Hartimi i draftit prej 4 pikash që do të kthente opozitën në kuvend, duket se nuk ka arritur të sheshojë plotësisht diferencat mes pozitës dhe opozitës për tekstin final që do t’i propozohet kuvendit për t’u votuar si rezolutë e përbashkët.
Burime nga Partia Demokratike thanë për ResPublica se palët nuk kanë arritur të gjejnë dakordësinë për formulimin e pikave të marraveshjes edhe në takimin që përfaqësitë e dy krahëve patën gjatë mesditës në ambjentet e kryesisë së kuvendit.
Po të njëjtat burime thonë se në të tilla kushte nuk përjashtohet mundësia e një takimi në nivel kryetarësh për të zgjidhur përfundimisht ngërçin e krijuar, pasi asnjë nga të mandatuarit e palëve nuk ka autoritetin për të dhënë aprovimin mbi tekstin e marrëveshjes.
Palët kanë kohë deri të mërkurën për të përmbyllur negociatat, në mënyrë që seanca plenare e 24 dhjetorit t’i gjejë të dyja palët në kuvend. Në një kohe që arrëveshjes pozitë-opozitë nuk po i del tymi mbetet e paqartë si do të vijojnë negociatat në të tilla kushte, kur platforma e vetme e pakonsumuar në këtë histori negociatash është ajo e një takimi mes kreut të mazhorancës Rama dhe kryetarit të opozitës Basha.