Pas përditësimit të çdomëngjezshëm në iPhone të asaj që ndodh në botë, thashë të ndjek edhe ndonjë diskutim live në parlamentin shqiptar.
Pas diskutimit te Imamit, isha gati të shkëpusja lidhjen me Shqipërinë këtë mëngjes të diele, por kur nuk ishte i pranishëm Dash Shehi dhe u thirr me kënaqësi eksplicite nga kryetari i ri i parlamentit, që të diskutonte Eduart Selami, ndërrova mendjen. Dhe jam i kënaqur që bëra mirë.
Ishte kënaqësi intelektuale të dëgjoje një diskutim pa mllef, pa shabllonizma të njohura opozitare ndërparlamentare, pa urrejtje dhe plot elegancë tipike opozitare anglosaksone.
Normal që ai është opozitar dhe pa dashur të kopjoj Ramën që tha pak a shume “ruajna o Zot, nëse ju beheni si ne dhe ne si ju”, por kishte një linjë tjetër, një mendim ndryshe, një konceptim shumë ashqiptar, një model që duhet ndjekur.
Me shifra dhe nga këndvështrimi i tij, Selami bëri ato kritika dhe konstatime në lidhje me programin, duke i kundërvënë me premtimet që kishte bërë ish- opozita gjatë fushatës me programin që ka paraqitur mazhoranca në parlament.
Ndryshe nga të tjerët, sipas stilit anglosakson afirmativ, fillimisht falenderoi dhe përmendi disa anë pozitive të programit që i quajti arritje për Shqipërinë, por bëri edhe kritika konstruktive opozitare.
Madje me shumë finese dhe konstruktivizëm i kujtoi edhe mazhorancës që të mos jetë mohuese dhe nihiliste me arritjet e qeverisë pararendëse për aq sa identifikon se ka të atilla, sipas optikës së shumicës së re.
Krahasimisht me parafolësit dhe pasfolësit e tij opozitarë, Selami përbënte diferencën në diskursin politik, ndoshta për shumë arsye.
Mundet të jete se ai nuk ka mëkate qeverisëse dhe është më i qetë, më i imunizuar dhe më i papërlyer dhe i pakondicionuar në shumë refleksione dhe sugjerime.
Por padyshim është edhe një njeri që ka një përvojë të gjatë politike, që e ka më pak të përlyer me baltë-hedhjen tipike politike shqiptare të shumë viteve.
Si i painfektuar nga replikat groteske, pa shije dhe humor që bëhen rëndom në parlamentin politikisht mediokër shqiptar, ai spikati për mua në fjalimin e tij me një tonalitet dhe gjuhë trupore shumë më afër përkufizimit modern opozitar, sesa shumë bashkëdeputetë demokratë.
Por absuolutisht fjalimi i Eduart Selamit për mua është edhe reflektim i mirëfilltë i kulturës politike dhe faktit që ka jetuar në Perëndim, dhe padyshim si të gjithë mëson dhe perfeksionet prej atij ambjenti qoftë edhe politik.
Ishte mëse e qartë se shkolla opozitare e Selamit ishte tejet ndryshe nga ajo shqiptare e derimësotme.
Fjalimi i sotëm me thekse të spikatuar oksidentale ishte një dritëz në tunelin e errët të opozitarizmit që fatkeqësisht shikoj në shumë nga fjalimet që mbajnë deputetët e opozitës së re, diskurse tejet të vjetëruara dhe démodé.
Bërja e opozitës për aq sa bëhet për të kundërshtuar me fakte dhe argumente logjike dhe racionale se ku gabon dhe duhet të përmirësohet qeverisja, pasi vetëm kështu mund dhe duhet të jetë konstruktive, njëkohësisht zhvillohet edhe për të rikuperuar dhe fituar politikisht mendjet dhe zemrat e atyre që ke humbur apo që dëshiron t’i fitosh, për t’u bërë alternative e besueshme qeverisëse.