SHQIPTAR OSEKU
1. Pse imam Krasniqi është demagog. Ai e lavdëron demokracinë me raste, kur i vyen ashtu për ta promovuar agjendën islamiste. Por ai njëherit kërkon që të zbatohen rregulla të sheriatit, të cilat s’bazohen mbi legjitimitet demokratik, pra nga shoqëria njerëzore, por pretendohet se kanë mandat qiellor. Në shumë raste – si ta zëmë në dispozitat për trajtim diskriminues për jomuslimanë, rol të nënshtruar hierarkik të gruas, trajtim të njerëzve që e braktisin fenë etj – rregullat e sheriatit janë thellësisht antidemokratike dhe të papërputhshme me një shoqëri bashkëkohore.
2. Pse imam Shefqeti s’është shprehur kurrë kundër imamëve që predikojnë hapur kundër demokracisë. Imamët salafistë predikojnë se demokracia qenka sistem ku gjoja “budallenjtë fitojnë me dy gishta”. Ky predikimi e transmeton ekstrezmin salafist “demokracia është apostazi”, dmth lëshim i fesë, pasi legjitimiteti i demokracisë buron nga shoqëria njerëzore, e jo nga dogma islamiste.
3. Pse imam Shefqeti i ka kritikuar institucionet e shtetit laik, policinë dhe gjyqësorin, pse e respektojnë ligjin. Ai i ka kritikuar këto instiucione në gazetë, ta zëmë, kur i lëshojnë kundërvajtësit – vjedhësit – të mbrohen në liri konform ligjit. Si shembull të lavdërueshëm se si policia dhe gjyqësori do të duhej t’i trajtonin kundërvajtësit, imam Shefqeti ka përmendur shoqëri ku amputojnë gjymtyrë.
4. Pse imam Shefqeti e ka mbrojtur botërisht imamin që i ka fyer gratë shqiptare si “kurva” nëse kanë më shumë se një burrë. Muhameti ka marrë vetë gra vejusha, nga djali i vet i adoptuar, e nga shokët e vet më të ngushtë. Muhameti ka marrë edhe vajzë 6 vjec, grua 60 vjec, e gra të feve tjera enkas me qëllim që t’ua konvertojë fiset. Këto relacione sot do të quheshin të pamoralshme, pedofilike, gerontofilike, si dhe martesa socipatike për interes. Imamët thonë që Muhameti vepronte konform normave të kohës së tij dhe kushedi, mund të jetë ashtu. Por imam Shefqeti i fajëson përditë qytetarët kur sillen si Muhameti, dmth kur i ndjekin praktikat e kohës, ndonëse këto – krahasuar me ato të kohës së Muhametit – na dalin goxha më të moralshme.
5. Pse imam Shefqeti në predikimet e veta kërkon që gruaja të pranojë nënshtrim hierarkik ndaj burrit në familje. Rrjedhimisht dhe pashmangshëm, kjo shpie edhe drejt nënshtrimit hierarkik të gruas ndaj burrit edhe në shoqëri. Kjo kërkesë e imam Shefqetit shkon kundër ligjeve laike të Republikës së Kosovës që stipulojnë barazi gjinore de jure para ligjit, si dhe që institucionet e republikës të punojnë edhe për barazi de facto, ta zëmë në familje.
6. Pse imam Shefqeti i ka falënderuar botërisht huliganët që janë kërcënuar me dhunë për ta penguar mbajtjen e gay paradës në Prishtinë. Ai ka qëndrim gjykues e dhunë-nxitës ndaj njerëzve që dashurohen në njerëz të gjinisë së njëjtë, që shkon kundër ligjeve të Republikës së Kosovës.
7. Pse imam Shefqeti me predikimin e vet të vazhdueshëm dhe zëlart se islami qenka feja e vërtetë e zotit i provokon kristianët. Predikuesit kristianët nxiten asisoj të thonë të njëjtën gjë, duke ngjallur sërish spiralen e lashtë të armiqësive fetare ndërshqiptare, të cilat historikisht kanë patur një kosto të lartë për kombin tonë.
8. Pse imam Shefqeti nuk distancohet prej dhunës kur kjo e promovon verzionin e vet të islamit. Ai nuk është distancuar nga përdorimi i dhunës kundër konkurrentit fetar, mulla Osmanit në Drenas, kur këtë e rrahën njerëz me bindje salafiste.
9. Pse imam Shefqeti propagon që Kosova t’u ngjajë më fort shoqërive ku dalja nga islami dënohet me vdekje. Imam Shefqeti i ka përmendur si shembull të lavdërueshëm një sërë vendesh ku islami është pjesë e legjislacionit. Në ato vende ekziston dënimi kapital për ata që e braktisin fenë islame. Ideali politik i imam Shefqetit përbën pra – edhe bukvalisht! – rrezik vdekjeprurës për qytetarët që kanë bindje ateiste e agnostike, si dhe për konvertitët nga islami në fe tjera. Nëse imam Shefqeti i realizon idealet e veta, kjo do të nënkuptonte jo vetëm shkatërrim të plotë të legjislacionit laik të Republikës së Kosovës, por edhe krim kundër njerëzimit.
10. Pse imam Shefqeti, sic u pa më lart në argumentet 1-10, është ekstremist fetar. Verzioni i tij i islamit i kërcënon vlerat suprafetare të nacionalizmit modernist shqiptar, si dhe të shoqërisë demokratike të cilën po e ndërtojmë, vlera këto të cilat akademik Qosja thotë se i mbron.