Namiku, sipas Kushtetutës, e mblodhi Kuvendin e ri të grave dhe burrave që do të na qeverisin dhe opozitojnë 4 vitet e ardhshme. Duke i uruar suksese, si qytetarë votues dhe taksapagues na lind e drejta ta paragjykojmë dhe ta gjykojmë këtë parlament ligjbërësish.
Intelektualisht më duket nën nivelin mestar kombëtar e politikisht duhet goxha vullnet për të mos pasur një tjetër stanjacion plot ngërçe.
Kulturalisht duhet të ngrihet në parametra rajonalë (se parametrat evropianë më trembin kaq shpejt) ndërkohë që financat private i kanë goxha obeze si majtas dhe djathtas.
Estetikisht shikoj progres se nuk ka më të veshur keq e të qethur kaçakçe, por oratorisht me sa i njoh do u vendos kolektivisht notën 5 pa hatër.
Meqenëse ngecëm te arsimimi i tyre zyrtarisht falë universiteteve tona mejhane nuk kanë mbetur pa marrë një pjesë e tyre diplomat pa pikë diplomacie në të nxënë.
Sa për gjuhë të huaja nuk u ka vendosur njeri kritere por le të mundohen të flasin me pak sforcim shqipen letrare dhe hakmarrja e vesi i batutës të mos njohin tjetër shpërthim.
Megjithëse tejngopja e koalicionit qeverisës më frikëson disi, do i kërkoja kryeparlamentarit të ardhshëm zotit Meta të tregohet liberal dhe konsekuent e pse jo edhe miqësor me opozitën e opozitës.
Kam frikë se po u aplikua ndrydhja e dyfishtë ndaj Patozit, Olldashit, Bodes e ndonjë tjetri do zyrtarizohet si pa kuptuar një opozitë e kontrolluar porsi modeli i bashkisë së Tiranës. Mungesa e Lul Bashës natyrisht nuk ka për t’u ndjerë asnjëherë për sa kohë truri dhe zemra e bacës të prodhojnë energjitë e fundit negative.
Baca?
Kujdes me Berishën se shkurtimi i ymrit të tij politik dhe fizik të kujton sagën e maceve hileqare egjiptiane dhe agresiviteti që do mbjellë këto kohë do ia tejkalojë edhe viteve kur shoku i tij Nano qeveriste me apo pa Kaçin e zi pranë.
Do jetë parlament gallate edhe sepse ngritja e dorës për aprovime apo refuzime do të jetë e centralizuar por sa herë mendoj Kaç Islamin ulur mes Berishës dhe Edi Palokës trishtohem dhe pyes: Ku ma ke, ku ma ke dashurinë që pate?
Kësaj legjislaturë do të kemi edhe një risi tribalo-arnaute. Lufta mes kunetërve do të jetë teatër e shkuar teatrit o shqiptar. Fatmir Mediu do t’i bëjë opozitë Ilirian Celibashit, ndërsa Agron Duka opozitë Lefter Kokës…
Eh, sa do të na mungojë edhe Jozefina. E virgjëra Shën Mëri e Kuvendit shqiptar tash e tutje do të zëvendësohet nga një i lirë pa (me) të meta plangprishëse.
Gjithsesi SUKSESE o borgjezia e tranzicionit, SUKSESE o aristokracia politike e një republike, e cila zgjohet herët dhe pa larë ende sytë gjerb kafe turke dhe ngordh instinktet reaguese të mendjes me raki që në mëngjes!!!
fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE