Avokat Spartak Ngjela ka reaguar pas lajmit të publikuar nga gazeta TemA se Bujar Nishani ka ngatërruar Krishtlindjen me Pashkën.
Sipas tij, një individ i tillë nuk mund të rrijë më President.
“Shtypi njofton se Presidenti shqiptar Nishani, në urimin që ka bërë sonte për besimtarët kristianë në Shqipëri dhe jashtë saj, në vend që t’i urojë ata për Krishtlindjet, i uron për Pashkët. Fyerje më të madhe nuk ka për një popull kur Presidenti i zgjedhur prej tyre nuk di të bëjë dallimin midis këtyre dy festave. Në fakt, ai që e zgjodhi me 71 vota për President, domethënë Berisha, me të donte të fyente të gjithë shqiptarët; kurse befas, tani, me këtë urim kaq të marrë që ka bërë, janë shqiptarët që po tallen me të në të gjitha sofrat ku janë shtruar për të festuar. Turp. Por, pyetja është kjo: a mund të qëndrojë më President një individ i tillë? Nëse nesër do arrijë deri aty sa të kërkojë të falur për “një lapsus”, sigurisht që do mendojë se me shqiptarët mund të bësh çfarë të duash. Në të kundërt, që të mos jetë kjo gjendje dyfish fyese për shqiptarët, ai duhet të japë dorëheqjen, duke deklaruar se nuk është mirë mendërisht. Kjo, edhe mund ta shfajësojë…”, shkruan Ngjela në Facebook./ep