Sot është gjyqi i 21 Janarit. Heronjtë tanë të vërtetë, që mbrojtën Shqipërinë nga një puç i rrezikshëm shteti, sot do të jenë në gjykatë. Ata janë të pafajshëm dhe duhet të meritojnë medalje trimërie.
Të dashur miq. Siç u pata thënë më 21 Janar 2011, bandat e Piktorit, të armatosura me thika me helm, me pistoleta çadër dhe këpucë me maja të helmuara, sulmuan kryeministrinë.
Ka qenë një ditë e vështirë për mua. I mbetur në kat të dytë për gjithë ditën, udhëhoqa përballimin e një sulmi të pashembullt. Në fillim hodhën në sulm këmbësorinë e lehtë, të cilët kishin veshur këpucë me maja të helmuara. Ata qëllonin policët nga këmbët dhe policët paralizoheshin. E konstatova këtë gjë dhe dhashë urdhër të qëllohet me gaz lotsjellës. Pas kësaj, demonstruesit u shpërndanë. Pastaj erdhi skalioni i dytë. Ata ishin të armatosur me thika me helm. Iu afroheshin policëve dhe tentonin t’i qëllonin. Urdhërova menjëherë makinat me ujë dhe i shpërndanë. Sapo makinat me ujë hynë në shesh, u hodh në sulm skalioni i tretë. Ata ishin me çadra- pistoletë. Ata i pikasa. Një burrë i vjetër hapi çadrën dhe brenda sekondës një ushtar i gardës u rrëzua. Natyrisht dikush e kishte qëlluar. Atëherë nuk durova më. Thirra Gonin dhe i thashë t’i thotë komandantit të gardës të hapë zjarr. Goni e thirri dhe i tha urdhrin tim. Komandanti hezitoi. Goni humbi durimin dhe e qëlloi me grusht. Pastaj i mori pistoletën dhe hapi zjarr mbi turmën. Komandanti i gardës pastaj i kërkoi falje, mori pistoletën vetë dhe qëlloi dhe ai.
Kaq duhej dhe hapën zjarr të gjithë. 35 mercenarë u plagosën dhe katër prej tyre vdiqën më pas. Ishte një punë e shkëlqyer.
Puçi dështoi. Por puçistët nuk dorëzoheshin. Qendra e tyre ishte në godinën përballë meje. Dërgova policët t’i shpërndanin që andej. Më raportuan se i zbuan. Pastaj erdhën lajmet për të vrarët. U qetësova. Katër prej tyre kishin vdekur. Kaq mjaftonte mos të guxonin më të dilnin në rrugë.
Në mbrëmje erdhën prokurorët. Kërkonin të merrnin provat e plumbave dhe portën e hekurit të kryeministrisë që ishte e goditur nga plumba nga brenda. I ndalova kategorikisht. Portën e hoqëm dhe e çuam për skrap, ndërsa gëzhojat i mblodhëm vetë. Policët e plagosur dhashë urdhër të mbaheshin në kat të parë të qeverisë dhe të ushqeheshin aty që të mos merreshin në pyetje.
Prokurorët e puçit rrinin aty pas gardhit. E shikoja se si mërziteshin. Njëri prej tyre mori në telefon shefin dhe i tha, po qe se dështoi plani A, unë do kaloj tek plani, B, do t’ia fus një paçe e pilaf dhe do ik në shtëpi. Ashtu bëj, i tha prokurori. Ky ishte një komplot i madh. E zbardhëm telefonatën dhe po prisnim. I njëjti prokuror shkoi në mëngjes në gardë dhe kërkoi serverin e gardës për provë. Oficeri më njoftoi mua. I thashë në asnjë mënyrë. Oficeri ia bëri të qartë që nuk do t’ia jepte serverin.
-Do na e japësh apo të kalojmë në planin B, i tha prokurori.
-Jemi të vendosur, nuk ua japim, tha oficeri. Atëherë prokurori tha se do zbatojmë planin B. E ndoqëm nga pas dhe ai shkoi hëngri paçe tek restorant Gjirokastra. E bëri për t’u maskuar. Me siguri plani B ishte puçi nga presidenti dhe kryeprokurori që donin të arrestonin zinxhirin komandues. Mua nuk ma hidhnin dot.
Dola dhe i denoncova për planin B. I kisha të gjithë provat. Tani nuk më iknin dot.
Luli më rrinte pas vetes i shqetësuar. E ndjente shumë nëse dështonte operacioni. E sigurova të jetë i qetë.
-Do ta shpartallojmë puçin. Kërkova tabulatet e gazetarëve puçistë. Nga ata kuptohej e vërteta. Njëri prej tyre kishte kërkuar që dikush të bënte shurrën brenda kryeministrisë. E vumë në përgjim 24 orë. Zbuluam planin C. Plani C ishte që kur puçistët të vinin në komisionin hetimor, do deklaronin se kishin ndërmend të përmbysnin qeverinë dhe kryeministrin Berisha, por kishin lidhje me familjarët e tij, të cilët ishin të pakënaqur nga qeverisja. Donin ta paraqisnin si puç brenda familjes. Ishte një skenar i turpshëm. Anulova menjëherë seancën e pyetjeve të atyre çakajve dhe ua dogja dhe planin C.
Tani ka mbetur plani D. Pafajësia e gardistëve. Gjykata e Apelit ka vepru sot gabim që i ka quajtur vrasje nga pakujdesia. Ato ishin vrasje sipas ligjit. Sidoqoftë, ky është presioni i pushtetit të krimit, vrasjeve dhe drogës. Por ne do fitojmë. Përpara!