Stafi i tij ka orkestruar një bllokim trafiku për njësinë bashkiake Fort Lee, e drejtuar nga një demokrat që nuk ka mbështetur rikandidimin e guvernatorit.
“Koha për pak probleme me trafikun në Fort Lee,” shkruante një ndihmëse e Christie në një e-mail të publikuar së fundmi.
Qëllimi ishte të bllokoheshin korsitë e trafikut në urën e famshme George Washington, që lidhen me Fort Lee.
Christie ka kërkuar ndjesë, duke deklaruar se ka pushuar nga puna zyrtaren përgjegjëse.
Mediat shkruajnë se kjo është një goditje për shpresat e tij në garën për t’u nominuar si kandidat për president.
Vetë kryebashkiaku i Fort Lee, Mark Sokolich, duke iu referuar zyrtarit përgjegjës për këtë ngjarje, i cili dikur ishte tallur me origjinën e tij nga Kroacia, tha se “ai meriton një shqelm në bythë”.
Prokuroria thotë se mund të ngrihen akuza për këtë ngjarje.
Në ditën kur u bllokua trafiku një grua e moshuar vdiq pasi u vonua ndihma mjekësore./ep