Nga Saimir Tahiri
Mbase duhet nisur dhe me një pyetje, që mund të na shërbejë si një përgjigje për këtë seancë të gjatë. Kush nga ju do t’i vinte një titull që do të kuptohej nga shqiptarët, kësaj seance të sotme? – Dakord, është buxheti i parë me Sali Berishën në opozitë, me pozicion hibrid, kryetar, jo-kryetar i një partie pa kryetar, por kur dje kur ishte në qeveri dhe çfarë nuk thoshte për buxhetin e vetë dhe jam i sigurtë që me këtë buxhet në dorë do thoshte ky është buxheti i bollëkut, më i madhi në histori, përfiton rajoni etj…
Tani në opozitë, e them me sinqeritet më vjen keq t’a dëgjoj ish-kryeministrin e vendit tim, më vjen keq t’a dëgjoj se sa pak serioz është kur i drejtohet shqiptarëve dhe këtij Parlamenti të nderuar, sesi mund të flasë ish-kryeministri për ditë zie, nuk e di.
Akoma më pak, nuk e kuptoj sesi kapërcen kryeministri nga “kastrimi”, tek Shiraku e Kostunica, tek “synetllëku”, te FMN pastaj te çmenditë e kështu me rradhë.
Do ishte i mirëpritur për të gjithë, nëse do kishim sot një diskutim konstruktiv mbi Buxhetin, oponencë reale por pse edhe jo alternative. Kush nga ju u shfaq këtu me një alternativë të vetme mbi këtë buxhet, për t’i thënë qeverisë pse jo dhe mazhorancës kjo është alternativa jonë, hajt t’a diskutojmë. Dhe kjo nuk më duket serioze!
Askush prej jush nuk foli për sigurinë publike të jetës, të pronës
dhe rendin, askush nuk foli për Buxhetin e Policisë së Shtetit. Vallë kaq pak ju mundojnë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë? Kaq vështirë e keni t’i thoni kësaj qeverie: Faleminderit që e rrite buxhetin si kurrë më parë në historinë e vendit!
Unë mbase me dashje kam refuzuar të flas me shifra. Por dua t’ju flas për një njeri që ju nuk e njihni. Quhet Festim. Është oficer i Ministrisë së Brendshme. Nuk i ka mbushur akoma 40 vjeç, ka një familje të vogël, ka bashkëshorton, ka një vajzë; e para pa punë prej shumë vitesh, e dyta pa shkollë. Por sinqerisht e them, nuk e dija se polici që përshëndes sa herë hyj e dal nga zyra, njeriu që ka pritur e përcjellë çdo ministër të qeverisë që shkoi, ka një ndër historitë më të dhimshme të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Atyre që lufta me krimin ju ka kursyer jetën. Por që lufta me krimin dhe harresa e braktisja e qeverisë suaj, i ka lënë vetëm frymën.
Festimi është një nga punonjësit e Policisë që nuk e kurseu masakra e Ujës Vajgurore në vitin e çmendur 1997. Ndaj shih brenda vetes dhe lutu për veten doktor!
Ata që e torturuan në mënyrën më çnjerëzore që mund të këtë dëgjuar ndonjëherë e që mendoja që ekzistonin vetëm në librat e historisë së Luftës së Dytë Botërore, e braktisën për të vdekur, po të mos donte fati që t’i mbante frymën gjallë, por vetëm frymën ama! Dhe sot Festimi vuan ende pasojat në trup, jo të pakta! Dhe lutu doktor! Se paska torturë më të madhe, sesa kujtesa e të shkuarës dhe plagët në trup… – është tortura e harresës!
Kur të duhet të mbroje shtetin edhe me çmimin e jetës, e kur shteti pas kaq vitesh s’duket gjëkundi për ty, duke të vënë në pikëpyetje përsëri jetën që t’a kurseu fati. Shih brenda vetes doktor!
Se është tortura e përditshme, por që të vret ngadalë, nga pamjaftueshmëria për të tashmen me pagën e tkurrur ndër vite. Dhe turpi që të zë kur hyn në derën e shtëpisë se të del përpara gruaja dhe fëmija e nuk ke fjalë si t’i justifikohesh as sakrificën që ke bërë, dhe as sakrificën që ka bërë familja për ty. Ndaj lutu doktor!
Nga inati për botën e padrejtë të ziliqarëve, halldupëve, makutëve që ndonjëherë të bëhen dhe ministra e detyrohesh t’u hapësh derën. Mu në themelet e shtetit që ti mbrojte me koston e rëndë që askush prej nesh këtu, që çohet në këtë foltore nuk e paguan kurrë! As e kërcënon kurrë! Dhe është kostoja e jetës! Në shtetin ku arroganca e pasurisë është aq e dhunshme sa ka vrarë përuljen përpara sakrificës dhe vuajtjes së atyre që ndonjëherë i kemi aq afër sa s’i shohim dot kurrë, megjithë vuajtjet e tyre.
E ku pushteti është mësuar të mbyllë sytë përballë sakrificash njerëzore, siç është dhe kjo, sepse pushteti ka punë të mëdha! Pra shih veten dhe lutu edhe për veten doktor! Që s’je këtu, por kudo qofsh, se nuk ke më kohë të shohësh e të lutesh për shqiptarët, as për Festimin, që pikërisht mbi rrobën e policisë, mban peshën e braktisjes dhe talljes së qeverisë tënde!
Nga pamundësia prej frikës që të dikton, kërcënimi se po ngrite zërin për të drejtën tënde, mund të pushohesh dhe nga puna. Dhe mund të pushohesh nga dallkauku që mund të të qëllojë për shef, ose akoma më keq, nga dallkakuku që mund të qëllojë dhe për ministër.
Dhe varfëria të merr peng me tortura të përditshme që duhet t’i durosh heshtur, më shumë sesa torturat që të kursyen jetën. Dhe t’i hapësh derën çdo ditë, për vite të tëra, ministrit të radhës me shpresën se mbase një ditë, ndoshta kujtohet të të pyesë, qoftë dhe për emrin, ose me shpresën që mbase një ditë, do marrë vetë kurajon t’i flasësh, do Zoti nuk pushohesh nga puna. Sot që flasim Festimi jeton me qira, sepse nuk ka shtëpi. Merr gjithsej 36.990 lekë pagë, deri dje, me të cilën paguante qiranë, e me ç‘i mbetej, duhej të mbante gruan e papunë dhe vajzën e papunë, që nuk ka as shkollë. Nuk paguhet mbi pagë, për torturat që edhe sot i kanë lënë pasoja, disa prej të cilave të rënda, sepse nuk është kujtuar njeri, as ta konsiderojë këtë kategori. Sepse ne që bëmë, në fakt shumë mirë dhe vazhdojmë të bëjmë, të nderojmë policët e rënë në krye të detyrës, paskemi harruar ndër vite, të gjithë bashkë paskemi harruar të nderojmë ata që jetën e kanë dhuratë nga Zoti, për shkak se i kanë shpëtuar paq vdekjes por në krye të detyrës ama.
Dhe Festimi deri dje paguante më shumë taksa sesa ministrit të cilin i hapte derën. Ironia e fatit ja donte që deri dje t’i hapte derën Flamurit marrin si shëmbull se nuk kam asgjë me të, madje t’a nderonte fodullëkun hipur mbi benz, psh se nuk kam asgjë me të.
Në këtë rast kishte pak çlirim se zotërija ministër, se Flamuri ja jepte një lloj shpagimi, pavarësisht se shpagimi ishte ironik se Flamuri dhe shpagimin që jepte e kishte me barsaletat e veta që i bënte për të qeshur dhe policët, por për turp dhe Policinë e Shtetit. E kështu doctor, shihe dhe Flamurin, lutu për vete, lutu dhe për Flamurin se njëlloj jeni. Fabul barsoletash të hidhura, por njëlloj jeni!
Por historia e Festimit është vetëm një nga historitë e trishta të Policisë së Shtetit, sepse nëse ka sot një institucion të braktisur, të keqpërdorur, të tradhtuar, të poshtëruar, kjo është Policia e Shtetit. Unë nuk e di përse nuk rri rehat ti atje, por ndoshta ke ndonjë hall më të keq se sa e ka Flamuri, por rri rehat të flas. Nuk ka tallje më të pa shpirt, si ata që nuk gëzojnë as kënaqësinë të ndjehen të respektuar, për sakrificat e tyre shpeshherë të dhimshme që i kërcënojnë jetën dhe shëndetin, dhe këta janë punonjësit e Policisë së Shtetit të cilët jo vetëm kaq por janë dhe të pa trajtuar nga qeveria e deri djeshme: është tallja dhe harresa që keni bërë ju me punonjësit e Policisë së Shtetit.
Mund të duket që sikur e bëj për politikë me ironi brenda, por në fakt duhet t’ju falenderoj vërtet ju, mbi të gjitha kryetarin jo kryetar të partisë suaj pa kryetar, deputetin Sali Berisha se kaq sa ka folur për Policinë e Shtetit në 100 ditë, nuk ka folur në 8 vjet sa ishte kryeministër.
Por me një kusht merrni kurajon çohuni këtu, sepse aq sa kemi bërë ne në 100 ditë për Policinë e Shtetit dhe këtë që po bëjmë ne me këtë buxhet për Policinë e Shtetit, nuk e keni bërë në 8 vjet që qeverisët.
Ju që flisni sot dhe i flisni shqiptarëve demek me pretendime për mirëqenien e tyre, përse nuk dilni këtu të jepni llogari për ato që keni bërë e nuk keni bërë, që na i keni lënë ne madje dhe pa mirësjellje minimale, që të na i bënit me dije jo më me përgjegjësi shtetërore të opozitës, për të ndarë barrën e përballjes së qeverisë me mazhorancën, se fundja në këtë sallë përpjekja jonë e përbashkët është për t’i dal përballë halleve të qytetarëve.
Mos vallë mendoni se në 23 qershor me rezultatin që morët i shlyet të gjitha? – E keni gabim! Madje e keni shumë gabim! Në 23 qershor me votat që ju dhanë shqiptarët ju ndaluan të vazhdonit masakrën që kishit nisur me ekonominë, me korrupsionin, me klientelizmin, me kriminalizimin e Policisë dhe kriminalizimin e shoqërisë, me nënshtrimin e shtetit ligjor, me çmontimin e drejtësisë, me korsinë preferenciale që kishin biznesmenët tuaj, me familjarë, me të gjithë.
Pra shqiptarët më 23 qershor nuk ju dhanë të drejtën të shlyheni përfundimisht me llogaritë që keni ndaj tyre, por në 23 qershor ju ndaluan që të vazhdonit masakrën që kishin nisur dhe që e vazhdonit për 8 vjet, por sot jemi te buxheti i parë i qeverisë që pason qeverisjen tuaj.
Kush do përgjigjet: – Si ka mundësi p.sh. që i latë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit 26 miliardë lekë borxh, kush do çohet këtu të japë këtë përgjigje? – Se shqiptarët nuk e dinin këtë me 23 qershor. Zoti na ruajt po ta dinin dhe këtë. Por kush do përgjigjet sot për këtë punë?!
Si ka mundësi që në 22 janar një ditë më pas 21 janarit të zi, kishit mundësi të mblidhnit qeverinë në datë 22, dhe të miratonit shpërblim 2 milion dollarë për grupin e zjarrit në Gardën e Republikës. Dhe nuk gjetët mundësinë për të shlyer borxhet që i keni lënë pas, në mes të shtetit si lopa…
Po të gjenit mundësinë për t’a bërë pak më të mirë jetën e Festimit p.sh. ose kolegëve të tij në Policinë e Shtetit, kaq mundësi nuk e kishit vallë?
Kush do të përgjigjet për këtë që nuk keni bërë? – Kush do të dalë këtu nga ju, 3 muaj nga sa keni lënë zyrat dhe të japë përgjigje për këtë? – Si ka mundësi që keni miratuar për 5 vjet me rradhë buxhet me mbështetje për fëmijët që lindin e tha shoku Sali, dhe po për 5 vjet rresht nuk i keni dhënë një lek?!
I keni thënë shqiptarëve, jam shumë i sigurt megjithëse nuk e kam gjetur proçesverbalin, jam shumë i sigurt, është çuar kryeministri këtu dhe ka thënë: “ky buxhet ka mbështetje për fëmijët që lindin, se ne i vëmë çmim jetës, se për ne ka rëndësi jeta e fëmijëve, se ne nuk i kemi dhënë një lek”, – si ka mundësi?!
Kush mban përgjegjësi? – Kush nga ju do të çohet këtu t’u thotë shqiptarëve, atyre fëmijëve që kanë lindur dhe s’kanë marrë asnjë lek, kush do t’ju japë përgjigjen se nuk jua kemi dhënë këto lekë për “x” arsye, kush do ia japë përgjigjen?!
Sepse për Saliun që del këtu dhe thotë pse e hoqët, kur ndër kohë nuk e kemi hequr, pavarësisht që unë ndaj një mendim tjetër për këtë instrument personalisht…
Del dhe ka kurajën dhe thotë pse e hoqët? – Ky i njëjti njeri që për 5 vjet dilte deklaronte këtu në parlament dhe nuk jua jepte.
Si ka mundësi paskeni pasur lekë që në 22 janar, një ditë mbas 21 janarit, paskeni pasur lekë për t’i dhënë shpërblim vdekjes, dhe shpërblime për grupin e zjarrit në Gardën e Republikës. Dhe braktisët me çmimin e borxhit për 5 vjet fëmijët që lindnin.
Keni qenë qeveria e vetme që ka gënjyer dhe të palindurit. Dhe kështu bëhet tamam i vërtetë proverbi i gallatës. Sepse jeni qeveria e vetme që të le dhe pa barcaleta, sepse dhe barcaletat më të hidhura i keni bërë aq të vërteta sa nuk kemi më me çfarë të qeshim.
Ju që sot përbetoheni për statusin e Nëpunësit Civil, për integritetin e Administratës Civile, për paprekshmërinë e Administratës Publike, për depolitizimin e Administratës Publike…
Meqë dëgjova dhjetë herë Saliun më lejoni të jap edhe disa përgjigje. Si ka mundësi që tetë vjet i keni lënë borxh Ministrinë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit 2.2 milionë dollarë borxhe ndaj vendimeve gjyqësore të pashlyera, shumica e të cilave, janë dëmshpërblime për ata që janë të larguar nga puna?
Kaq shpejt u latë ju nga gjithë këto gjëra që bëtë për tetë vjet, sa vini këtu drejtoni edhe gishtin, filloni me “skizofrenë” me “i çmëndur”, me “synetllik”, me “kastrim” dhe nuk jepni përgjigje për këto?!
Çfarë fytyre keni përballë shqiptarëve që vini këtu në këtë foltore në Parlament, flisni me shqiptarët dhe të mos u thoni ku i keni çuar këto para?!
Shqiptarët duan përgjigje, përpara se t’ju dëgjojnë juve për Buxhetin e vitit 2014, duan përgjigje reale.
Po fondin e Emergjencës Civile ku e hëngrët deri në maj? – Kishit hallin e zgjedhjeve. Po hallin e atyre që përmbyten përsëri në Shkodër, se iku dhe zonja mbas zotërisë, po hallin e atyre që përmbyten në Lezhë nuk e kishit? – Po hallin e rrugëve të bllokuara në veri dhe jug nga bora dhe fshatrave të tëra të izoluara nga dëbora e kishte ndonjëri nga ju që i harxhuat fondin e Emergjencës Civile brenda majit?
Si do bëhet në dimër tani, kush prej jush do dali tani e do thotë na falni, t’i thotë shqiptarve na falni ne i harxhuam të gjithë lekët nuk kemi çfarë bëjmë, ishim të papërgjegjshëm kemi zënë mënd, jemi në opozitë për këtë shkak, por na falni, kush do të dalë ta thotë këtë prej jush?
Si mund t’i harxhonit? – Se kjo është për habinë time tani, kjo është dhe çështje hetimi dhe po vazhdojmë. Por si mund t’i harxhonit të gjitha fondet e Emergjencave Civile brenda majit dhe latë një shtet të tërë me fond total për të përballuar Emergjencat Civile dhe fatkeqësitë natyrore me vetëm 560 dollarë. Një familje në rat nevoje gjeneron 560 dollarë.
Ju keni lënë një shtet të tërë, për zona të tëra, në katandisjen që mos t’i dalim dot përballë qytetarëve, në rast, do Zoti mos të ndodhë, fatkeqësish!
Kush do dali nga ju këtu t’u përgjigjet shqiptarëve? Cili?! Cili do dalë nga ju këtu, dhe kjo është burrëri dhe përgjegjësi shtetarësh që vijnë këtu në parlament me mandat të fituar nga populli?
Cili nga ju do të dalë këtu, e të mos bëjë karagjozllëqe me tip “synetllik”, e “kastrim”, por të dali këtu e të thotë na falni, dhe t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit maxhorancës dhe qeverisë dhe të thotë si do bëjmë?!
Na keni në dispozicion që të gjejmë paratë dhe të përballemi me emergjencat civile dhe fatkeqësitë natyrore. Cili nga ju do e bëjë këtë?!
Po rezervat e shtetit, kush i boshatisi? Sheqer, vaj, miell që duheshin për të ndihmuar familjet në rast emergjencash dhe fatkeqësish natyrore, ku i çuat këto? Kush përgjigjet për këto? Cili përgjigjet prej jush për këto? Kush e hëngri sheqerin, vajin, miellin, kush i mori këto, nga shkuan këto?
Si ka mundësi, e lanë një shtet të tërë, si pas lufte, dhe ndërkohë nuk kemi mundësi t’i dalim përballë emergjencave dhe fatkeqësisë natyrore?!
Kush do dali nga ju, kthejuni përgjigje shqiptarëve, kush nga ju do dali këtu t’u kthejë përgjigje shqiptarëve? – Fundja të thotë, na falni, e bëmë, por bashkë me qeverinë, dhe ne jua japim këtë mundësi, bashkë me qeverinë, ne nuk do ju lëmë të vdisni kur të izoloheni nga bora. Do Zoti s’ndodh! Prandaj duhet të lutet doktori!
Dhe 5 makina, të reja të shkëlqyera që i dhuroi Banka Botërore, edhe ato, të zinjtë ju, as buxhet për 5 shoferë nuk dhatë. Dhe kanë 2 vjet që makinat kalben, do Zoti prapë nuk janë prishur, se i latë pa buxhet për shoferët. Kaq makutë dhe kaq të verbër ishit sa as s’e kishit mendjen për këtë punë!
Në ka një gjë që duhet t’jua mbylli gojën realisht, dhe jo t’jua
mbyllë gojën përballë qeverisë, por t’jua mbyllë gojën përballë qytetarëve, kjo është situata skandaloze ku e braktisët Policinë e Shtetit.
I vutë si kupolë ca komisarë politikë, që më shpejt bënin pazare me krimin në kurriz të ligjit, tradhtonin kolegët, ndershmërisht jua them, siç tradhtojnë sot njëri-tjetrin dhe lanë qytetarët në mëshirë të bujarisë së krimit, aty ku krimi mund të ishte dhe bujar.
Vratë modelin e zbatimit të ligjit, vratë modelin e respektimit të ligjit, vratë forcën e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe vratë mbi të gjitha, pritshmërinë e qytetarëve se vërtet ky vend mund të jetë i sigurt, siç vratë besimin e punonjësve të Policisë, se realisht mund të mbajnë me nder dhe dinjitet, përballë familjeve të tyre në radhë të parë e pastaj përballë shoqërisë, uniformën!
Krijuat korsinë preferenciale, për ca njerëz që i shmangeshin ligjit, pse ishin miq, familjarë, shokët, të afërmit, soji, sorollopi i juaj që nuk pyeste për ligj. Se ishit ju mbi ligjin. Ja ta dëgjosh për herë të katërt ç‘keni bërë juve me buxhetin, rrogat e punonjësve të Policisë, sigurisht. Pagat e punonjësve të Policisë, në raport me institucionet e tjera të administratës publike, nga 1 me 1.8 që ishte në vitin 2003, sot është në raportin 1 me 1.18. Paga e punonjësve civilë në Policinë e Shtetit, në raport me institucionet e tjera të administratës publike, nga 1.65 që ishte në vitin 2003, nga viti 2009 e në vazhdim është 1 me 1.
Rritja mesatare e pagave ka qenë në raport të zhdrejtë me ndalesat në pagë, ku koeficienti i rritjes reale të pagave ka ardhur në rënie nga 23 % në 2003, në minus 4 % në vitin 2013! Ndërkohë që koeficienti i ndalesave është rritur nga 16.2 në vitin 2010, e keni rritur 25.6!
Paga e Policisë nuk reflekton as përgjegjësitë për pozicionin e punës dhe raporti i PAMECA-s ta thotë! Raporti thotë që “paga e një punonjësi të shërbimeve mbështetëse, sanitar në një institucion është më e lartë se paga e një punonjësi të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit”. Dhe paga e drejtorit të përgjithshëm të administratës publike, që menaxhon në disa raste në 5-7 punonjës, është e njëjtë ose më e lartë sesa paga e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që menaxhon 9980.
Paga e punonjësve të Policisë në Republikën e Shqipërisë është më e ulët sesa paga e punonjësve të Policisë në çdo vend të rajonit, për të mos llogaritur të BE-së, sepse jemi shumë shumë larg!
Dhe unë habitem sesi e keni lejuar juve këtë! Rreth 75 % e punonjësve të Policisë, kanë të ardhura mujore familjare për frymë nën pagën minimale në shkallë vendi. Ndërkohë që me buxhetin, menjëherë sa ka marrë detyrën qeveria e Sali efendiut, ishte fiks ajo, pra buxheti i parë i Salit, në vitin 2006 ka qenë 0.7 % më i ulët sesa buxheti i vitit 2005 për Policinë e Shtetit. Në vitin 2007, e ka ulur akoma, me 4. 4 %! Në vitin 2009, e ka ulur akoma me 2.4 % . Buxheti i vitit 2011, 6.3 % më i vogël sesa buxheti i vitit 2010. Buxheti i vitit 2012 është 1.8 % më i lartë dhe buxheti i vitit 2013 i ka hequr po atë, 1.8 % më i vogël!
Ndërkohë që buxheti i vitit 2014, ky buxhet sot, për të cilin jeni të ftuar të vini t’a falënderoni madje, është 14 % më i lartë. Është buxheti më i madh në historinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Dhe, meqë keni kundërshtim për rrogat, inspektori, që është roli i Festimit që ju thashë më përpara, merrte pagë 39.652 lekë neto. Do të marrë, pas 1 janarit 47.214 lekë që i thonë, brenda vitit të marrë më shumë sesa 2 rroga, mbi 84.000. Mbi 2 rroga shtesë!
Ja pra të nderuar deputetë, ky është buxheti i Policisë së Shtetit, ky është buxheti i Ministrisë së Brendshme. Dhe për herë të parë në 23 vjet demokraci, për herë të parë në historinë e Policisë së Shtetit, qeveria miraton një buxhet, duke parashikuar mbështetjen më të madhe buxhetore dhe financiare, më të madhe ndonjëherë për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Ndaj sot ka disa pyetje që ju peshojnë juve mbi kokë! Jeni dakord me rritjen e rrogave për punonjësit e Policisë së Shtetit? Po apo jo, dilni deklarojeni këtu! Në rast se jeni po, votojeni pro buxhetin e shtetit!
Jeni dakord me rritjen e investimeve për Policinë e Shtetit? – Në rast se jeni dakord, dilni deklarojeni këtu po, dhe votojeni buxhetin e shtetit! Shkurt fare, jeni dakord me heqjen e taksave të 87% të shqiptarëve? Po ose jo, deklarojeni dhe votoni pro!
Jeni dakord me uljen 25 % të tatim-fitimit, për biznesin e vogël? Deklarojeni, jeni dakord apo jo, por ama deklarojeni! Jeni dakord me shlyerjen e borxheve për sipërmarrësit? Deklarojeni, jeni pro apo kundër!? Jeni dakord për kontrollin shëndetësor falas?! Deklarojeni, jeni pro apo kundër por të paktën shqiptarët t’a dinë qëndrimin tuaj, se nuk po e marrim vesh! Dhe në qoftë se jeni dakord, dilni e deklarojeni dhe votoni pro buxhetit të shtetit. Në të kundërt, votoni kundër, por të paktën thuajeni!