“Nuk është luftë e opozitës për një portret, por betejë përballë revanshit që ka ndërmarrë qeveria ndaj opozitës“. Kështu shprehet kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ndërsa thotë se PD-ja do t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimin e qeverisë për ndryshimin e fotos së presidentit Bujar Nishani dhe vendosjes së portretit të Ismail Qemalit në zyrat shtetërore.
Paloka thotë se nuk ka vend për t’u hequr paralele të qeverisë së djathtë të raporteve me presidentin e atëhershëm, me veprimet që po bën kjo qeveri.
“Frymë revanshi edhe në administratë, këtë po tregon qeveria “Rama” me veprimat e para të saj. Përtej gafave politike të kryeministrit të ri, Edi Rama nuk po ndjek as rekomandimet e Brukselit për procesin integrues“, shprehet Paloka.
Ndërkaq, për ristrukturimin e PD-së, ai shprehet për “Ora News” duhet të pritet edhe ca ditë, pasi ky proces pritet të fillojë në fillim të muajit tetor. Ky do të zgjasë rreth dy muaj, shprehet ai, deri në mbledhjen e këshillit kombëtar dhe zgjedhjen e strukturave të larta drejtuese të Partisë Demokratike.