Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Dhiz iz ë mirakëll of fridom

$
0
0

Mero Baze 2Nga Mero Baze

 

Kisha vetëm një kuriozitet nga seanca e Kuvendit. Si do sillej me veten Sali Berisha? I ulur mes Bodes dhe Topallit, ai nuk e ngriti kokën për 20 minuta sa zgjati seanca. Nuk e ngriti as të shikonte kompjuterët e shëmtuar të Jozefinës, me të cilat bëri dhe ajo ndonjë lek “si gjithë të tjerët”. Luante me iPad-in e tij. Nuk e kthente kokën as majtas, as djathtas. Duket se ndjehej në siklet me të vetët që ishte i barabartë. Tani ishte thjesht një vartës i Edi Palokës, i cili shmang gjithmonë fjali Sali për shkak të S-së që nuk thotë dot dhe i flet Doktor. Nuk shikon dot as palën tjetër, ata që ai mendoi se i vuri poshtë vetes me arrogancën e pushtetit, por që e rrëzuan në mënyrë spektakolare.

Por mbi të gjitha ai dje kishte një siklet të madh. Nuk e ngrinte dot kokën lart nga lozhat. Familjarët e katër të vrave prej tij më 21 janar ishin pas shpinës së tij dhe e ndiqnin për 20 minuta. Nuk kishin armë me vete dhe as kishin shkuar aty për të marrë gjakun. 1 milion shqiptarë morën hak për ta dhe gjakun e familjarëve të tyre. Sali Berisha i ndjente në shpinë vështrimet e tyre dhe i kujtohej vështrimi i tij pas xhamit të blinduar më 21 janar kur urdhëroi vrasjen e Aleksit, Ziverit, Hekuranit dhe Faikut. Mes tij dhe viktimave të tij kishte një xham të blinduar, kurse tani mes tij dhe familjarëve të tyre janë vetëm disa metra pas shpinës së tij. Ai e di se nuk do ta qëllojnë. E di se nuk do ta vrasin, por nuk ka fuqi ta ngrejë kokën, ta rrotullojë ngadalë dhe t’i shikojë. Është i frikësuar të mendojë se ç’pamje ka fytyra e tyre, çfarë mendojnë, a duan të hakmerren, a e shikojnë çfarë po bën, a po mendojnë se ai duhet të paguajë për gjakun e tyre… Në krah ka Jozefinën që nuk kupton dot pse Berisha nuk shikon nga ekrani i kompjuterit që ajo ka blerë 1 mijë euro copa. Nga ana tjetër fytyra e vrerosur e Ridvanit, që nuk beson akoma se ka shpëtuar nga humnera ku ka zhytur në rënie të lirë buxhetin e shtetit shqiptar. Vërdallë ka Flamurin, Palokën dhe Eduard Halimin, që ëndërrojnë të udhëheqin opozitën dhe i peshon ende më shumë vështrimi i gjakësve të tij pas shpine.

Nuk e ngre dot kokën as nga lozhat në të djathtë të tij. Aleksandër Arvizu, ambasadori i SHBA, është atje. Edhe ai më shumë shikon nga Sali Berisha se sa nga Namik Dokle. Për t’u bërë qejfin të vetëve “e shkarkoi” një ditë para zgjedhjeve dhe njoftoi se u zëvendësua. Donte t’u hiqte frikën mbështetësve të vet për qëndrimet kritike të SHBA ndaj tij dhe ta paraqiste këtë si luftë të ambasadorit. Pastaj vuri Edi Palokën, këtë që do drejtojë opozitën në parlament, dhe e shpalli ortak në biznese me Edi Ramën. Më tej vuri Jozefinën që nuk u gëzohet dot kompjuterëve, dhe ajo shpalli idhnimin e vet që ai ishte i “vogël”. Dhe për t’i vënë kapakun e mbylli me Genc Pollon, që e shpalli komunist.

Por ambasadori Arvizu ishte sot në lozhën përballë tij, ende ambasador, ende në detyrë, duke parë fundin e një regjimi, të cilin iu desh së paku një vit ta kuptonte se si funksiononte kundër lirisë së shqiptarëve. Sali Berisha nuk e duronte dot atë vështrim dhe nuk e ngrinte dot kokën.

Nuk e ngrinte dot edhe pse në një tjetër lozhë aty ishte presidenti që ky i la Shqipërisë, Bujar Nishani. Cinik dhe i pamëshirshëm për t’u tallur deri në fund me këtë vend, Sali Berisha e emëroi atë president me të njëjtin kriter poshtërues që emëroi Flamurin Ministër të Brendshëm apo Palokën, nënkryetar të PD-së dhe kryetar të grupit. Duke urryer shoqërinë shqiptare, ai ka pasur gjithnjë një dozë perversiteti për t’u tallur me të duke i imponuar figura qesharake për udhëheqës. Problemi i madh i tij sot është që figurantët ngelën në pushtet si pasardhës të tij dhe ai vetë nuk ngre dot kokën as t’i shikojë në sy.

Nuk e ngre dot kokën as përballë. Ka Namik Doklen, një mik të vjetër të tij, që i botonte dikur shkrimet si komunist tek Zëri i Popullit. Është parlamentari më jetëgjatë i Shqipërisë, qysh prej vitit 1991, dhe është aq i lirë të flasë dhe të bëjë shpoti në fjalimin e tij sa Sali Berishës i vjen të thyejë iPad-in. Ka 22 vite në parlament dhe politikën shqiptare dhe nuk ka vrarë njeri, nuk ka vjedhur njeri, nuk ka mundur ta akuzojë njeri për asgjë, nga ato akuza që vetë Sali Berisha ka mbi shpinë. Është modeli i politikanit jetëgjatë që mbetet i pastër, model që Sali Berisha nuk ia doli dot t’ia arrijë në fund të moshës së tij politike dhe fizike. Dukej qartë që mezi priste të mos e shihte më as atë përballë.

Në ato pak minuta makthi në seancën e parë, ku ai nuk ishte as kryetar, as kryeministër dhe as njeri me pushtet formal brenda partisë, ai nuk mund të sillej ndryshe, veçse ashtu siç u soll, me kokë të ulur mbi një vegël që nuk di as ta përdorë, i çarmatosur nga çdo pushtet, por mbi të gjithë i mbetur pa asnjë fije morali për të ngritur dhe kokën. Ky është bilanci real i ndëshkimit që i ka dhënë Shqipëria këtij njeriu. E kishte në krye të vendit dhe ai donte t’u ulte kokën të gjithëve me dhunë, arrogancë dhe plumba. E zhveshëm nga çdo pushtet dhe e lamë të lirë në Kuvend dhe ai nuk ka fuqi të ngrejë kokën. Kjo është mrekullia e lirisë, ose siç e ka pasë thënë ish- Sali Berisha: “dhiz iz ë mirakëll of fridom”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>