Në zyrën e Bujar Nishanit tanimë ka mbërritur propozimi i Aleancës për Shqipërinë Europiane për emërimin e Edi Ramës si kryeministri i ri i shqiptarëve.
Koalicioni i majtë i përbërë nga Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka dorëzuar kërkesën e firmosur nga deputetët e tyre.
Ndërkohë pak më herët u mblodh grupi parlamentar i LSI, që zgjodhi Petrit Vasilin si kryetar të grupit.
Ndërsa kryetari Ilir Meta tha se tanimë LSI ka një grup parlamentar të konsoliduar.
“Ne shkojmë në Kuvendin e ri për herë të parë pas nëntë vitesh, me këtë rast gëzuar edhe 9-vjetorin që sapo kaloi, më në fund duke pasur një Grup të konsiderueshëm Parlamentar, i cili në fakt nuk është një surprizë për të gjithë ata që dinë historinë e zgjedhjeve të Shqipërisë. është thjesht kompensim i mandateve që kemi humbur padrejtësisht në vitin 2005 dhe në vitin 2009. Megjithatë në radhë të parë unë nuk besoj tek numri ynë dhe as mazhorancës tonë, “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, por besoj tek cilësia e përfaqësimit, tek integriteti i të gjithë juve dhe mbi të gjitha tek qëllimi ynë mjaft pozitiv për të ecur më shpejt duke respektuar parimet demokratike dhe në radhë të parë atë të gjithëpërfshirjes”, tha ai.
“Kjo është vetëm mbledhja e parë, takimi ynë i parë, për të vijuar më pas me mbledhjet e rregullta javore të këtij grupi Parlamentar, në mënyrë që ne të përmbushim programin tonë dhe njëkohësisht edhe të respektojmë axhendën e Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re që është mjaft ambicioze. Besoj shumë tek angazhimi juaj, tek përkushtimi juaj, dhe ju uroj të gjithëve suksese dhe mbarësi! Për sa i përket z. Braho, meqenëse dikush më pyeti se pse nuk ka ardhur z. Braho, mendoj që për sa i takon mbledhjeve të grupit ai do të vazhdojë të shkojë tek Grupi Parlamentar i PS-së dhe sa i takon mbledhjeve të Kryesisë do të vazhdojë të vijë tek Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i faktit që jemi dy forca politike, por jemi një mazhorancë e bashkuar dhe që funksion”, përfundoi Meta./ep