Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Laicizmi dhe legalizimet

$
0
0

Mero Baze

Nga Mero Baze

 

Po dëgjoja dje drejtorin e ALUIZNI-t, Artan Lamen, duke u bërë një histori legalizimeve në Shqipëri dhe qasjen që kanë patur edhe gjatë shekullit të kaluar regjimet ndaj këtij fenomeni. Por, megjithëse ishte shumë i detajuar në histori dhe në realietin e sotëm, më duket se i iku një problemi shumë delikat dhe i pangjashëm në botë, që ka të bëjë me legalizimet dhe objektet e kultit të paligjshme në Shqipëri.

Ky fenomen vërehet tek ndërtimi i xhamive, të cilat nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman në Shqipëri. Më shkurt, janë një sërë xhamish, të cilat po tentojnë të përfaqësojnë në Shqipëri një rrymë puritane të islamit, që identifikohet me Vehabizmin dhe që është në të njëjtën kohë mbështetësja kryesore e xhihadistëve që nisen për në Siri dhe krijimit të një problemi real brenda islamit shqiptar.

Këto xhami, për numrin e të cilave nuk dua të shprehem, pasi mund të bie në gabime statistikore, janë të shumta dhe rrethojnë kryesisht Tiranën, por edhe disa qytete të tjera në vend. Këto xhami nuk e njohin autoritetin e Komunitetit Mysliman dhe janë të ndërtuara si ndërtime pa leje në pjesët informale të vendit, ku kanë dhe lëndën e parë për shpëlarje truri.

Problemi që duhet të ngrihet me guxim tashmë nga ALUIZN-i, por dhe qeveria shqiptare, është qëndrimi ndaj procedurës së legalizimit të këtyre objekteve të kultit.

Shteti në Shqipëri është i ndarë nga feja dhe i respekton ato përmes përfaqësuesve të tyre zyrtarë. Pyetja që lind është se si legalizohen këto objekte kulti dhe në pronësi të kujt janë?

Në shumicë, ato janë ndërtuar në prona private të personave që kanë ofruar tokën, por duke mos njohur Komunitetin Mysliman, që është institucioni zyrtar që përfaqëson myslimanët shqiptarë, ne rrezikojmë të njohim një “kalifat” të ri brenda Shqipërisë, duke krijuar një problem me duart tona, brenda botës myslimane shqiptare.

Edhe pse çështja duket shumë delikate, qeveria duhet të jetë e vendosur në ruajtjen e laicitetit dhe distancën e duhur nga mospërzierja në punët e brendshme të komuniteteve fetare. Si rrjedhojë, ajo nuk duhet të bëjë veprime që legalizojnë një konflikt brenda myslimanëve shqiptarë, por duhet të respektojë autoritetin e vetëm zyrtar të myslimanëve, që është Komuniteti, duke njohur vetë ata si deklarues të ndërtimit të objekteve të kulteve myslimane. Kushdo që i ka ndërtuar, mund t’ia dhurojë Komunitetit Mysliman dhe kështu qeveria mund të shmangë një debat shumë delikat lidhur me rrezikun e islamit politik në Shqipëri, i cili sado i parëndësishëm, mund të prodhojë probleme jo vetëm për fenë islame, por dhe sigurinë kombëtare në vend.

Problemi duket paksa jashtë vëmendjes së opinionit, por e vërteta është se të gjitha xhamit që përfaqësojnë këto rryma, janë ndërtime joligjore, pasi janë objekte kulti të ndërtuara me iniciativë që nuk ka kaluar nga institucioni zyrtar i Komunitetit Mysliman. Njëlloj qeveria mund të veprojë dhe për komunitete të tjera fetare, por në rastin e Komunitetit Mysliman, kjo është një çështje shumë delikate dhe kërkon një impenjim zyrtar më të madh.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe presidenti, duhet ta shtrijnë këtë si një nga problemet reale që ka në Shqipëri, rreziku i sigurisë kombëtare. Të tjerat janë probleme të dorës së dytë për momentin. Shteti shqiptar nuk duhet të legalizojë një “kalifat të dytë” duke ndjekur një rutinë ligjore, duke legalizuar xhami pa identitet si shtëpi të rëndomta fshatarësh në zonat informale. Së paku shteti nuk duhet ta bëjë këtë gabim. Ata që kërkojnë të legalizojnë këto xhami, nuk janë në hall për hipotekë, por për një letër që mund ta na vërë nesër para telasheve më të mëdha.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>