Gjykata e Apelit i dhuron lirinë Ndrea Prendit, ish- komandantit të Gardës, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, dhe Agim Llupos, gardistit që akuzohet se ka vrarë Ziver Veizin.
Megjithëse trupi gjykues i përbërë nga relator, Ervin Metalla, dhe anëtarë Agim Bendo e Evgjeni Sinoimeri, i ka shpallur fajtorë zyrtarët e Gardës, vendimi i dhënë ka shkaktuar jo pak ovacione në sallën e gjyqit.
Kjo për faktin e thjeshtë se masa e dënimit që vendosi treshja e trupit gjykues përkthehet në liri për të akuzuarit, për të cilët tashmë është vërtetuar se kanë vrarë Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin.
Me arsyetimin se vrasjet janë bërë nga pakujdesia, treshja e gjyqtarëve, 24 orë pasi prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi 23 vjet burg për ish- komandantin e Gardës dhe 25 vjet burg për ish- gardistin, vendosi masën e dënimit me një vit burg për Ndrea Prendin dhe tre vjet burg për Agim Llupon.
Vendimi i dhënë në Apel, përveçse ka shkaktuar reagimin e të afërmve të viktimave të kësaj ngjarje, ka ligjëruar lirinë e të akuzuarve. Kjo për faktin e thjeshtë se “vuajtja e dënimit” që kanë kryer deri më tani dy të akuzuarit përkon me masën e dënimit që ka dhënë gjyqtari Agim Bendo.
Ish- komandanti i Gradës u arrestua fillimisht në janar të vitit 2012, pas një sërë vështirësish që akuza pati në ekzekutimin e urdhër-arresteve.
I akuzuar fillimisht si person që ka dijeni mbi ngjarjen e 21 Janarit, në shkurt të vitit 2012 për ish- komandantin e Gardës u vendos masa e “arrestit shtëpiak” pasi prokuroria humbi çdo betejë ligjore për rikthimin e tij në burg.
Ndërsa në mars të vitit 2013, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, Prendi u shpall i pafajshëm.
Nisur nga masa e arrestit, ku vetëm ligjërisht Ndrea Prendi ka qëndruar në shtëpi për një vit, dhe nga vendimi i dhënë nga Agim Bendo, rezulton se gjenerali, edhe pse është shpallur fajtor për vrasje, e ka kryer vuajtjen e dënimit për këtë vrasje, kjo pasi përllogariten ditët e vuajtjes së dënimit.
Po e njëjta gjë është edhe për ish- gardistin Agim Llupo, i cili është arrestuar me urdhër të prokurorisë në shkurt të vitit 2011 dhe ka dalë nga “burgu” në mars të vitit 2013, pas shpalljes së pafajësisë.
Edhe për të, nëse përllogariten ditët që ka vuajtur dënimin, rezulton që edhe ai e ka kryer dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit.
Madje atyre u lind e drejta dhe të kërkojnë dëmshpërblim, pasi mund të kenë vuajtur dhe ndonjë ditë më shumë dënim nga sa ka vendosur për ta Agim Bendo.
Reagimi i prokurorisë
Se mbi ç’baza juridike ka vendosur trupi gjykues që vrasja e 4 demonstruesve përballë kryeministrisë, teksa po protestonin me duar në xhepa, është kryer nga pakujdesia, do të duhet të presim vendimin e zbardhur.
Vetëm pas kësaj Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vendosë dhe rekursin në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit që i “dhuroi” lirinë Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, megjithëse burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thonë se apelimi i vendimit është i padiskutueshëm, ashtu është dhe liria e të akuzuarve për vrasje. Duket se më shumë se sa për të dënuar autorët e vrasjeve më 21 janar, rekursi i Krimeve të Rënda do shërbejë për ezaurimin e të gjitha procedurave ligjore të çështjes në të gjitha shkallët e drejtësisë.
Së paku kështu mendojnë një sërë juristësh, të cilët në Gjykatën e Apelit kanë shprehur kundërshtinë e tyre mbi vendimin e dhënë.
Tani tek Ndrea të përplaset dera
Janë të numëruara me gishta ditët që Ndrea Prendit ka vuajtur dënimin në qelitë e burgut.
Falë sistemit të drejtësisë, ish- komandanti i Gardës dhe atë dënim që është dhënë për të, e ka kaluar në shtëpi, një apartament në katin e katërt në afërsi të Gardës.
Zyrtarisht aty jeton familja e ish- komandantit, e cila gjatë kësaj kohe është përpjekur në maksimum të mënjanojë përplasjen me median.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe të mërkurën, dhe pse për të ishte dita e madhe, ajo e lirisë.
Në shtëpinë e Ndrea Prendit, thuajse nuk ka lëvizje. E vetmja gjë që të bie në sy është një makinë Tuareg, e parkuar krejtësisht në kundërvajtje.
Nga ballkoni i shtëpisë thuajse nuk pipëtin asgjë, ndërsa një palë shapka të lëna në pragun e derës më së shumti të krijojnë idenë se janë vënë enkas aty.
Si asnjëherë tjetër, trokitja në derën e Ndrea Prendit sjell pritshmërinë e rastit. Dera hapet. Me sa duket, pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Apelit, familja Prendi hap edhe dyert. Para syve të ty të shfaqet një grua rreth të 40-tave, e përskuqur e tëra dhe e veshur në të zeza.
Është Marjana, gruaja e ish-komandantit, e cila sapo mëson që je gazetar, të përplas derën në fytyrë.
“Nuk kemi asgjë për të thënë. Na lini të qetë”, janë fjalët e vetme që të thotë Marjana.
Nga aq sa të lejon të shohësh dera e hapur, nuk duket ndonjë shenjë e gjeneralit në shtëpi.
Apartamenti është krejt i qetë dhe fqinjët e tyre, ndoshta edhe në hir të fqinjësisë, nuk pranojnë të flasin për ekzistencën e ish- komandantit të Gardës, por ajo që tashmë është e sigurt, është fakti që Ndrea Prendi është i lirë.