Kanë kaluar pak kohë nga zgjedhjet e përgjithshme ku propaganda e partive arriti në çdo pikë dhe në çdo vend ku jetojnë shqiptarë.
Në pritje të formimit të parlamentit të ri, që sipas Kushtetutës duhet të ndodhë në shtator, janë bërë publike emrat e deputetëve fitues nga listat përkatëse.
Një pjesë e mirë janë rikonfirmuar për një tjetër mandat 4 vjeçar. Shumë janë fytyra të njohura për publikun, disa të tjerë kanë krijuar një konsuetudinë me pjesëmarrjen e tyre.
Por kush janë këta zotërinj, të cilët do të jenë drejtuesit e politikës së vendit tonë?
A ka pasur ndryshim brezash në këto zgjedhje? Një pikë që gjithsesi bie në sy është mosha e re e përfaqësuesve dhe në përgjithësi e politikanëve në vendin tonë, gjë që na diferencon nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia.
Kjo nuk do të thotë që ata janë të rinj në arenën politike, madje disa prej tyre e kanë nisur karrierën politike në moshë fare te re, rreth viteve ’90, dhe tashmë kanë një eksperiencë 20 vjeçare duke vazhduar të jenë ende aktivë.
Të tjerë kanë qenë politikanë aktivë, pedagogë, drejtues në administratën publike që para shembjes së sistemit komunist dhe vazhdojnë të jenë pjesë e jetës politike në mos si parlamentarë, si këshilltarë ministrash ose qeveritarësh të lartë.
Është interesante lista e politikanëve parlamentarë më jetëgjatë në historinë e shkurtër e demokracisë shqiptare.
Në këtë listë bëjnë pjesë eksponentë të së djathtës dhe po ashtu të së majtës. Këta janë emrat e pesë politikanëve që kryesojnë këtë listë:
-Sali Berisha, personi që ka drejtuar për më shumë kohë politikën shqiptare. Ish-anëtar i Partisë Komuniste nga viti 1969, kryetar i PD nga krijimi i saj. Dy herë President i Republikës, dy herë Kryeministër dhe për pesë mandate me radhë deputet i parlamentit.
-Namik Dokle, deputet i PS, një herë kryetar i Kuvendit, shtatë herë deputet i parlamentit. Ka qenë po ashtu zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.
-Kastriot Islami, kryetar i parë i Kuvendit të pas viteve ’90. Katër herë ministër i qeverive të ndryshme, gjashtë herë deputet dhe një herë zëvendëskryeministër.
-Ilir Meta, për gjashte mandate deputet, katër herë zëvendëskryeministër dhe në një rast kryeministër nga tetori i vitit 1999 deri në shkurt të vitit 2002. Bie në sy mosha e tij fare e re.
-Gramoz Ruçi, anëtar i Partisë Komuniste nga viti 1978, një herë ministër i Brendshëm në qeverinë e parë pluraliste. Për gjashtë mandate deputet i parlamentit.
Siç shihet nuk mungojnë emrat nga të dyja kampet. Kampioni i kësaj liste është kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.