Askush në histori nuk ka qenë racist ndaj vetvetes më shumë se Majkëll Xhekson, që ka luftuar për ta zbardhur lëkurën e tij të zezë, derisa e ka shndërruar veten në karikaturë për të vdekur nga pikëllimi.
Nuk di term për ta quajtur tipin e Xheksonit, prandaj po e quaj auto-racist (njeri që nuk i ka urryer të tjerët, por e ka urryer veten pse nuk ishte i bardhë).
Në Shqipëri konsiderohen qytetarë shqiptarë edhe romët. Shqiptarët e Shqipërisë i duan serbët e Serbisë (dashurohen, martohen, bëjnë prostitucion me ta), i duan grekët (bëhen shërbëtorë të tyre, punojnë për ta, i imitojnë, ua falin detin, ua ruajnë varret e paqena) vijnë grekët e i rrahin shqiptarët midis Shqipërie e shqiptarët nuk ftohen prej tyre, ndaj tyre nuk janë racistë.
Shqiptarët i duan sidomos italianët (të gjitha këngët ua dinë përmendësh; për ta është modë nëse këndon italisht, je demode nëse këndon shqip), janë inferiorë ndaj tyre, çmenden për t’u bërë italianë, edhe para se Nano të propozonte Shqipërinë për protektorat italian.
Për shkak të tre- katër opinioneve ku vogëlsia ime ka provuar të përmendë Shqipërinë në shkrimet e mia, kam marrë qindra sharje dhe dhjetëra letra e komente nga njerëz publikë, kryesisht gazetarë, që më këshillojnë që urgjent t’i këqyri punët e Kosovës dhe të mos përzihem në çështjet shqiptare se me ato punë ata gazetarë merren vetë.
Grekët, italianët, serbët etj. shkruajnë për Shqipërinë zi e më zi, sikur zbulojnë ‘sekretin e mullirit të braktisur’.
Unë jam rritur nga njerëz që e kanë kaluar rininë në burg të Goli Otokut për flamurin e shqiponjës, për shkak të punës dhe dashurisë së tyre për Shqipërinë.
‘Dashuria për Shqipërinë’ për mua ka qenë si lëndë mësimore, që mësohet, ushtrohet dhe jepet provimi për të.
Për mua Shqipëria nuk është e shqiptarëve të Shqipërisë, por e të gjithë shqiptarëve.
Katundare jam unë, do të vdes duke kujtuar që Shqipëria është atdheu im.
Por, asnjëherë nuk kam ndjerë nevojë të botoj shkrim në Shqipëri, prandaj as nuk i dërgoj asnjë redaksie shkrimet e mia.
Disidenti ma mësoi atdhedashurinë kur isha vajzë e re dhe e dija përmendësh moton kozmopolite të Teofeastit ‘atdheu im është e gjithë bota’.
Atdheu yt është Shqipëria.
Tash është vonë për mua të çmësohem nga kjo dashuri.
Tash nuk mund të çmërzis gazetarët dogmatë të Shqipërisë e t’u them se s’do ta përmend kurrë më Edi Ramën në shkrimet e mia.
Unë Edi Ramën e konsideroj si kryeministër timin, njëjtë si z.Thaçi, s’kam çka bëj, kështu jam mësuar me kohë! Por, deri në vdekje mund të jetoj pa shkelë këmba ime kurrë në Shqipëri. Se dashuria për mua edhe kur është ‘e verbër’, jeton edhe pas vdekjes.
P.S. Studiuesit më të mëdhenj të gjuhës shqipe ishin rusë, gjermanë, polakë e të tjerë. Rusët e gjermanët e kanë ditur se s’është e domosdoshme për të qenë shqiptar për t’ua mësuar shqiptarëve gjuhën shqipe…
Ata gazetar/e (emrat e tyre nuk po i përmend tash) që kërkojnë nga unë të zbatoj ‘kufij të gazetarisë’, sipas ndarjes së tyre: ‘shqiptarja e Kosovës shkruan për probleme të Kosovës,’ atyre u ndihmoftë Zoti të cilin nuk e kanë ‘njohur’ e besuar në rini.
Janë problemet që kalojnë kufijtë artificialë ‘kufirin me atdhe’, që shtrihen në shtete tjera, e bashkë me to e kalon kufirin edhe lapsi im…
Kurrë nuk do ta kisha besuar që gazetarë shqiptar kërkojnë me histeri nga unë që të mos e përmend Shqipërinë në shkrimet e mia.
Qe, ky është kufiri mendor i medias shqiptare, që më shumë se në të gjitha aspektet, është e ndarë në këtë aspekt, kufiri më i fortë ndërmjet shqiptarëve është ‘kufiri i gazetarisë’, që e kanë krijuar dhe e ruajnë doganierët- botues të gazetave shqiptare të Shqipërisë, se sa i përket shqiptarëve të Kosovës ata çmenden nga dashuria për Shqipërinë!