Mazhoranca rrëzoi amendamentet për paketën fiskale të propozuar nga PD.
Kështu, maxhoranca rrëzoi në Parlament propozimin e Partisë Demokratike për të mos rritur taksat mbi biznesin e madh. Amendamenti u propozua nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode, i cili tha se ai i referohet programit elektoral të Partisë Socialiste.
Në paketën me 39 amendamente të opozitës, i dyti më i rëndësishëm ishte ai i propozuar nga ish-kryeministri Berisha, për të anuluar rritjen me 10 leke të taksës mbi qarkullimin, i cili gjithashtu u rrëzua.
Kjo ka bërë që Berisha të shkëmbejë replika me ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri.
Ky i fundit mbrojti rritjen e akcizës së karburanteve në seancën ku miratohet projekt-buxheti dhe paketa e re fiskale. Ai tha se rritja e çmimit të naftës, nuk do të shtojë kosto të tjerë veç asaj të transportit.
“Rritja e çmimit të naftës do të ulë ndotjen e ambientit. Duhet punuar më shumë në sektorin e energjisë dhe se energjia nuk është vetëm nafta”, tha Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri tha se qeveria e mëparshme me sjelljet abuzive ndaj kompanisë çeke CEZ, ka futur vendin në një kolaps total.
Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar qeverinë se me projekt-buxhetin dhe paketën fiskale do të rrisë koston e prodhimit dhe çmimet që rëndojnë mbi qytetarët.
“Të rrisësh çmimin e naftës në vendin me çmime më të larta, do të thotë të shkurtosh qindra mijëra vende pune, të rrisësh të gjitha çmimet e transportit të produkteve, do të thotë të rrisësh koston e prodhimit më shumë se cdo gjë tjetër. Vërtet ju mund të inkasoni 180 milionë dollarë, por ju rrënonin së paku 800 milionë dollarë“, tha Berisha.
Më tej Berisha e vazhdoi fjalën me sulme personale dhe fyerje, duke e quajtur ministrin Gjiknuri “alithmatrak jo vetëm në ekonomi, por edhe jurispudencë”.
“Ju garantoj se 2015, borxhi do ju marrë me 85 %, por nuk do vuani ju jo, do vuajë, fermeri, pensionisti shqiptar, jo mo jo, ju nuk do vuani. Pse nuk sillni këtu çmimin e lojërave të fatit, a nuk premtuat 1 javë rresht se do rrisni taksën e tyre. Jua them unë pse. Se mbroni bixhozit tuaja, ku jeni o kumarxhi, pse nuk prekni çmimin e mëkatit, por prekni naftën. Ju që na thatë se kjo është mega makineria e krimit, hajde flisni tani”, u shpreh ish-kryeministri.
Për të mbyllur replikat e gjata të Berishës me çdo ministër dhe për të vijuar me seancën dhe votimin e paketës fiskale dhe projekt-buxhetin 2014, është dashur ndërhyrja e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.